Platforma e Maqo Lakrorit: Ja si duhet të bëhet bashkimi i të gjithë socialistëve
Zbardhet projektplatforma për bashkimin e të gjithë socialistëve në një parti të vetme të prezantuar në mbledhjen e nëntorit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste nga anëtari i kësaj Asambleje Maqo Lakrori. Gazeta ”Albania” publikon sot të plotë projektplatformën së bashku me relacionin shoqërues, të hartuar nga Lakrori, projektplatformë që synon bashkimin e PS-së, LSI-së dhe PS 91 në një parti të vetme, duke garantuar fitoren e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky projekt nuk është diskutuar ende nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, megjithatë ai ngelet një variant me vlerë, deri në prag të fillimit të fushatës elelektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, aprovimi i të cilit rrit ndjeshëm shanset e të majtës dhe të socialistëve për arritjen e fitores së padiskutueshme në këto zgjedhje.
PROJEKTPLATFORMË
PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË
Asambleja Kombëtare
FTESË E HAPUR
DREJTUAR TË GJITHË SOCIALISTËVE SHQIPTARË
PËR BASHKIM NË PARTINË SOCIALISTE TË SHQIPËRISË
Asambleja Kombëtare e PSSH, në mbledhjen e dt..........., shqyrtoi arsyet dhe mundësitë e bashkimit të të gjithë socialistëve shqiptarë në një parti të vetme, përmes një procesi të hapur demokratik.
I
Në përcaktimin e arsyeve madhore që diktojnë bashkimin e socialistëve shqiptarë, Asambleja Kombëtare e PSSH, mban parasysh se:
Shqipëria është në prag të anëtarësimit në NATO dhe përgatitet që të kandidojë për anëtarësim në BE. Arritja e standardeve përkatëse edhe më të larta, sipas të cilave funksionojnë shtetet më të zhvilluara të planetit, kërkon më shumë angazhim nga e gjithë shoqëria shqiptare dhe veçanërisht nga formacionet e saj politike. Rrjedhimisht, edhe përgjegjësia e socialistëve shqiptarë për mbarëvajtjen e procesit të integrimit euroatlantik të Shqipërisë do të jetë më e madhe se deri sot.
Zgjidhja e problemeve ekonomike dhe sociale që përjeton shumica e popullsisë shton detyrimin e socialistëve shqiptarë për të korrigjuar efektet negative të qeverisjes së sotme, për të zbutur vështirësitë që do të sjellë edhe në Shqipëri kriza ekonomike globale dhe për të hapur një perspektivë optimiste zhvillimi ekonomik e social, për një jetë më të mirë dhe dinjitet njerëzor të garantuar për çdo shtetas shqiptar, si brenda vendit ashtu dhe në emigracion. Në këto kushte, përgjegjësia e socialistëve shqiptarë për të ardhur në pushtet, si mjeti i domosdoshëm për veprim, është më e madhe se deri sot. Socialistët, që kanë provuar se dinë të qeverisin mirë, mund ta arrijnë këtë nëse fitojnë zgjedhjet 2009.
Kosova është në rrugën e konsolidimit të pavarësisë; shqiptarët në Maqedoni luajnë një rol shumë të rëndësishem në modernizimin e saj, shqiptarët në Malin e Zi janë faktor aktiv në lëvizjen e shtetit të tyre drejt NATO-s e BE-së dhe shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Serbi japin kontributin e tyre në proceset demokratizuese të atij vendi. Ndërkohë janë shtruar për zgjidhje probleme të tjera të trashëguara nga historia (si njohja dhe kthimi i pronave të shqiptarëve në shtete fqinje dhe të tjera). Në këto kushte, edhe përgjegjësia e socialistëve shqiptarë në shërbim të interesave kombëtare do të jetë më e madhe se deri sot.
Asambleja Kombëtare e PSSH-së vlerëson se motivi për bashkim buron nga përgjegjësia e përbashkët e socialistëve shqiptarë para vendit, kombit dhe partnerëve ndërkombëtarë, e shtuar nga zhvillimet në vend, në rajon e më gjerë. Baza parimore që mundëson këtë bashkim është konvergjenca permanente e koncepteve, programeve dhe qëndrimeve të të gjithë socialistëve shqiptarë në këto tre drejtime madhore të mendimit e të veprimit politik, edhe kur kanë qenë në një parti socialiste, edhe sot që janë të shpërndarë në disa parti socialiste.
Asambleja Kombëtare e PSSH-së vëren gjithashtu se eksperienca e derisotme pozitive dhe negative i ka bindur socialistët shqiptarë se të bashkuar në një parti me vizion të qartë veprimi, organizim të fuqishëm dhe demokraci të brendshme të garantuar, do të gjenerojnë fuqinë e domosdoshme politike që kërkon dinamika e interesave madhore të vendit dhe të kombit tonë.
II
Asambleja Kombëtare e PSSH-së, e bindur në dobinë që ka për interesat madhore të vendit dhe të kombit, i fton të gjithë socialistët shqiptarë, anëtarë dhe joanëtarë të PS, LSI dhe PS’91, që të bashkohen në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Për realizimin e këtij bashkimi ajo propozon:
1- Mbledhjen e Kongresit të bashkimit të socialistëve shqiptarë në PSSH, me pjesëmarrjen e delegatëve aktualë të Kongresit të PSSH dhe të Konventës së LSI, si edhe të përfaqësuesve të PS’91.
Ky kongres:
Voton dhe shpall bashkimin e të gjithë socialistëve shqiptarë në PSSH. Paraprakisht shpallet shkrirja e LSI-së dhe PS’91.
2. Miraton ndryshimet e domosdoshme imediate në Statut (plotësimet e tjera bëhen pas zgjedhjeve 2009). Ndryshimet imediate ligjërojnë:
a - Bashkimin e AKS me KD të LSI dhe përfaqësues të PS’91.
b - Zgjedhjen e kryetarit/kryetares së PS-së së bashkuar.
c - Shtrirjen e bashkimit në nivelet vendore të strukturave partiake dhe përshtatjen e strukturave elektorale 2009.
d - Njohjen dhe garantimin eksplicit të së drejtës për organizimin e fraksioneve në forumet përfaqësuese qendrore (mbi bazë platformash të votuara drejtpërdrejt dhe me mbështetje konsistente nga anëtarët e partisë), si garanci strukturore për demokraci të brendshme, respektim të pakicave në parti përmes përfaqësimit të tyre të organizuar dhe kontroll e vetëkorrigjim të qeverisjes socialiste.
e - Konkurrimin e hapur në parti dhe në komunitet për të përcaktuar përfaqësuesit e PSSH-së në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2009.
f - Bashkimin e forumeve rinore dhe të grave.
3. Miraton programin politik dhe elektoral të PSSH-së për zgjedhjet 2009.
(B) - Krijimin e Komisionit të Përbashkët organizator të Kongresit të bashkimit. Ky komision:
Përpunon elementet teknikë të procesit të bashkimit
Përgatit projekttekstet e dokumenteve të Kongresit
Harton dhe shpall programin e hollësishëm të veprimeve deri në Kongres.
III
Asambleja Kombëtare e PSSH-së fton për bashkëpunim të menjëhershëm të gjitha institucionet drejtuese dhe anëtarësinë e PS, LSI dhe PS’91. Ajo beson se socialistët dhe mbështetësit e tyre, kudo që të jenë aktualisht, do të punojnë për mbarëvajtjen e procesit, duke nxitur drejtuesit përkatës qendrorë e vendorë, që t’i hapin udhë realizimit institucional të bashkimit. Asambleja fton gjithashtu opinionin publik që të ndikojë pozitisht në këtë proces, nga i cili do të kenë dobi edhe pluralizmi ende i ri shqiptar dhe vetë konkurrentët tanë politikë. Ajo është e bindur se procesi i bashkimit do të mbështetet fuqimisht edhe nga partnerët politikë të socialistëve shqiptarë – PSE dhe IS.
Asambleja Kombëtare e PSSH-së shpreh bindjen se ky proces do t’u rikthejë shpresën dhe besimin socialistëve dhe elektoratit të majtë. Me shpresë dhe besim të përtërirë e të shumëfishuar, Partia Socialiste e Shqipërisë do të mund t’i fitojë zgjedhjet 2009 dhe do të sigurojë vazhdimin e misionit historik dhe vizionar që socialistët shqiptarë kanë ndërmarrë që nga qershori i vitit 1991.
Mbledhur në......më dt............2009
RELACION SHOQËRUES I PROJEKTPLATFORMËS PËR BASHKIM
Hyrje
Projektplatforma shtjellon propozimin e paraqitur në Asamblenë Socialiste, më 22 nëntor 2008 në Elbasan, për bashkimin e socialistëve shqiptarë në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Projekti synon integrimin e potencialit politik dhe organizativ të të gjithë socialistëve në një parti të bashkuar, me demokraci të brendshme të garantuar, të aftë që të fitojë zgjedhjet parlamentare 2009 dhe t’u shërbejë maksimalisht interesave madhore të vendit dhe të kombit.
A - Motivi i bashkimit
Motivi për bashkim buron nga përgjegjësia e përbashkët e socialistëve shqiptarë para vendit, kombit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Bashkimi nuk është çështje romantizmi politik, por domosdoshmëri e diktuar nga nevojat për progres dhe nga rendimenti më i lartë që sjell forca e bashkuar (bashkimi bën fuqinë).
Sot socialistët shqiptarë janë të shpërndarë në PS, LSI dhe PS’91; të tjerë, nuk bëjnë më pjesë në këto parti, ndonëse mbeten po aq socialistë në bindjet dhe interesat e tyre. Ndërkohë, realiteti ekonomik shton çdo ditë njerëz që kanë dëshirë të angazhohen me socialistët, por i frenon dilema: me cilët socialistë? Bashkimi në një parti do t’i jepte zgjidhje të natyrshme edhe kësaj dileme.
B - Arsyet e ndarjes
Socialistët shqiptarë janë misionarë të së njëjtës aspiratë të përbashkët për progres dhe nga kjo pikëpamje nuk janë të përçarë; megjithatë, sot janë të shpërndarë në disa parti dhe jashtë tyre. Kjo gjendje ka ardhur nga përplasjet e krerëve për pushtet personal, nga pasurimi abuziv i disave me pushtetin e ushtruar në emër të socialistëve dhe nga çdo e keqe tjetër që pjell egoizmi ekstrem. Me kalimin e kohës, fyerjet reciproke kanë ushtruar gërryerjen përkatëse dhe ndërkaq pas interesave të shpallura janë shtresëzuar interesa të tjera, që nuk përfaqësojnë socialistët, por që duan ta shfrytëzojnë potencialin e tyre (minimalisht derisa të bëhen edhe zgjedhjet 2009).
C – Proces institucional dhe i hapur
Projekti propozon një proces institucional bashkimi, që përcaktohet nga interesat madhore të bashkësisë dhe që realizohet jo si marrëveshje drejtuesish (ndonëse edhe këto janë të mirëpritura) por si detyrim për drejtuesit. Procesi paramendohet i hapur për opinionin publik. Përveç dobisë që ka për socialistët, kjo transparencë është edhe detyrim, sepse kur veprohet në emër të socialistëve në pushtet apo në opozitë, pasojat bien mbi popullin.
D - Bashkimi është i mundshëm
Baza parimore që mundëson bashkimin është konvergjenca permanente e koncepteve, programeve dhe qëndrimeve të socialistëve në të gjitha drejtimet madhore të mendimit e të veprimit politik (integrimi euroatlantik, zhvillimi ekonomik i vendit dhe interesat kombëtare), si kur kanë qenë bashkë në një parti socialiste, ashtu edhe sot që janë të shpërndarë në disa parti socialiste. Numerikisht, PSSH është forca më e madhe, LSI vjen më pas dhe PS’91 ka përmasa më modeste; por çështja shtrohet në parim - bashkimi i të gjithëve.
Puna e kryer deri tani për strukturimin e formacioneve zgjedhore nuk shkon kot; anëtarë të rinj do të vijnë në parti, strukturat elektorale do të fuqizohen e ridimensionohen dhe, mbi të gjitha, sinergjia e bashkimit do të gjenerojë një motivim shumë të lartë. Edhe koha është e mjaftueshme; socialistët shqiptarë gjatë historisë së tyre të pasur me suksese e dështime kanë mbledhur shumë eksperiencë organizative dhe e kanë potencialin e duhur njerëzor, aq më tepër nëse veprojnë të bashkuar, që të arrijnë rezultate të larta brenda një kohe të shkurtër.
E- Procesi i realizimit
Procesi i propozuar ka në qendër Kongresin, si institucioni më i lartë përfaqësues. Ky autoritet kolegjial, i përbërë nga delegatët aktualë të Kongresit të PSSH-së dhe të Konventës së LSI-së, si edhe nga përfaqësues të PS’91, mblidhet njëherësh në të njëjtin mjedis dhe voton e shpall bashkimin. Gjithashtu, Kongresi miraton programin elektoral 2009 të partisë së bashkuar dhe bën ndryshimet e domosdoshme imediate në Statut (duke i lënë plotësimet e tjera të Statutit, për periudhën pas-elektorale 2009). Këto ndryshime imediate duhen që të ligjërojnë:
1 - Bashkimin e strukturave partiake qendrore e vendore, duke përfshirë edhe forumet rinore e të grave.
2 - Zgjidhjen e çështjes së kryetarit/kryetares së PS-së së bashkuar. Projekti parashikon votimin e fshehtë me disa kandidatura, duke përfshirë kryetarët aktualë. Në frymën e bashkimit dhe nga pikëpamja e kursimit të kohës dhe të energjive, duket më e udhës që ky votim të kryhet në Kongres; megjithatë, eventualisht Kongresi mund të vendosë që kjo zgjedhje të bëhet me votim ”1 Anëtar-1 Votë” nga anëtarësia e partisë së bashkuar. Në çdo rast, votimi i fshehtë, që rikonfirmon njerin ose konfirmon një tjetër, vlen edhe si votëbesim. Nga kjo pikëpamje vlen shumë më tepër tani, sepse fuqizon ose korrigjon tani, sesa ditën e zgjedhjeve parlamentare dhe më pas. Delegatët e ardhur nga të gjitha formacionet e kanë të qartë se rezulati i zgjedhjeve 2009 në jetën e një populli të tërë peshon pa asnjë dyshim shumë herë më tepër se sa karriera politike e çdo lloj individi drejtues. Pra, ashtu si bashkimi, edhe zgjedhja (rizgjedhja) e kryetarit/kryetares është jo marrëveshje e drejtuesve, por detyruese për drejtuesit, që të plotësojnë vullnetin e kongresit të delegatëve të bashkuar.
3 - Njohjen dhe garantimin eksplicit të së drejtës për organizimin e fraksioneve në forumet përfaqësuese qendrore (mbi bazë platformash të votuara drejtpërdrejt dhe me mbështetje konsistente nga anëtarët e partisë), si garanci strukturore për demokraci të brendshme, respektim të pakicave në parti përmes përfaqësimit të organizuar dhe kontroll e vetëkorrigjim të qeverisjes. Kjo e drejtë do të shërbejë edhe si mbrojtje strukturore nga çdo përpjekje për pushtet personal, nga cilido që të vijë dhe në çdo kohë që të vijë. Ky bashkim, ndër të tjera, bëhet duke respektuar dhe për të respektuar demokracinë e brendshme (vetëm një parti me demokraci të brendshme të zhvilluar mund të punojë për demokracinë në vend). Mundësimi strukturor i vetëkorrigjimit do të shërbejë që socialistët të kenë një parti më dinamike, më të besueshme për shtresa të ndryshme të shoqërisë, të votueshme mjaftueshëm për ardhjen në pushtet dhe të aftë për mirëpërdorim të pushtetit.
4 - Konkurrimin e hapur në parti dhe në komunitet të përfaqësuesve të PSSH-së në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2009. Ky proces do të prodhojë më shumë cilësi dhe motivim, e për këto arsye do të shtojë mundësitë për fitoren e socialistëve në zgjedhjet 2009. Konkurrimi dhe bashkëpunimi Obama-Klinton është një referencë e pasur edhe për këtë.
Krijimi i Komisionit të Përbashkët organizator të Kongresit të bashkimit do të ishte një hap konkret përgatitor për anët teknike të procesit, përgatitjen e projektteksteve që do të miratojë Kongresi dhe programin e veprimeve deri në Kongres.
F– Përfundim
Bashkimi i socialistëve shqiptarë do të shërbejë për interesa madhorë. Prandaj propozimi kërkon shqyrtim dhe votim (miratues ose kundërshtues) nga Asambleja Kombëtare Socialiste, që është forumi më i lartë kolegjial ndërmjet dy Kongreseve të PSSH-së. Për një çështje të tillë nuk mund të vendosë askush individualisht, cilido qoftë pozicioni përkatës partiak.
Para provës së bashkimit nuk janë socialistët e thjeshtë, as strukturat vendore, as shumë drejtues të strukturave qendrore, por vetëm ata individë, të cilët, pavarësisht se në cilën parti bëjnë pjesë aktualisht, e shohin bashkimin në një parti si rrezik për projektet e tyre personale politike dhe për interesa të tjera që eventualisht qëndrojnë pas tyre. Megjithatë, këta janë fare pak krahasuar me shumicën që kërkon bashkim. Para provës janë ndër të tjera edhe ftesat që i bëhen popullit për bashkim, në emër të partive të ndryshme socialiste; ftesat dhe anagazhimet e tjera të socialistëve të bashkuar do të jenë më të besueshme.
Shpreh besimin se Asambleja Kombëtare e PSSH-së do ta votojë nismën për bashkim.
Maqo Lakrori
Tiranë, 24 dhjetor 2008
11 Janar 2009