Frikë nga recesioni, papunësia në eurozonë arrin rekord të ri
Raporti i ri i Eurostat mbi punësimin në BE dhe eurozonë.
Papunësia në eurozonë ka shënuar një rekord të ri, prej 10.8 për qind. Ky është niveli më i lartë i papunësisë që nga krijimi i monedhës së përbashkët, në vitin 1999. Të dhënat e publikuara dje nga Eurostat, zyra e Bashkimit Europian për statistikat, kanë shtuar frikën se blloku i 17 vendeve me monedhën e përbashkët mund të jetë në recesion. Shifrat tregojnë se tani 17.1 milionë njerëz janë të papunë në grupin e vendeve të eurozonës, më shumë se 162.000 krahasuar me një muaj më parë dhe ekonomistët presin që situata të përkeqësohet në muajt në vazhdim, duke shkuar të paktën në 11 për qind të papunë mesatarisht në zonën e 17 vendeve të monedhës euro. Spanja është vendi më i goditur nga papunësia me 23.6 për qind të njerëzve të saj të papunë. Të dhënat tregojnë gjithashtu se në Bashkimin Europian janë rreth 24.5 milionë njerëz të papunë. Ky është muaji i dhjetë radhazi që numri i të papunëve rritet në BE dhe eurozonë. Shifrat e Eurostat tregojnë se edhe aktiviteti i prodhimit ka rënë, duke u ulur në muajin e tetë radhazi. Më gjithë të dhënat për rritje ekonomike, Banka Qendrore Europiane pritet ti çojë normat e interesit në 1 për qind në takimin e saj mujor që mbahet të enjten, ndërsa rritja e çmimit të naftës po e mban inflacionin mbi 2 për qind, sa çështë pikësynimi. Numri i të papunëve është rritur shumë që nga kriza e borxhit që mbërtheu fillimisht Greqinë dhe rrezikon tashmë edhe vende të tjera të eurozonës, si Spanja e Portugalia, dhe nga masat e ashpra të kursimit që kanë marrë të gjitha qeveritë ndaj sektorit shtetëror e privat, duke detyruar shumë kompani të ulin numrin e të punësuarve.
Papunësia
Spanja 23.6 për qind
Portugalia 15 për qind
Franca 10 për qind
Italia 9.3 për qind
Gjermania 5.7 për qind
Austria 4.2 për qind