Meta: “Në mars do të shpallim emrat e kandidatëve për deputetë të LSI-së”
Kreu i LSI-së: Kandidatët do të zgjidhen sipas parimit “një anëtar-një votë” nga anëtarësia e LSI-së
Meta: “Po në muajin mars do të zyrtarizojmë përbërjen e koalicionit”
Shaban Sulçe
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se në muajin mars të këtij viti do të shpallen të gjithë kandidatët e LSI-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Metës, të gjithë kandidatët do të zgjidhen nga anëtarësia e LSI-së, sipas parimit “një anëtar-një votë”. “Njëkohësisht, duke nisur që nga kjo mbledhje deri në mars ne duhet të tërheqim mendimin e çdo anëtari të LSI-së për kandidatët për deputetë, sipas zonave, rretheve dhe qarqeve, me procedura transparente, sipas parimit “një anëtar-një votë”, - tha Meta gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo mbledhje zhvillohej në kuadrin e planifikimit të përgatitjeve elektorale të LSI-së. Meta theksoi se pas kësaj mbledhjeje, LSI-ja ka nisur zyrtarisht “ndezjen e motorrve” për fushatën elektorale. Kreu i LSI-së tha se kryesia qendrore e LSI-së tashmë është kthyer në shtabin qendror të fushatës. Ai shtoi se edhe kryesitë e LSI-së në çdo rreth dhe njësi vendore do të kthehen në shtabet vendore të fushatës elektorale. Kreu i LSI-së theksoi gjithashtu se muaji mars do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për përcaktimin e emrave për kandidatë për deputetë, por edhe për lançimin e ideve kryesore të programit elektoral dhe qeverisës të LSI-së.
Koalicioni
Kreu i LSI-së theksoi gjithashtu se në muajin mars do të zyrtarizohet edhe koalicioni, që do të udhëheqë LSI-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke folur për programin e LSI-së, Meta tha se ky program synon rritjen e mirëqenies për çdo qytetar shqiptar, duke luftuar varfërinë, korrupsionin dhe monopolet. “Po kështu, ne sot kërkojmë si Kryesi nga ju si Komitet Drejtues Kombëtar mandatin për të ndërtuar dhe formalizuar koalicionin fitues të zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që brenda muajit mars të formalizohet gjithçka që ka të bëjë me koalicionin, por edhe me programin, i cili do të jetë i përbashkët. Thelbi i programit tonë është rritja e mirëqenies për çdo qytetar shqiptar, e cila nis në radhë të parë nga lufta me program konkret kundër varfërisë dhe kundër monopoleve, që janë një nga arsyet themelore të rritjes së kësaj varfërie dhe polarizimit të frikshëm social në vend. Dhe, në këtë drejtim, në programin tonë në luftën kundër varfërisë, e cila prek në mënyrë tepër të rëndë dhe stresante gati 1/3 e shqiptarëve sot, pra në themel të këtij programi të luftës kundër varfërisë, do të jenë bonusi jetik dhe punësimi jetik”, - tha Meta, i cili shprehu bindjen dhe optimizmin për fitoren e LSI-së dhe koalicionit të saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Mbledhja e KDK-së
Mbledhja e djeshme e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së zhvillohej në funksion të platformës së organizimit dhe shpalosjes së pikave kryesore të programit elektoral dhe qeverisës së LSI-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë mbledhje u theksua se që sot dhe në vazhdim Kryesia e LSI-së do të kthehet në Shtab Qendror Elektoral, ndërsa kryesitë e LSI-së në rrethe do të kthehen në shtabe vendore elektorale. Gjatë takimit, anëtarë të ndryshëm të KDK-së që diskutuan, theksuan frymën pozitive që është krijuar në mbështetje të LSI-së kudo në Shqipëri dhe nevojën për t’iu përgjigjur qoftë nga ana organizative, por edhe domosdoshmërinë e paraqitjes së një programi që do ta nxjerrë Shqipërinë nga varfëria e tejskajshme e krijuar nga monopolet dhe platformën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Komiteti Drejtues Kombëtar kooptoi disa anëtarë të rinj të tij, si dhe miratoi disa anëtarë të rinj në Kryesinë e LSI-së. Njëkohësisht, për t’i dhënë një impuls të ri anës organizative në kushtet e fushatës elektorale, Komiteti Drejtues Kombëtar vendosi që kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, të emërohet njëkohësisht nënkryetare e LSI-së, sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha, të emërohet njëkohësisht zëvendëssekretar i Përgjithshëm i LSI-së, anëtarja e Kryesisë së LSI-së, Luzhiana Abazi, të emërohet njëkohësisht zëvendëssekretare e Përgjithshme e LSI-së, si dhe Nora Malaj të emërohet sekretare e Shanseve të Barabarta.
11 Janar 2009