PS përplaset me policinë për çadrat e protestës,Ruçi: Maxhoranca të mos na provokojë
Aristir Lumezi
Çadrat e protestës së socialistëve i kanë futur ata në konflikt me Policinë e Tiranës. Policia e kryeqytetit nuk ka pranuar dje kërkesën e socialistëve për të vendosur çadra para Kryeministrisë, ku do të qëndrojnë gjatë dy netëve të ardhshme protestuesit. Pas dy takimesh që u zhvilluan dje në policinë e Tiranës, socialistët kanë negociuar shumë për të përfshirë çadrat brenda lejes, që institucioni që garanton rendin, duhet t’u japë atyre për zhvillimin e mitingut të protestës. Por nga ana e saj, policia ka qenë e prerë për të mos lejuar në asnjë rast vendosjen e çadrave, ndërkohë është angazhuar të garantojë rregull dhe siguri gjatë kohës së kërkuar nga socialistët për zhvillimin e protestës. Pritet dhe një takim sot paradite në policinë e Tiranës, ku socialistët do të mundohen të marrin dhe lejen për çadrat. Mësohet se justifikimi i policisë ka qenë konfuzioni që mund të krijojnë çadrat në bulevardin kryesor të kryeqytetit, për shkak të zgjatjes së protestës për tre ditë. Edhe pse nuk janë pranuar nga policia, socialistët do të tentojnë të vendosin sot rreth 30 çadra rreth kryeministrisë, ku ata do të kërkojnë të zgjasin protestën e tyre për dy net e tre ditë.
Protesta
Sot në orën 16:00 opozita do të nisë protestën e saj. Ata kanë lajmëruar të gjithë socialistët dhe mbështetësit e tyre të grumbullohen në sheshin “Skënderbej” dhe prej andej të nisen përmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë, ku sipas një skeme të hartuar në mënyrë të detajuar, do të vendosen dhe protestuesit. Podiumi i madh do të vendoset aty ku u zhvillua në 10 tetor protesta që nisi turin e tubimeve të opozitës në të gjithë vendin. Pritet që në protestën e sotme të ketë shumë qytetarë të ardhur dhe nga qytetet e tjera, të cilët do të vendosen në pjesën e parme të turmës. Nga tribuna qendrore para Kryeministrisë e deri tek Ura e Lanës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të vendosen të gjithë protestuesit që kanë ardhur nga rrethet e tjera. Ndërsa mbështetësit e kryeqytetit do të vendosen nga hotel “Dajti” e deri në fund të bulevardit para Ministrisë së Mbrojtjes dhe Bujqësisë. Por socialistët, të cilët kanë marrë përsipër organizimin e gjithë protestës, si me ide ashtu dhe me njerëz, pasi nuk presin mbështetje nga partitë aleate të majta dhe të djathta me të cilat janë tashmë në koalicion, kanë hartuar një plan të detajuar se si do të vendosen njerëzit në bulevard por dhe në çadra. Çdo Asamble Socialiste e njësive bashkiake të Tiranës, që përbëhet nga 11 njësi, do të shkojë me 800-1000 vetë në protestë, ndërsa për orët e natës ata do të kenë nga 100 vetë, që do të qëndrojnë në çadra, por dhe të lëvizin në pjesën e lejuar nga policia për këtë tubim. Gjithashtu, është caktuar që natën e parë, 30 deputetë bashkë me 50 njerëz të besuar secili, do të qëndrojnë gjatë natës, duke bërë që në çadra të ketë rreth 1500 vetë shto këtu dhe rreth 2000 mijë vetë që asambletë e njësive bashkiake të Tiranës do të kenë në dispozicion. Ky do të jetë vetëm njëri turn i protestuesve. Ditën e shtunë, ata do të ndërrohen me protestues të rinj dhe të freskët, të cilët do të qëndrojnë gjatë gjithë natës. Është kërkuar gjithashtu, që ata që do qëndrojnë gjatë natës, të marrin me vete stola, karrige plastike dhe batanije, ndërsa pritet që përmes një shërbimi taksi, të ofrohet dhe ushqim dhe çaj të ngrohtë. Bllokimi i bulevardit në të dyja anët e Lanës pritet të sjellë probleme në trafikun e rënduar të Tiranës.
perplasja
Berisha: S’ka koalicion të madh, do jetë kjo qeveri
Kryeministri Berisha tha dje se kundërshtari i tij politik ka tentuar t’i imponojë koalicion mes PD-së dhe PS-së. Gjatë fjalimit të mbajtur në Parlament në debatin në parim për projektbuxhetin e vitit 2010, kreu i ekzekutivit i bëri sërish thirrje Ramës të kthejë opozitën në Parlament. Duke iu drejtuar kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, si opozitari i vetëm në Parlament, Berisha tha se e vetmja gjë që nuk mund të bëjë është hapja e kutive, i cili është njëkohësisht edhe kushti kryesor i opozitës. “I thuaj mund të bësh ç’të duash, çdo veprim, çdo akt, por kompromis me zgjedhjet e verifikuara unë nuk të bëj. Në dy aspekte, së pari, nuk dal kurrë mbi vendimet e gjykatave. Një mik evropian shumë i çmuar më thoshte se ajo nuk pranohet për asnjë çmim dhe këtë e di mirë ti, se jam njeri që paguaj çmime. E dyta të mos mendojë ai se më imponon koalicion apo kompromis historik, absolutisht jo. Në qiell dhe në tokë të hipë dhe të zbresë ky koalicion do të përmbushë detyrimet para shqiptarëve”, u shpreh Berisha. Kreu i maxhorancës akuzoi Ramën për sharje në drejtim të familjes së tij. “Do të kisha një kërkesë ndaj teje i thuaj atij shefit të opozitës, i cili ka tre muaj që shan me të parë dhe të prapë, me grua, me vajzë, me nip e mbesë e me radhë dhe unë sërish në emër të parimeve të tjera i bëj vetëm ftesë”, tha më tej Berisha, teksa shtoi se: “Nëse dikush u thotë shqiptarëve se ç’më duhet Evropa se unë kam Haxhi Qamilin, unë do t’i them mbaje Haxhi Qamilin, unë do të zgjedh Evropën”.
Rama: Hapni kutitë para se të largoheni bashkë me to
Pak orë pas fjalimit të Kryeministrit Berisha në Parlament, kreu i PS-së, Edi Rama iu përgjigj kreut të ekzekutivit përmes një konference për shtyp. Kreu i opozitës i bëri thirrje maxhorancës të hapë kutitë e votimit, vetëm një ditë para protestës përpara Kryeministrisë. “Me siguri, protesta opozitare për hapjen e kutive, të ka bërë të shohësh ëndrra me miq të huaj, që të thonë atë që të pëlqen të dëgjosh dhe pastaj ëndrrat e tua ia tregon Parlamentit të kthyer në kuti të mbyllur. Thirrja ime është: mos u kap pas mikut të huaj që ke parë në ëndërr. Por hapi kutitë përpara se sa populli sovran të të detyrojë të largohesh bashkë me kutitë”, u shpreh Rama. Kreu i PS-së akuzoi kryeministrin si përgjegjësin kryesor për vonesat në liberalizimin e vizave. “Interesat ekonomike e financiare të familjes tënde diktojnë qeverisjen e vendit, më shumë se interesat publike e qytetare të njerëzve të këtij vendi. Kjo është diçka e provuar, që provohet përditë e më shumë, e që e gjithë Shqipëria e ka mësuar dhe e mëson çdo ditë, jo falë fjalëve të mia, por falë bëmave të tua. Prandaj, të jemi të qartë, që dallimi i qartë mes teje e meje, është se ti u plake duke u marrë me gratë, me vajzat, me motrat, me djemtë, me nipërit, me kushërinjtë e kundërshtarëve të tu, ndërsa unë merrem me konfliktin e përbindshëm të interesit ku ti e ke futur qeverisjen e vendit”, tha Rama. Duke iu përgjigjur akuzave se Bashkia e Tiranës ka 4,200 punonjës, Rama theksoi se ky institucion ka vetëm 385 të punësuar.
PS: S’na tremb Derri e Dosa i qeverisë
I menjëhershëm ka qenë reagimi i PS-së pas deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Të zënë në hallin e frymës opozitare që po rritet përditë në Shqipëri, Derri e Dosa e qeverisë nxorën derrkucin e vogël të kopesë qeveritare që të trembin protestuesit e nesërm me gripin e Derrit”, tha zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj. Sipas saj: “Le të qeshim me këtë përrallë të re të Derrit e Dosës që e kanë infektuar qeverinë e Shqipërisë me virusin kërcënues të lirive e të drejtave për të cilat do të protestojmë fuqishëm nesër. Sot ne jemi më të shumtë e më të vendosur se kurrë për ta shëruar vendin tonë e për ta çliruar shtetin tonë nga ky virus i padurueshëm. Dhe s’ka kope në pushtet që na zmbraps në rrugën tonë të drejtë e të pakthyeshme”.
Vasili: Jo protestë,prag epidemie
Një ditë para protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili jep alarmin se Shqipëria është në prag të epidemisë së gripit të derrit. Sipas tij kemi një shtim të rasteve me grip sezonal dhe me virusin A/H1N1. Tashmë numri i rasteve, me AH1N1 ka shkuar ne 129 persona, ndërkohë ministri Vasili është shprehur se këtë vit gripi sezonal është më agresiv, në komplikacionet që ka shkaktuar tek personat e prekur. “Jemi në fillimin e një epidemia sepse rastet janë të shtuara dhe përveç të tjerave janë shfaqur me klinikë pak të ashpër, me temperaturë të lartë, me çrregullime dispeptike. Ndryshe nga virozat e tjera të cilat shfaqen me temperatura pak më të moderuara, kemi pasur në rastin konkret një klinikë më të ashpër, më serioze se sa të tjerat”, tha Vasili.
Ruçi: Përgjegjësi e maxhorancës nëse do ketë provokime
Numri dy në PS, Gramoz Ruçi, i ftuar në emisionin ‘Top Story’ në “Top Channel”, i cili është dhe drejtuesi i shtabit organizues të protestës së sotme të opozitës, i bëri thirrje maxhorancës të mos provokojë tubimin e sotëm. Nëse ndodh ndonjë provokacion, tha Ruçi, përgjegjësia direkte e tij do të jetë e maxhorancës. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të socialistëve i bëri thirrje Berishës të pranojë kërkesën e opozitës për hapjen e kutive, ndryshe pushteti i tij do të bjerë.
Kishte përgjegjësi PS për ruajtjen e votës së elektoratit të majtë? Bashkautorë në krimin elektoral duhet të jenë dhe komisionerët socialistë…
Ne nuk duam të shmangim asnjë përgjegjësi tonën. Ne duam të vendosim një standard dhe procesi i kontestimeve dhe mohimeve të rezultatit të mbarojë njëherë e mirë. Nëse ka një raport të partnerëve tanë, kërkesat tona janë dhe konform sugjerimeve të bëra nga këta partnerë. Ne nuk duam të ketë ndryshim në tavolinë të rezultatit, por duam që këto manipulime të mos bëhen më.
Pas hapjes së kutive siç ju thoni, nëse rezultati rrëzohet, çfarë kuptimi do të ketë për këtë qeveri që do të jetë ilegjitime?
Unë jam para një të panjohure. Unë e kam lënë të hapur problemin. Unë kam thënë se ky Parlament dhe ky pushtet janë me legjitimitet të cunguar. Nëse del kështu do të ketë një propozim tjetër nga strukturat e PS. Nëse ka një njeri që di se çfarë ka brenda në kuti është Sali Berisha. Siç e njoh unë atë më njeh edhe ai mirë mua. Nëse del kështu, ne do të kërkojmë që ky legjitimitet i cunguar të legjitimohet përmes zgjedhjeve të parakohshme. Kjo ndodh në një vend me demokraci të plotë.
Ju dilni kundër asaj që ka thënë Edi Rama?
Nuk ka asnjë diskorkondancë. Çdo zvarritje që i bëhet procesit të transparencës. Ne nuk do e humbasim durimin, nëse do vazhdojë ky qëndrim refrektar i Berishës, sigurisht do të ketë përshkallëzime dhe do të konsiderohet si sundimtar dhe jo i zgjedhur me votë.
Nëse nuk hapen kutitë, si do të përshkallëzoni qëndrimin tuaj. A do të jeni paqësorë nesër?
Dua të sqaroj se unë nuk jam shefi i shtabit, pasi nuk kemi ndonjë formacion ushtarak, por kam përgjegjësitë e mia për mbarëvajtjen e këtij tubimi dhe nuk do të ketë asnjë incident. Do të jetë në përgjegjësinë e maxhorancës nëse do të ketë ndonjë provokacion. Nëse segmente të caktuara do të guxojnë të bëjnë ndonjë provokacion, përgjegjësia do të jetë e tyre.
Publiku shqiptar duhet të kuptojë se nuk është faji i qytetarëve që nuk bëhen zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipëri, por është faji i pushtetarëve. Nëse zoti Berisha do sillet si sundimtar dhe do sillet në mënyrë të paligjshme dhe nuk do plotësojë kërkesat e zgjedhësve, ne kemi qëndrimet tona. Strategji ka, por unë këtu jam për deri të dielën dhe të mos ju jap lajmin për pas të dielës. Unë do të doja që zëri i njerëzve të dëgjohet për 24 apo 48 orë.
Sa herë keni protestuar, BE ka marrë nga një vendim të rëndësishëm për integrimin e vendit. Ka deklarata për kthimin në Parlament. Nuk e ndjeni veten të vetmuar?
Absolutisht jo, nuk ndjehemi të vetmuar. Është për të ardhur keq që maxhoranca aktuale ofendon inteligjencën e popullit shqiptar, sikur ministrat e Jashtëm vendosën që Shqipëria u pranua. Ka qenë viti 2008 kur Edi Rama i kërkoi kryeministrit të aplikojë për statusin e vendit kandidat. Kryeministri nuk e bëri. Të marrim ndërkombëtarët. Asnjë ndërkombëtar, në Evropë apo jashtë Evropës ka thënë se ne duhet të shkojmë në Parlament. Edhe ne e dimë këtë. Asnjë ndërkombëtar nuk ka thënë se opozitat tona nuk janë të drejta. Madje, ata kanë thënë që maxhoranca të gjejë zgjidhje. Ky njeri nuk e kupton se të gjitha gjërat rrjedhin nga bashkëpunimi pozitë-opozitë.
Çfarë i propozoni zotit Berisha?
Propozimi është të mos trashë më tej zullumin, përndryshe, bashkë me mos hapjen e kutive do të bjerë dhe karrigia e tij.
Bie qeveria e Kosovës, Pacolli President
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike, prishin marrëveshjen bashkëqeverisëse, çka ka çuar në rrëzimin e qeverisë. PDK do të zyrtarizojë sot marrëveshjen me AKR-në e Behxhet Pacollit, i cili do të zgjidhet President dhe LDD-në e Nexhat Dacit, i cili do të marrë postin e kryetarit të Parlamentit.
Mosmarrëveshja
Shkak për prishjen e paktit ishte dalja në koalicion e LDK-së me AAK-në e Rramush Haradinajt në komunat e Prizrenit dhe të Gjilanit ku do të zhvillohet balotazhi. Por ky hap i LDK-së bie ndesh me një marrëveshje, që ajo ka nënshkruar me PDK-në, sipas të cilës asnjë prej dy forcave të mëdha nuk do të hyjë në balotazh me parti të tjera. Dje në mbrëmje ka pasur një takim mes Kryeministit Hashim Thaçi dhe Presidentit Fatmir Sejdiu, ku është konstatuar edhe shkelja e marrëveshjes. Ndërkohë, burime të Radio Televizionit të Kosovës pranë PDK-së bënë të ditur mbrëmë se kjo forcë do të nënshkruajë ditën e sotme me dy parti të tjera, AKR-në e Pacollit dhe LDD-në e Dacit. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje do të ketë edhe ndryshime në nivelet e larta të shtetit. Kështu, Pacolli do të zërë vendin e Fatmir Sejdiut në krye të shtetit, ndërsa Nexhat Daci do të marrë vendin e Jakup Krasniqit. Ndryshime do të ketë edhe në nivelin ministror, ku ministrat e propozuar nga LDK-ja do të lënë postet që mbanin deri tani.