E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullohet procesi gjyqësor ndaj Albin Kurtit, mungon avokati mbrojtës

Gjykata e qarkut në Prishtinë ka vendosur dje që Albin Kurti, udhëheqës i lëvizjes “Vetëvendosje”, të jetë i lirë derisa të krijohen kushtet për një gjykim të rregullt ndaj tij. Procesi gjyqësor ndaj tij në Gjykatën e Prishtinës u pezullua për arsye se nuk kishte një avokat mbrojtës. Avokatët, të cilët janë caktuar nga gjykata, kanë refuzuar të jenë përfaqësues të Albin Kurtit në këtë proces gjyqësor. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Mauricio Salustro, avokatja Fetie Uka-Islami, e cila është caktuar ta mbrojë liderin e lëvizjes “Vetëvendosje”, ka refuzuar ta përfaqësojë atë për arsye objektive, por për këtë ajo është gjobitur. Ndërkohë, gjykata ka caktuar menjëherë avokatin mbrojtës, kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Ramë Gashin. Por, edhe ai ka refuzuar ta pranojë pozitën e mbrojtësit, i cili gjithashtu është gjobitur nga gjykata. Kështu, gjyqtari Salustro pezulloi procesin gjyqësor, duke e lënë Albin Kurtin të lirë.
Para dy ditësh, lëvizja “Vetëvendosje”, të cilën Kurti e drejton, ka organizuar aksionin kundër misionit të ardhshëm të BE-së, i cili do të quhet EULEX. Aksioni është zhvilluar nga aktivistët e lëvizjes në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës. Sipas një komunikate të lëvizjes, gjatë zhvillimit të aksionit në qytetet Besianë dhe Prizren policia ka arrestuar dhunshëm aktivistët e saj. Lëvizja “Vetëvendosje” e konsideron “misionin e ardhshëm të BE-së një UNMIK tjetër, fuqia politike e të cilit do të jetë cungim i drejtpërdrejtë i lirisë së popullit”.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›