E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohet Koldashi, akuzoi Sefgjinin

Kërcënohet Avni Koldashi, i akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës dhe dëshmitari që fajësoi për këtë ngjarje drejtorin e Tatimeve, Arben Sefgjini. 

Fatos Mahmutaj

Dëshmitari i shoqërimit të Remzi Hoxhës e Ziso Kristopullit, 13 vjet më parë, i pandehur në procesin për torturimin dhe rrëmbimin e tre personave, i ka kërkuar ndihmë dje Policisë së Tiranës, Prokurorisë së Përgjithshme, Avokatit të Popullit dhe Policisë së Shtetit. I kontaktuar dje pasdite në telefon nga “Panorama”, vetë Koldashi e pranoi faktin se ishte kërcënuar. Koldashi tha se ai dhe familja e tij ndiheshin të rrezikuar, por refuzoi të jepte shpjegime të mëtejshme. “Për çdo gjë drejtohuni në policinë e Tiranës. Atje keni emrat e personave që më kanë kërcënuar, arsyet, mënyrën dhe me detaje të gjithë mesazhet kërcënuese që kam marrë”, tha Koldashi. Institucioni i Avokatit të Popullit pohoi zyrtarisht se rreth një muaj më parë Avni Koldashi kishte vënë në dijeni këtë organizëm për kërcënimet që ka pasur në lidhje me deklaratat e bëra prej tij për llogari të hetimit të çështjes “Remzi Hoxha”. Avokati i Popullit e ka vlerësuar kërkesën e Koldashit dhe pohon se u ka rekomanduar organeve kompetente për të marrë masat e duhura. Mesditën e djeshme, avokati i Avni Koldashit pohoi se klienti i tij, i cili ndodhet në arrest shtëpie, pasi kishte marrë disa kërcënime të përsëritura për jetën e tij dhe të familjes, i është drejtuar organeve shtetërore për ndihmë. Të paktën në një prononcim televiziv të pesë ditëve më parë, ish-kreu i bazës së vëzhgimit të SHIK-ut në Tiranë në vitin 1995, Avni Koldashi, rrëfeu se në tetor 1995 kishte shoqëruar personalisht Ziso Kristopullin dhe Remzi Hoxhën. Të parin e kishte çuar vetë deri në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, ndërsa të dytin, personin që nuk u gjend kurrë, ia kishte dorëzuar ish-shefit të tij Ilir Kumbaro, me urdhër të dhënë në radio nga Arben Sefgjini. Në intervistën e gjatë televizive, Koldashi akuzoi ish-shefin e vet, Arben Sefgjini, duke pretenduar se kishte zbatuar vetëm urdhrat e tij.
Rrëmbimet
Në lidhje me Ziso Kristopullin, Koldashi pohoi se kishte shkuar vetë në Sarandë dhe pasi e kishte rrëmbyer “tërheqje për një bisedë operative”, siç e pohoi vetë, e kishte dërguar në Vain të Lezhës, ku e kishte dorëzuar sipas urdhrit të Sefgjinit. Edhe për Remzi Hoxhën, Koldashi pohoi të njëjtën gjë, madje pranoi se sipas udhëzimeve të dhëna nga Sefgjini kishte drejtuar operacionin për marrjen e tij te punishtja e duraluminit pranë “Frigoriferit”, pastaj e kishte shoqëruar deri në Laprakë, ku ia kishte dorëzuar Ilir Kumbaros. Pikërisht këta dy persona, ish-shefat e tij Sefgjini dhe Kumbaro janë fajësuar nga i bashkëpandehuri me ta Koldashi, ndërsa pritet që pas një jave të zhvillohet seanca e radhës së këtij procesi, që ende nuk ka nisur për shkak të njoftimit së të pandehurve. Edhe para gjyqtarit të çështjes dhe atij që i caktoi masën e sigurisë, Koldashi pohoi se ishte i pafajshëm dhe se kishte zbatuar urdhrat e marrë nga ish-shefat e tij për shoqërimin e Hoxhës dhe Kristopullit. Madje, Koldashi u mbrojt edhe me faktin që hetimi për të vitin 2003 ishte ndarë nga të akuzuarit e tjerë për shkak se ekzistonte ky pozicion i tij përballë akuzës. Tashmë, për “torturimin” dhe “rrëmbimin me pasoja të rënda” për Remzi Hoxhën, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, ndodhen në bankën e të akuzuarve te Krimet e Rënda: Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaro ish-drejtor i SHIK në Drejtorinë Qendrore; Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor.

Ilir Kumbaro kërkohet me emër të rremë

TIRANE – Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar në Drejtorinë Qendrore, Ilir Kumbaro po kërkohet nga Prokuroria dhe Interpoli shqiptar me një emër të rremë. Pas dështimit për arrestimin e tij, duke e kërkuar me emrin e vërtetë, agjentët e hetimit kanë marrë tashmë informacione sipas të cilave, Ilir Kumbaro fshihet jashtë Shqipërisë me një identitet të rremë. Dyshimet e Prokurorisë dhe Interpolit janë se që prej vitit 1999 kur besohet se ka ikur nga Shqipëria, Ilir Kumbaro, njëri nga katër ish-shikasit e akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ka qëndruar në Angli. Megjithatë autoritetet e këtij vendi i kthyen përgjigjen: Nuk është gjetur, kërkesës së Prokurorisë dhe Interpolit shqiptar për arrestimin e Ilir Kumbaros. Me këtë emër, Interpol Tirana dhe Prokuroria shqiptare dhanë adresën e saktë të banimit të Kumbaros në Angli, por autoritetet britanike kthyen një përgjigje sipas të cilës “u verifikua subjekti i kërkuar nga ana juaj, por nuk ndodhet”. Në këto kushte, mësohet se urdhër-kërkimi ndërkombëtar për Ilir Kumbaron, është rinovuar tashmë dhe të dhënave mbi identitetin e tij i është shtuar edhe një emër i dytë, i rremë, që dyshohet se përdoret nga ish-zyrtari i Shërbimit Informativ për t’i shpëtuar ndjekjes dhe arrestimit nga policia. Ilir Kumbaro është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2003, kur Prokuroria e Tiranës arrestoi tre të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave, Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas hetimeve janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ. Prokuroria ka arritur të ndalojë dhe tani po i mban në “arrest shtëpie” tre të akuzuarit e tjerë, ndërsa Ilir Kumbaro nuk është ndaluar asnjëherë nga organet e policisë shqiptare për çështjen e Remzi Hoxhës.                   tr. so

Prokuroria, kontroll Budjon Meçes në spital

TIRANE – Një grup oficerësh të policisë së kryeqytetit verifikuan dje në spital gjendjen e Budjon Meçes, ish-agjent i Shërbimit Informativ, i akuzuari i katërt për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Edhe pse gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, Budjon Meçe mbahet në spital. Ai nuk ka qenë i pranishëm në seancën ku gjykata vendosi masën e sigurisë, por ka munguar edhe në seancën e parë të hapjes së procesit gjyqësor për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Me kërkesë të Prokurorisë, oficerët gjyqësorë verifikuan dje gjendjen reale në të cilën ndodhet i akuzuari, duke sekuestruar edhe nga një kopje të dokumenteve mjekësore. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, verifikimi i gjendjes së Budjon Meçes është bërë për shkak të masës së sigurisë dhe gjykimit në mungesë të tij. Hetuesit kanë tentuar ta marrin në pyetje të akuzuarin, por mësohet se gjendja e tij ka qenë e rëndë dhe nuk i ka dhënë mundësi të japë sqarime për oficerët gjyqësorë. Pas një qëndrimi prej me tepër se një orë në dhomën e spitalit, ku po mbahet Budjon Meçe, oficerët gjyqësorë dhe hetuesit kanë dalë prej andej, duke konfirmuar gjendjen e rëndë shëndetësore të personit të akuzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›