Lirohen policët kosovarë, raporti i EULEX, sekret

Nga arrestimi i dy policëve kosovarë në rajonin e Merdarës nga forcat serbe
Gjykata serbe nuk vendosi masë arresti për policët e rrëmbyer në kufi.
Dy policët kosovarë të arrestuar të shtunën nga xhandarmëria serbe në zonën kufitare të Merdarës, kanë mbërritur dje në Kosovë pasi gjykata serbe vendosi lirimin e tyre. Ata i janë dorëzuar mëngjesin e djeshëm misionit europian për sundimin e ligjit në Kosovë. Zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hauton, tha për REL se transportimi i dy policëve që qëndruan 48 orë në Serbi, u bë nga qyteti i Prokuples për në territorin e Kosovës. Sipas tij, hetimet për rrethanat e arrestimit do të vazhdojnë, por e përjashtoi mundësinë që raporti final të jetë publik. Hauton nuk dha as ndonjë afat kohor se kur mund të jetë gati raporti në fjalë. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, konfirmoi lirimin e policëve. Gjykata serbe i ka liruar policët kosovarë dhe tanimë ata i janë dorëzuar EULEX-it, pohoi Rexhepi para mbërritjes së tyre në Kosovë. Ai theksoi se policët janë arrestuar në terriorin e Kosovës. Shukri Binaku dhe Sami Beqiri u arrestuan në një pritë nga xhandarmëria serbe të shtunën në mëngjes, ndërsa patrullonin në fshatin Dumnicë të komunës së Podujevës. Akti u paraqit me shumë bujë në Serbi dhe mori dënimin e ashpër në Prishtinë. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, vizituan Drejtorinë rajonale të policisë kufitare në Luzhan të Podujevës. Rexhepi inkurajoi zyrtarët e policisë kufitare që të kryejnë punën e tyre sipas mandatit që kanë, në ruajtje të rendit dhe ligjit dhe në respektim të tërësisë territoriale, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dy zyrtarët vizituan edhe pikën kufitare në Merdare, për të parë nga afër punën që po zhvillohet në këtë pikë kufitare dhe konstatuan radhën e gjatë të njerëzve në kufi. Kërkojmë nga Bashkimi Europian që të bëjë presion ndaj palës serbe, në mënyrë që ata të kryejnë obligimet e tyre ndaj marrëveshjes për lëvizje të lirë të arritur në Bruksel. Është e patolerueshme që qytetarët tanë që vijnë nga Perëndimi, të mbahen me orë të tëra në kufi, tha Rexhepi.
Rasmusen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në kufirin e Serbisë me Kosovën, duke pranuar se situata mbetet ende e paqartë. Ne nuk kemi fotografi të plotë të asaj se çka ka ndodhur. Qartazi, NATO-ja është e shqetësuar për zhvillimin e fundit, por ne jemi të sigurt se palët përgjegjëse do të jenë në gjendje ta zgjidhin çështjen, tha Rasmusen në Bruksel mbi arrestimin e dy policëve të Kosovës nga policia serbe në kufi.
Daçiç: Për policët, kallëzim penal
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, tha dje se Serbia do të bëjë kallëzim penal ndaj dy policëve të Kosovës, arrestuar të premten e të liruar të hënën. Sipas Daçiç, përkundër raportimeve nga Kosova, policët janë arrestuar, sepse kanë qenë të armatosur dhe me uniforma në territorin e Serbisë qendrore. Duke porositur autoritete kosovare që të shohin punët e veta, Daçiç tha se Dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë paraqitur në Gjykatë dhe për ta do të ngrihet një kallëzim penal. Nuk dua të hyj në detaje në çështje si, nëse ata ishin qëllimisht apo gabimisht në Serbi, dhe e përsëris që policia serbe vetëm sa kreu punën e saj, tha ai, duke shtuar se nuk ka ndër mend të ashpërsojë raportet, por duke marrë parasysh se policët u liruan pasi u rrethuan në Serbi, nuk jemi kundër që Gjykata të bëjë punën e vet.