Frika nga falimenti në BE, investitorët e huaj transferojnë kapitalet drejt Shqipërisë
Ervin Koçi
Edhe pse mjaft prej ekonomive të vendeve të Bashkimit Europian janë futur në recension, Shqipëria duket se është akoma larg kësaj situate, kjo të paktën për një pjesë të investitorëve të huaj. Kompani të ndryshme italiane, greke, por edhe gjermane dhe angleze, janë shprehur të interesuara për investime të ndryshme në vendin tonë, por jo vetëm. Nuk janë të pakta edhe rastet kur shumë ndërmarrje të huaja, kryesisht italiane, kanë vendosur të transferojnë kapitalet e tyre në Shqipëri duke i zhvendosur ato nga vendet ku i kanë aktualisht. Shkak për këtë është bërë thellimi i krizës ekonomike në vendet e origjinës dhe rënia e fuqisë blerëse nga pakësimi i klientëve. Kësaj, po t’i shtosh edhe detyrimet fiskale për shtetin, standardet e larta që kërkojnë vendet e BE-së, koston e punës dhe lëndët djegëse, për shumë biznese dhe ndërmarrje të vogla dhe të mesme në këto vende do të thotë falimentim. Për pasojë, Shqipëria po shihet nga një pjesë e mirë e kësaj kategorie investitorësh si një “parajsë” për të investuar. Sipas të dhënave të marra në disa prej dhomave të tregtisë së vendeve të huaja mësojmë se, “shumë kompani të sektorit energjetik dhe të fasonit po kërkojnë të zhvendosin kapitalet e tyre në Shqipëri”. Ky moment krize i ka vënë në lëvizje të gjithë për të gjetur vende që kanë kosto të ulët prodhimi, sidomos të fuqisë punëtore.
Përfitimet nga kriza
Edhe pse mund të duket si një ëndërr e bukur, Shqipëria i ka të gjitha shanset që të përfitojë në pjesën e parë të krizës ekonomike botërore, sidomos në disa sektorë të saj të biznesit. Sipas përfaqësuesve të biznesit italian në vendin tonë, “për Shqipërinë ka mjaft interes nga kompani të ndryshme italiane për t’u zhvendosur këtu, sidomos në sektorin energjetik dhe atë të fasonit”. Sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Investitorëve Italianë në Shqipëri, ky moment krize i ka vënë në lëvizje mjaft kompani italiane dhe të huaja në përgjithësi, sepse kërkojnë me çdo kusht që të ulin kostot dhe të bëhen sa më konkurruese në tregjet ndërkombëtare dhe të rajonit. Sipas të njëjtave burime mësohet se shumë kompani dhe investitorë italianë po marrin kontakte sepse Shqipëria ofron kosto të ulët të fuqisë punëtore, por edhe sepse është afër me mjaft vende të Europës Perëndimore, sidomos me Italinë.
Situata në rajon
Shumë kompani perëndimore janë larguar nga zonat e tyre të mëparshme të punës si Bullgaria, Rumania, Polonia, Ukraina dhe Rusia, ku shkak kryesor ka qenë kostoja e lartë e punës dhe pagesa e krahut të kualifikuar të punës. Kompani të mëdha, por edhe shumë të tjera më të vogla që janë larguar tashmë prej këtyre vendeve, janë duke kërkuar hapësira të reja, të afërta gjeografikisht. Pikërisht kjo gjë e bën më joshëse Shqipërinë, ku ka një kosto të ulët të fuqisë punëtore, që, me gjithë shtrenjtimin e dy viteve të fundit, mbetet ndër më të ulëtat në rajon. Paga e punonjësve të fasonit në vend është rreth 10 herë më e ulët se në Itali dhe 2 herë më pak se në Rumani, ku paga minimale arrin në 240 euro në muaj. Aktualisht, paga mesatare e një punonjësi në ndërmarrjet shqiptare luhatet nga 140-150 euro në muaj në një kohë që pjesa më e madhe e tyre punojnë në të zezë. Nisur nga kjo mësohet se ndërmarrje që më parë shkonin në Kinë dhe Rumani për investime, aktualisht po kërkojnë të kuptojnë nëse këto tregje më të afërta, siç është Shqipëria, kanë potenciale dhe kushte për të rialokuar investimet e tyre. Ky cilësohet si një moment i veçantë krize dhe këto ndërmarrje po kërkojnë ta kalojnë pikërisht duke zhvendosur investimet në vende me kosto më të ulët.
11 Janar 2009