E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë në Johanesburg,shpërthim pranë stadiumit

JOHANESBURG-Një zhurmë e mbytur e pasuar nga një valë e fuqishme pluhuri bëri që të dridhej stadiumi i Johanesburgut sot afër mesditës. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga gazetarët e pranishëm në këtë vend dhe që ndjekin Kupën e Botës. Sipas tyre, shpërthimi ka qenë shumë metra larg stadiumit ne nje miniere ari, ndërsa tronditja është ndjerë edhe brenda tij, ku ishte duke u zhvilluar një konferencë shtypi e FIFA-s. Autoritetet lokale nuk kanë mundur të shpjegojnë për momentin origjinën e asaj çfarë ka ndodhur, por kjo ka mjaftuar për të prishur qetësinë e Kupës së Botës.
Në stadiumin “Soccer City” të Johanesburgut sot në mbrëmje është planfikuar edhe ndeshja mes Brazilit dhe Bregut të Fildishtë e vlefshme për grupin G.
Policia
Ndërkohë, vetëm pak minuta pas ngjarjes, policia e Afrikës së Jugut ka sqaruar se bëhej fjalë për një shpërthim të kontrolluar në një minierë ari që ndodhet 7 kilometra larg nga stadiumi i Johanesburgut. Sipas saj, ka qenë ky shkaku i tronditjes që është ndjerë edhe brenda mureve të tij dhe që ka vënë në alarm personat e pranishëm aty.
Siguria
Siguria është një nga problemet kryesore të këtij Botërori, teksa deri tani ka pasur probleme të mëdha me grabitjet e gazetarëve apo edhe të skuadrave të futbollit. Afrika e Jugut ka investuar gati 1 miliardë euro për sigurinë, duke parë edhe paralajmërimet e shumta të ardhura nga grupet terroriste.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›