Zgjedhjet, partitë e vogla zgjedhin shortin për listimin e kandidatëve për deputetë
Shaban Sulçe
Partitë e vogla parlamentare po mendojnë të zgjedhin një formulë mjaft interesante përsa i përket renditjes së emrave të kandidatëve të tyre në listat për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për parti të tilla si Partia Republikane, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane etj, renditja e emrave në listën e kandidatëve duket se do të bëhet vetëm me anë të hedhjes së shortit. Burime nga disa prej partive në fjalë bëjnë të ditur se përzgjedhja e variantit të shortit për të listuar emrat në listën e kandidatëve për deputetë do të bëhet me qëllimin e vetëm për të sheshuar pakënaqësitë dhe konfliktet e mundshme që mund të lindin brenda gjirit të partive.
Shorti
Ndërthurja në Kod e dy formulave të ndryshme për shpërndarjen e mandateve, D’Hont dhe Saint Laguë rrit ndjeshëm shanset e partive të vogla parlamentare aleate të PS-së dhe PD-së për fitimin e mandateve të deputetit në zgjedhjet e ardhshme. Por nga ana tjetër rrit edhe pretendimet e anëtarëve të strukturave drejtuese të këtyre partive për të qenë në vendet e para të listës së kandidatëve për deputetë. Por ndërsa partitë në fjalë mund të kenë zgjidhur vetëm emrat që do të udhëheqin të parët listat e kandidatëve në 12 qarqet ku do të konkurrohet, renditja e mëtejshme e emrave nuk e përjashton krijimin e pakënaqësive dhe xhelozive në radhët e anëtarëve të strukturave drejtuese, të cilët synojnë të kandidojnë për mandatin e deputetit. Për këtë arsye, zgjidhja është parë te hedhja e shortit. Partitë e vogla parlamentare do të aplikojnë hedhjen e shortit për të renditur emrat e kandidatëve për deputetë në listën zyrtare që do t’i depozitohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 45 ditë përpara fillimit të fushatës elektorale. Aplikimi i shortit do të shmangë jo vetëm pakënaqësitë midis emrave që duan të kandidojnë për deputetë, por do të evitojë edhe çdo pasojë të mundshme që mund të arrijë deri edhe në mosangazhim të tyre gjatë fushatës elektorale dhe procesit zgjedhor.
Koalicionet
Shumica e partive të vogla parlamentare kanë deklaruar tashmë koalicionet, përkrah të cilave do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kështu Partia Republikane, PDR dhe Partia Agrare kanë zgjedhur koalicionin e Partisë Demokratike, ndërkohë që Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokracia Sociale i janë bashkuar koalicionit të Partisë Socialiste. PBDNJ dhe PAD ende nuk e kanë përcaktuar koalicionin që do të bashkohen, ndërkohë që LSI-ja do të udhëheqë koalicionin “E Majta për Integrim”, ndërsa PDK do të garojë në koalicion më vete, së bashku me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar. Dy janë arsyet kryesore, të cilat partitë e vogla parlamentare kanë zgjedhur t’u bashkohen koalicioneve të dy partive të mëdha PS e PD. Avantazhi kryesor i tyre për futjen në këto koalicione është i lidhur ngushtësisht me ndërthurjen në Kodin Zgjedhor të dy formulave për shpërndarjen e mandateve, formula D’hondt dhe formula Saint Laguë. Partitë në fjalë avantazhohen nga ky fakt, pasi ato do të kenë mundësi që të përfitojnë mandate deputeti, edhe pse mund të kenë më pak vota se partitë kryesore të koalicioneve të tjera, që garojnë përballë koalicionit të PD-së dhe koalicionit të PS-së. Avantazhi tjetër kryesor lidhet edhe me hapësirat qeverisëse që ato mund të përfitojnë në rast të fitores së koalicioneve në të cilat ato bëjnë pjesë.
11 Janar 2009