PDK-ja dënon përpjekjet për të mbuluar fajtorët e tragjedisë së Gërdecit
Nënkryetari i Partisë Demokristiane, Vladimir Beja, ka dënuar dje përpjekjet e qeverisë për të mbuluar fajtorët e tragjedisë së Gërdecit. Ndërsa ka shprehur keqardhjen për incidentin e ndodhur në Poliçan, dënoi përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit midis tragjedisë së Gërdecit dhe aksidentit në Poliçan. “Duke marrë zemër nga vonesat e pajustifikuara në hetimet e kësaj tragjedie monstruoze, fajtorët e vërtetë të Gërdecit nxituan të përdorin disa media për të "kryqëzuar" ministrin Oketa duke bërë paralelizma të aksidentit nga një gabim njerëzor, nga një pakujdesi njerëzore, me tragjedinë e rëndë që erdhi si rezultat i inkriminimit të strukturave shtetërore me trafiqe dhe veprimtari të tjera kriminale. Askush nuk mund ta mbulojë faktin tronditës se tragjedia e Gërdecit erdhi si rezultat i papërgjegjshmërisë së strukturave më të larta drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjës dhe vendimeve të paligjshme të saj për të mbrojtur interesa të dyshimta e korruptive”, - është shprehur Beja. Më tej, ai ka kërkuar që qeveria të hartojë një program afatgjatë shumëplanësh në lidhje me demontimin e stokut të armatimeve prej 100.000 t, ku krahas Ministrisë së Mbrojtjes, institucioneve që janë të lidhura me të, të përfshihen pa rezerva dhe organizatat e ushtarakeve të liruar dhe nëpunësit e kualifikuar për trajtimin e municioneve.
11 Janar 2009