E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyten tre lagje në Shkodër, Majko: Të vendoset gjendja e jashtëzakonshme

 SHKODER/ RITVAN DIBRAUji vërshon në lagjet hyrëse të Shkodrës si dhe në rrugën që lidh qytetin me Shirokën e Zogajn. Situata duket se po vështirësohet në këto zona ku niveli i ujit është rritur në mbi 40 cm. Për pasojë, qarkullimi i mjeteve të vogla nga Shkodra në drejtim të Shirokës dhe anasjellas është krejtësisht i bllokuar. Situata duket më problematike sidomos tek ura e Bunës ku uji ka vërshuar në rrugë në mbi 30 cm lartësi. Lumi gjithnjë e më shumë po i afrohet rrugës kryesore të qytetit, duke përhapur panik te mijëra banorë, shtëpitë e të cilëve rrezikojnë të përmbyten me të njëjtin intensitet si ato në Dajç apo në Obot. Në mjaft zona duhen vetëm pak metra që uji të mbërrijë e të dalë në rrugën kryesore të qytetit. Uji në lumin Buna dje i kaloi këmbët e urës dhe gjatë orëve të darkës rrezikonte ta mbulonte krejtësisht atë, pasi i ndante vetëm rreth 40 centimetra. Ndërkohë që uji sa vjen e shtohet nga liqeni, në zonat e banuara në hyrje të Shkodrës lëvizej vetëm me varka të shërbimeve Rangers. Këto mjete, të cilët u vunë në funksion për të ruajtur liqenin e Shkodrës, në bazë të një marrëveshjeje me malazezët, tani kanë tjetër qëllim. Ato janë vënë në dispozicion të banorëve gjatë 24 orëve, për të qarkulluar nga njëra lagje në tjetrën ose për të mbërritur në qytetin e Shkodrës. Shirat e rënë dhe ngritja e nivelit të ujit të lumit Buna kanë bërë që ujërat e bardha të kolektorit kryesor të dalin në sipërfaqe në rrugën hyrëse të qytetit. Evidente kjo situatë është në pjesën fundore të lagjes “Xhabije”, në hyrje të qytetit, ku uji arrin në 20 cm. Duhet pritur ulja e nivelit të lumit Buna që ujërat e kolektorit të derdhen në liqen. Paraditen e djeshme, pas rënies së nivelit të ujit në zonat e Nënshkodrës, për herë të parë, pas katër ditësh izolimi është bërë i mundur kalimi me rrugë tokësore për në komunën e Dajçit dhe të Velipojës. Disa kamionë transporti të ushtrisë arritën të hyjnë në këto dy komuna dhe të dërgojnë ndihma mjekësore, ushqime, si dhe bazë ushqimore për gjënë e gjallë që gjendet në këto komuna. Deri dje, në këto zona, ku niveli i ujit ka kaluar 1 metër, mund të depërtohej vetëm me varka. Rënia disi e tij ka bërë që kamionët e ushtrisë të gjenin hapësira për të depërtuar në thellësi të zonave të përmbytura plotësisht prej 2 janarit. Gjatë ditës së djeshme, njëkohësisht janë dërguar edhe mijëra thasë me rërë me qëllim përforcimin e argjinaturave të lumit Buna në Velipojë, ças dhe Dajç. Majko: Gjendje e jashtëzakonshmeAristir LumeziAnëtari i kryesisë së PS, Pandeli Majko kërkoi dje nga Shkodra vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kreu socialist Edi Rama dhe deputetë të tjerë inspektuan zonat e përmbytura të Shkodrës ku kërkuan veprimin e shpejtë të qeverisë për t’u ardhur në ndihmë sa më shpejt banorëve të dëmtuar. Majko dhe Rama kanë dhënë dhe një konferencë për mediat në zyrën e shtabit të emergjencës së PS-së në Shkodër. Majko ishte i ashpër në deklarimet e tij, ku i kërkoi Presidentit të Republikës të luajë rolin e tij si dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. “Situata në rrugë ligjore nuk ka nevojë për deklarime komisarësh. Vlerësimi në këndvështrimin tonë kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë dhe hapjen e diskutimit për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ka një varg problemesh që po shfaqen në terren që ka të bëjë më ndihmën e parë që i duhet dhënë popullsisë së përmbytur deri tek verifikimi i dëmeve në ushqim, në të mbjella e sidomos në bagëti”, tha Majko. Gjithashtu deputeti socialist adresoi akuza ndaj kreut të shtetit që të mbajë peshën që i takon institucionit që ai drejton. “Nisur nga qëndrimet e ndryshme, përfshi edhe Presidentin e Republikës, të cilët duan t’i japin një pamje rozë kësaj që po ndodh në shumë aspekte. Dëshiroj të them se aktualisht situata në Qarkun e Shkodrës nuk ka nevojë për deklarime “komisarësh”, por ka nevojë për një reagim në nivelin e situatës në të cilën ndodhet pjesa më e madhe e një Qarku të rëndësishëm siç është Shkodra. Mendoj që duhet mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit. Mendoj se kriza tanimë ka shtresëzuar dhe menaxhimi i saj duhet të fillojë  jo vetëm me hapin e parë, atë të emergjencës. Tani strukturat e menaxhimit të krizës duhet të identifikojnë gjithçka dhe të ngrihet një strukturë e qartë ligjore që jo vetëm të merret me identifikim, apo përcjellje të njerëzve me ndihma të ushtrisë, por në mënyrë të veçantë që të mos kemi një tendencë në vazhdim të nervozizmit të njerëzve, të cilët sipas komunikimeve tona nuk është se po vjen në ulje”, u shpreh deputeti socialist. Sipas nenit 171 të kushtetutës, gjendja e jashtëzakonshme miratohet në Kuvend me shumicë të thjeshtë votash, ndërkohë që opozita e ka bojkotuar atë që prej pesë muajsh. Ndërsa kryetari socialist i’u përgjigj dje nga Shkodra akuzave të maxhorancës për rolin e opozitës në këtë katastrofë duke thënë se PS nuk po ngre struktura paralele, por është duke bërë detyrën si një parti solidare me të gjithë njerëzit. “Në çdo vend të emancipuar, çdo popull i emancipuar vepron në këto raste duke ngritur struktura vullnetare në të gjitha pikat e mundshme. Struktura këto, me bazë partiake, me bazë komunitare, me bazë sociale, me bazë individuale. Këto nuk quhen struktura paralele, por struktura solidariteti”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›