Liga e Kampioneve, 20 gjëra që duhet të dini
Përplasja e këtij viti midis Çelsit e Mançester Junatid do të jetë finalja e tretë e luajtur midis dy ekipeve të një vendi. Faqja angleze mirror.co.uk ka bërë një listë me 20 fakte që njerëzit duhet të dinë rreth aktit final të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klubet.
1 – Reali i Madridit është klubi më i suksesshëm në Ligën e Kampioneve. Formacioni spanjoll e ka fituar 9 herë trofeun, së fundi në vitin 2002.
2- “Los Merengues” mbajnë edhe një tjetër rekord unikal, të paarritshëm deri tani: e kanë fituar pesë herë rresht midis viteve 1956 dhe 1960.
3 – Sëlltiku i Gllazgout u bë klubi i parë britanik që fitoi në vitin 1967 Kupën e Kampioneve, siç quhej atëherë Liga e Kampioneve.
4 - Këtë vit “The Bhoys” gjithashtu u bënë formacioni i vetëm që fitoi Ligën e Kampioneve si pjesë e një “quadruple”, katër trofe brenda një sezoni, përfshirë dhe ato shtëpiake.
5 – Sëlltik është gjithashtu një nga tre ekipet fituese, lojtarët e të cilit janë lindur në të një vend, pra të gjithë skocezë. Dy formacionet e tjera janë Reali i Madridit (1965-1966) dhe Steaua Bukuresht (1986).
6 – Të gjithë lojtarët e skuadrës së Sëlltikut janë lindur në një “pellg” me një reze gjeografike prej 15 kilometrash larg njëri-tjetrit.
7 - Notingham Forest është i vetmi klub që ka fituar Ligën e Kampineve më shumë se kampionate në Angli: dy Liga Kampionesh kundrejt një kampionati.
8- Kur Mançester Junaitid fitoi Kupën në vitin 1998-1999, ata ishin fituesit e parë të turneut, që nuk kishin fituar kampionatin shtëpiak (apo Ligën e Kampioneve) një sezon më parë.
9 – Ekipi i fundit që arriti ta mbrojë me sukses trofeun ishte Milani. Skuadra italiane e fitoi në vitin 1989 dhe në vitin 1990.
10 – Nëse formacioni i Avram Grant do të ngrejë trofeun në Moksë, trajneri do të behët izraeliti i parë (qoftë ky trajner apo lojtar) që fiton Ligën e Kampioneve.
11 – Stadiumi “Uembli” ka pritur pesë finale të Ligës së Kampioneve: 1963, 1968, 1971, 1978 dhe 1992, më shumë se çdo stadium tjetër.
12 – Athina është i vetmi qytet që është përfaqësuar me tre ekipe: Olympiakos, Panathinaikos dhe AEK në një sezon të Ligës së Kampioneve.
13 - Sulmuesi i Realit të Madridit, Raul Gonzales është shënuesi më i mirë i kompeticionit me 61 gola.
14 – Marçelo Lipi është trajneri që ka arritur katër herë në finalen e Ligës së Kampioneve me Juventusin: 1996, 1997, 1998, dhe 2003, më shumë se çdo trajner tjetër.
15 – Klarens Sedorf është i vetmi lojtar që ka fituar trofeun me tre ekipe të ndryshme: Ajaksin (1995), Real Madrid (1998) dhe Milanit (2003 dhe 2007).
16 - Hernan Krespo është i vetmi lojtar që ka shënuar në Ligën e Kampioneve me pesë ekipe të ndryshme: Parma, Lacio, Inter, Çelsi dhe Milan.
17 – Goli më i shpejtë në Ligën e Kampioneve është shënuar pas 10 sekondash nga holandezi Roi Makaj kur luante për Bajernin e Munihut në ndeshjen kundër Realit të Madridit në vitin 2007.
18 – Majk Njuell i Bllekbërnit ka realizuar edhe “tripletën” më të shpejtë, brenda nëntë minutash kundër norvegjezëve të Rozenborgut në sezonin 1995-1996.
19 – Paolo Maldini, është i vetmi lojtar që ka luajtur në finalet e Ligës së Kampioneve në tre dekada të ndryshme.
20 – Finalistët nga i njëjti vend: e gjitha spanjolle Real Madrid-Valencia në finalen e luajtur në Paris në vitin 2000, Milan-Juventus në vitin 2003 në Mançester dhe tani në Moskë, Mançester-Çelsi.
Fitoret më të thella
8-0: Liverpul-Beshiktash (06.11.2007)
7-0: Arsenal-Slavia (23.10.2007)
7-0: Juventus-Olimpiakos (10.12.2003)
Golat më të shpejtë
10.03 sekonda: Roj Makaj
(Bayern-Real Madrid 1-1)
20.07 sekonda: Gilberto
(PSV Eindoven-Arsenal 4-0
20.12 secs: Alessandro Del Piero
(Manchester United FC –Juventus)
Golat në Ligën e Kampioneve
61 Raul Gonzalez (Real Madrid)
57 Rud van Nistelroj (PSV Eindhoven, Manchester United, Real Madrid)
56 Andriy Shevchenko (Dynamo Kyiv, Milan, Çelsi)
Donadoni, me “minë” ne bankinë
Roberto Donadoni përtëriti kontratën si trajneri i përfaqësueses italane të futbollit edhe për dy vite të tjera, deri në vitin 2010. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giancarlo Abete e konsideroi zgjatjen e kontratës si një akti besimi. Në kontratë ka dhe një klauzolë për dorëheqjen e teknikut brenda 10 ditëve nëse Italia shkon keq në finalet e Euro 2008. Donadoni nga ana e tij theksoi se nëse Europiani do të shkojë keq, ai do të japë dorëheqjen. Alesandro Del Piero e Antonio Kasano janë midis 24 të thirruve nga tekniku i Italisë, Roberto Donadoni për finalet e Kampionatit Europian që do të luhet në Zvicër e Austri. Më 28 maj do të hartohet lista përfundimtare me 23 lojtarë.
Platini “ndreq” kartonët
Duke nisur nga Europiani i ardhshëm kartonët do të anulohen jo në fazën e grupeve, por pas çerekfinaleve. Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s. “Ndryshuam rregullat pasi kështu lojtarët më të mirë mund të luajnë në finale”, - tha presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. “Shpikja” do të aplikohet për atë që ka marrë vetëm një karton në fazën e grupeve dhe në çerekfinale. Nëse lojtari ka marrë dy kartonë gjatë këtyre fazave do të pezullohet për ndeshjen e ardhshme.
240 mijë euro për kokë
Lojtarët e Spanjës do të fitojnë 214 mijë euro secili nëse “toreadorët e kuq” do të arrijnë të pronësojnë trofeun e Kampionatit Europian. Lajmi jepet nga gazeta “As”. Nëse Spanaj do të eliminohet raundin e parë çdo lojtar do të fitojë 30 mijë euro. Spanja ndodhet në Grupin D së bashku me Zvicrën, Rusinë e Greqinë. Skuadra e kryetrajnerit Luis Aragones do të luajë dy miqësore me Perunë, më 31 maj dhe me SHBA-të, më 4 qershor, përpara se të nisen më 5 qershor në Austri.
Laçi akuzon me pamje filmike
“Apolonia pagoi 15 mijë dollarë për të blerë ndeshjen”
Drejtuesit e Laçit kanë kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhënien në tavolinë të rezultatit të ndeshjes me Apoloninë, duke pretenduar se klubi fierak ka blerë dy futbollistë të tyre për takimin që u luajt të dielën e kaluar. Për të provuar akuzat e tyre, krerët e klubit kurbinas kanë organizuar edhe një kamera të fshehtë, ku shihen dy lojtarë të këtij klubi dhe një person tjetër, që sipas tyre është i dërguar i administratorit të Apolonisë, Endri Puka, dhe që quhet Vladimir Çela. Madje, për këtë ekziston edhe një deklaratë e lëshuar nga Vladimir Çela, ku ai pranon se është dërguar për të blerë ndeshjen Laçi-Apolonia. Sipas balkanëeb.com, filmimi është prej afro 2 minutash dhe në të shihet njëri prej dy futbollistëve të Lacit, i cili numëron 15 mijë dollarët e dhënë nga Çela. Ky regjistrim i është paraqitur Federatës, e cila ka njoftuar nisjen e një hetimi nga ana e Komisionit Disiplinor. Shefi i Garave Shulku ka vënë në lëvizje për këtë çështje dy inspektorët që ndodhen pranë këtij Komisioni dhe që merren me problemin e shitjes së ndeshjeve. Sipas shefit të klubit të Laçit, Pashk Laska, filmimi është kryer në një nga lokalet e Laçit të dielën në mëngjes, pak orë përpara fillimit të ndeshjes. Sipas tij, kontaktet mes përfaqësuesit të Apolonisë dhe lojtarëve të Laçit kanë nisur që ditën e mërkurë. Takimi mes Laçit dhe Apolonisë përfundoi në barazim 1-1 dhe fierakët siguruan ngjitjen në Superligë. Ndeshjes iu dha një rëndësi e jashtëzakonshme, madje duke u drejtuar nga një treshe arbitrash italianë me kryesor Andrea Romeo. Kjo është hera e parë që një klub futbolli sjell filmime për të vërtetuar korrupsionin në futboll.
21 Maj 2008