Ish-ambasadori: Si e solla nga Argjentina planin e CIA-s për Mehmet Shehun
AFRIM IMAJ
“Mehmet Shehu do të eliminonte Enver Hoxhën dhe do ta kalonte Shqipërinë nga Perëndimi! Në fillim mu duk e pabesueshme, por saktësia me të cilën ishte hedhur në dokumentin zyrtar me logon e CIA-s, nuk të linte të dyshoje. Isha i pari nga zyrtarët shqiptarë, që njihesha me një informacion të tillë...”I rikthyer në çastet kur mori në dorë letrën “top sekret” me planin e fshehtë për përmbysjen politike në Shqipëri, ish-diplomati Piro Andoni tregon me imtësi rrethanat në të cilat u njoh me përmbajtjen e dokumentit misterioz që CIA amerikane ia adresonte ambasadorit të SHBA-së në Buenos Aires. “E hapa me një frymë, sqaron ish-diplomati. Ishin gjithsej tre faqe të shkruara në spanjisht. Fund e krye bëhej fjalë për lidhjet e Mehmet Shehut me CIA-n. Përshkruhej komploti për likuidimin e Enver Hoxhës dhe premtimi i Mehmetit për të ndryshuar kursin politik të Shqipërisë, duke i dhënë një drejtim të ngjashëm me atë të Jugosllavisë së Titos. Plani arrinte deri te mënyrat e asgjësimit të Enverit, ku parashikohej helmimi me veprim të vonuar, atentati me armë ose aksident automobilistik...”
Në pjesën e parë të intervistës Andoni tregoi si u njoh me lajmin për ekzistencën e dokumentit sekret të CIA-s për Shqipërinë dhe mënyrën e fshehtë si raportoi te ministri Reiz Malile, çfarë porosie mori nga Tirana dhe si operoi me mikun argjentinas Farrani për të rrëmbyer një kopje të letrës “top sekret”. Në vijim të rrëfimit për gazetën “Panorama”, ish-diplomati risjell me detaje momentet e operacionit për rrëmbimin e shkresës misterioze në arkivin e ambasadës së SHBA-s në Buenos Aires dhe mënyrën konspirative si e solli atë në Tiranë....
Zoti Andoni, ju thatë se menjëherë sa zbuluat ekzistencën e dokumentit të CIA-s të destinuar për përmbysjet në Shqipëri, i raportuat Reiz Maliles. Cili ishte reagimi i Tiranës zyrtare dhe çfarë ju këshilluan për veprimet e mëtejshme?
Unë kontaktoja vetëm me ministrin e Jashtëm, madje i gjithë komunikimi bëhej me gjuhë të koduar. Se çfarë operonte zoti Malile me eprorët e tij dhe si mund të reagonin ata, nuk kisha si ta mësoja në Argjentinë. Sidoqoftë pas çdo porosie të tij, shikoja një impenjim në rritje, gjë që do të thoshte se ministri e kishte kapërcyer tashmë problemin nga vetvetja dhe bisedonte për të me krerët e lartë të politikës...
Cila ishte porosia e Maliles kur e njohët me faktin se në ambasadën e SHBA-së në Argjentinë është një dokument sekret i destinuar për vendin tonë?
Ministri Malile me qetësi dhe takt më këshilloi për të bërë kujdes për mos të rënë në grackën e ndonjë provokimi të tipit agjenturor. Përmbledhtazi më porositi të bindesha vetë së pari për të vërtetën rreth këtij sinjalizimi. Më tha të ulesha shtruar me njeriun që më kishte sjellë lajmin e papritur dhe të kërkoja shpjegime konkrete për aq sa flitej rreth përmbajtjes së dokumentit. Më tej, sipas tij duhej ta ndiqja me shumë kujdes mënyrën si do të vepronte miku që na kishte futur në këtë valle...
Kjo si të thuash ishte një farë leje që ju dha ministri për ta vazhduar punën më tej...
Ishte në tërë kuptimin e fjalës një miratim zyrtar. Që këtej më takonte mua ta çoja çështjen deri në fund. Tanimë nuk kisha të bëja me një detyrë që i përkiste shërbimit diplomatik, por për një mision të fshehtë të një natyre krejt tjetër...
Nga e nisët operacionin për të siguruar dokumentin sekret?
Kontaktova menjëherë Farranin dhe i thashë se duhej të njiheshim me përmbajtjen e plotë të dokumentit. Ai më premtoi për të bërë të pamundurën dhe shprehu bindjen se shumë shpejt me anën e mikut të tij në ambasadën e SHBA-së do të siguronte madje edhe shkresën e CIA-s ku flitej për përmbysjet në Shqipëri. Ky ishte si të thuash hapi i parë i operacionit, që nisi në kushte tërësisht konspirative. Për ditë me radhë Farrani vazhdonte në shoqërinë e punonjësit të ambasadës amerikane dhe si spontanisht mundohej të mësonte rreth detajeve të dokumentit misterioz. Pak nga pak më në fund u zbulua e gjithë përmbajtja e tij. Farrani më mbante në korrent për gjithçka të re që mësonte nga miku i tij.
Kur zbuluam konturet e plota të planit të CIA-s dhe të Mehmet Shehut për komplotin në vendin tonë, duhej të shkonim më tej për të shtënë në dorë kopjen e dokumentit. Kjo me sa dukej ishte dhe pjesa më e vështirë e misionit...
Çfarë sinjali ju erdhi nga Tirana kur e informuat për përmbajtjen e dokumentit që ruhej në arkivin e Ambasadës amerikane në Argjentinë?
Këtë radhë nga Tirana nuk vinin porosi si në rastin e parë, por urdhra të formës së prerë: “Duhet siguruar me çdo kusht një kopje e dokumentit sekret dhe sa më parë duhet transportuar për në Shqipëri!” Këtu fillonte në tërë kuptimin e fjalës një sfidë e jashtëzakonshme, pasi nuk ishte e lehtë t’i rrëmbeje CIA-s nga arkivi sekret një shkresë zyrtare. Farrani mbetej edhe në këtë rast njeriu, që mund dhe duhej ta çonte detyrën deri në fund. Nga ky moment shpeshtova kontaktet me të dhe fillova ta instruktoj me hollësi për hapat e kujdesshëm që duhej të hidhnim drejt atij dokumenti misterioz...
Arritët më në fund me Farranin të futeshit në arkivin e super ruajtur të CIA-s në Buones Aires...
Pas shumë peripecish e stërmundimesh Farrani me mikun e tij amerikan mundën ta zhburgosin dokumentin e çuditshëm. Ishte mrekullia vet kur Farrani më tha se ia kishte dalë. Ma solli direkt në ambasadë. E hapa dokumentin me një frymë. Ishin gjithsej tre faqe të shkruara në spanjisht. Fund e krye bëhej fjalë për lidhjet e Mehmet Shehut me CIA-n. Përshkruhej komploti për likuidimin e Enver Hoxhës dhe premtimi i Mehmetit për të ndryshuar kursin politik të Shqipërisë, duke i dhënë një drejtim të ngjashëm me atë të Jugosllavisë së Titos. Plani arrinte deri te mënyrat e asgjësimit të Enverit, ku parashikohej helmimi me veprim të vonuar, atentati me armë ose aksident automobilistik. Madje në të parashikohej edhe reagimi pas një dështimi të mundshëm të kësaj ofensive agjenturore. Protagonisti kryesor, Mehmet Shehu do të merrej menjëherë në mbrojtje nga autoritetet e larta të SHBA-së dhe për gjithë kontributin e demonstruar, ai do të shpërblehej me tre milionë dollarë...
Kjo është letra që është botuar para disa kohësh në shtypin e përditshëm, apo jo...
Pikërisht ajo. E kam sjellë me dorën time dhe deri në fillimet e viteve ‘90 isha i informuar se ishte e arkivuar në fondin e rëndësisë së veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. E kam përkthyer me një frymë nga origjinali që ma solli Farrani, bile e kam shkruar vetë në makinën e shkrimit në dhomën time të punës pa dijeninë e askujt nga personeli i ambasadës.
Në letër në fakt nuk citohet emri i Mehmet Shehut, ndërkohë që ju në librin “Atje larg në fund të botës” pohoni se i gjithë operacioni i CIA-s mbështetej në bashkëpunimin me Mehmet Shehun...
Dokumenti në vetvete përmbante një plan të CIA-s për operacione sekrete, me qëllim tjetërsimin e sistemit komunist në Shqipëri. Bëhej fjalë për orientimin e vendit tonë në sistemin politik të perëndimit. Bashkë me tre fazat që ishin menduar për t’u implementuar, bëhej fjalë për një udhëheqës të lartë të shtetit komunist, i cili ishte parashikuar në qendër të gjithë këtij organizimi. E vërteta është se në dokument nuk flitet me emër për Mehmet Shehun, por përmenden tiparet dhe pseudonimet e tij, çfarë nuk ishte e vështirë për ta identifikuar, ca më tepër që kishin kaluar pesë vjet nga kryqëzimi i ish-kryeministrit si shërbëtor i shumë agjenturave të huaja. Deri në atë kohë sulmi ndaj Mehmet Shehut si poliagjent kryesisht bëhej me deduksionet ideologjike të Enver Hoxhës, çfarë me të drejtë kishte krijuar dhe dyshime të shumta te zyrtarë vendas, por edhe miq të partive komuniste të vendeve të tjera. Në rastin e dokumentit të zbuluar në Argjentinë, udhëheqja e lartë mendonte se kishte siguruar një argument shumë të fortë për të bindur opinionin e gjerë rreth versionit të akuzës ndaj Mehmet Shehut...
Në libër e kaloni shkarazi operacionin e fshehtë nëpërmjet të cilit sollët në Tiranë letrën “top sekret” me logon e CIA-s. Çfarë kujtoni nga momentet kur lëviznit me këtë dokument të rrezikshëm nga Buones Aires në Shqipëri?
Një udhëtim shumë i vështirë e plotë tension që zgjati gjithsej 13 orë. Urdhrin e kisha ta sillja vetë në Tiranë dhe u nisa menjëherë. Dokumentin e mbështjellë me disa materiale të tjera e futa në valixhen diplomatike dhe e sigurova për transportim me procedurat e postës diplomatike. Për fat të mirë gjërat rrodhën pa probleme dhe në orën e caktuar mbërrita në Rinas. Aty më priste një eskortë e veçantë në shoqërinë e së cilës shkova menjëherë në zyrën e ministrit Reiz Malile. Ai më priti me padurim dhe sa u takuam filloi direkt e në temë. Hapa valixhen dhe nxora dokumentin që më kishte sjellë me urgjencë në Tiranë. Ende pa nisur të flisnim për përmbajtjen e tij, ministri më befasoi me reagimin shpotitës për mënyrën si e kisha shtënë në dorë letrën “Top Sekret” nga zyrat e kryeagjenturës botërore. Sidoqoftë, unë u përqendrova dhe aty për aty i shpjegova të gjitha rrethanat në të cilat isha njohur me këtë dokument dhe si kisha operuar për ta rrëmbyer nga kasafortat e CIA-s...
Për çfarë u interesua tjetër ministri i Jashtëm kur i dorëzuat dokumentin e CIA-s?
Ai sa përfundoi së lexuari letrën “Top sekret” mori nga sirtari i tavolinës një tufë me letra dhe m’i zgjati duke më thënë se duhej të shkruaja me detaje gjithçka kishte ndodhur gjatë operacionit për sigurimin e atij dokumenti të rezervuar dhe shumë të rëndësishëm. Mu desh të riprodhoja me hollësi çdo detaj nga përpjekjet e gjithë atyre ditëve ku bashkë me mikun tim Farrani bëmë të pamundurën për t’u futur në kasafortat e arkivit të ambasadës së SHBA-së. Si ia dorëzova dhe këtë ministrit, dolëm të dy nga zyra. Unë për t’u rikthyer disa çaste te shtëpia në Tiranë dhe ai drejt selisë së Komitetit Qendror. Më në fund isha qetësuar nga gjithë ai makth. Megjithatë prisja se si do të shkonte filli i zhvillimeve të mëtejshme me letrën misterioze....
Në gjithë këtë histori misterioze të tërheq vëmendjen fakti që një dokument me një plan strategjik të CIA-s për Shqipërinë gjendej në një nga ambasadat e SHBA-së shumë larg saj, në Argjentinë...
Jo rastësisht operacioni strategjik i CIA-s për përmbysjet politike në vendin tonë gjendej në Ambasadën e Amerikës në Argjentinë. Ky institucion, pra ambasada e SHBA-së në Buenos Aires, ishte pjesë e skenarit të operacionit të fshehtë që ishte planifikuar me detaje. Sipas fazave të tij, ishte parashikuar që menjëherë pas eliminimit të Enver Hoxhës dhe afrimit të Shqipërisë me SHBA-në, i tërë personeli i Ambasadës amerikane në Argjentinë me në krye ambasadorin do të instaloheshin në mënyrë të rrufeshme në Tiranë dhe do të merrnin misionin diplomatik në Shqipëri. Plani kishte parasysh azhurnimin në proces të këtyre aktorëve, çka do të thoshte futjen në lojë të tyre sa të përmbushej faza e parë, që kishte të bënte me objektivin e Mehmet Shehut për të eliminuar Enver Hoxhën....
vijon nesër
Diplomati që zbuloi komplotin për eliminimin e Enverit
Ngjarja më e rëndësishme që përshkruhet në librin e ish-diplomatit shqiptar në Argjentinë, të botuar këto ditë “Atje larg në fund të botës”, ka lidhje me zbulimin e një dokumenti sekret të CIA-s i adresuar fund e krye për Shqipërinë. Është një histori që zë fill në ambasadën e SHBA-së në Buenos Aires, ku qysh në vitin ‘60 ruhej në arkiv plani për eliminimin e Enver Hoxhës dhe ndryshimin e kursit politik në Shqipëri. I rezervuar vetëm për lidershipin komunist të Tiranës, dokumenti enigmatik u bë i njohur për publikun pas viteve ‘90. Kujtimet e ish-ambasadorit rrekin të na sjellin retrospektivën e ngjarjes së bujshme, që për kohën u klasifikua një mision i rëndësishëm dhe shumë i vështirë. Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, Andoni sqaron me detaje rrethanat si ka mësuar për ekzistencën e dokumentit të CIA-s me objekt Shqipërinë nëpërmjet argjentinasit Farrana, përmbajtjen e telefonatave me Reiz Malilen pas raportimit për të, përpjekjet e fshehta për t’u futur deri tek arkivat supersekrete të shërbimit inteligjent më të fuqishëm të botës, ku ishte “burgosur” letra misterioze, çastet kur i është dashur ta përkthejë me një frymë në kushte sekrete dhe odisenë e kthimit të Shqipëri për ta sjellë në duart e funksionarëve të lartë shkresën enigmatike...
Plani i CIA-s për operacionin në Shqipëri
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Buenos Aires – Argjentinë
Përkthim i teletekstit nr. 321-40-60, nëntor 1975.
Objekti: Për t’u vendosur në bibliotekën e ambasadës. Shumë sekret. Vetëm për njohje të zotit Ambasador.
Çështja: Shqipëria.
Në shtatorin që porsa kaloi, u zhvillua në Nju Jork një mbledhje me një mik, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me atë u arritën një sërë përfundimesh: M-008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Agjenti ynë ka vetëm një pjesë të pushtetit.
Propozon të veprojë kështu:
Të ftojë për drekë Hoxhën dhe t’i hedhë në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër është e domosdoshme të bëhet sepse Hoxha jeton duke pasur një dashuri të madhe nga masat, të njëjtë si ajo e Gandit. Miku ynë e konsideron plotësisht të mundshme, se do të zgjidhet për të vazhduar Hoxhën dhe me kohë, afërsisht një vit, do të fillojë të zëvendësojë vazhduesit e Hoxhës, duke vendosur në vend të tyre njerëzit e tij të besuar. Në rast se do të fitojë lëvizja, kemi diskutuar një program minimum, i cili vazhdon si më poshtë:
1. Vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me të gjitha vendet e Perëndimit më të rëndësishme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Konflikti i arit shqiptar do të zgjidhet nga gjyqi ndërkombëtar i Hagës.
2. Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ekonomisë: Fondit Ndërkombëtar dhe organeve të tjera të krijuara me këtë qëllim.
3. Të bëjë paqe me fqinjët e tij (Jugosllavinë dhe Greqinë) për të zhdukur me të parën të gjitha kundërshtimet e ardhura nga lufta personale dhe ideologjike e Enver Hoxhës dhe e grupit të tij dhe duke firmosur me të dytën një traktat të paqes, miqësisë e kooperimit, që hap kufijtë e vendit.
4. Qeveria do të jetë socialiste, nuk do të kthehet në regjimin e mëparshëm. Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të mëparshëm të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e saj të izolimit ndërkombëtar.
5. Qeveria e re do të zgjidhet brenda një kohe prej 3/5 vjetësh duke pranuar rilindjen e të gjitha partive politike, në formë të gjerë. Në qoftë se do të dështojë në tentativën e tij e do të zbulohet, agjenti ka kërkuar dhe për këtë është siguruar se do t’i jepet strehim politik në SHBA, në mungesë të këtij në ndonjë vend mik. Për këtë ai ka kërkuar dhe është siguruar se do t’i jepen 3,000.000 dollarë amerikanë.
Me këtë rast është zotuar të denoncojë të gjithë llojet e krimeve, që ai parashikon se do të zhvillohen në Shqipëri nga ana e Hoxhës e vazhduesve të tij.
Po japim një shpjegim mbi agjentin për ta pasur në kujtesë në të ardhmen:
Bëhet fjalë për një njeri shumë ambicioz. I tillë është edhe plani i tij. Nuk ka ndryshuar në ideologjinë e tij. Ai vetëm na bashkohet me çështjen e bashkekzistencës me Perëndimin dhe me fqinjët e tij. I kemi sugjeruar, që deri sa të kryhen veprimet të jetë i bindur ndaj Hoxhës dhe vazhduesve të tij. Në rast të kundërt mund të zbulohet. Kjo do të ishte fatale për suksesin e planit. Të gjitha këto duhet të mbahen parasysh, në funksion të suksesit të planit. Duhet të përgatitemi të kemi marrëdhënie diplomatike të plota. Tema është e një karakteri shumë sekret. Nuk do t’i jepet ambasadave të tjera. Ambasadori i Buenos Airesit (për këtë njoftoheni nëpërmjet këtij) do të jetë i caktuar ambasador në Tiranë në rast suksesi