E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë se mund të rifilloje dhuna në Kosovë dhe rajon

Dhuna në Kosovë në veçanti dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi mund të rifillojë. Kështu ka vlerësuar Organizata Ndërkombëtare “Saferworld”, që si objektiv të saj ka punën me njerëz dhe qeveri për të parandaluar konfliktet e dhunshme dhe inkurajuar bashkëpunimin.

Në këtë dokument, të publikuar nga Indeksionline, i cili përmban një analizë të kontekstit të tanishëm në Ballkanin Perëndimor, dhe thekson të dhënat kryesore nga anketa e fundit vjetore për perceptimet e qytetarëve e zhvilluar nga organizata Saferworld në Kosovë, thuhet se si rezultat i kësaj analize të kontekstit, por edhe e të dhënave nga anketat del se ka përkeqësim të qëndrimeve dhe përshkallëzim të tensioneve, të cilat kanë potencial të rezultojnë në konflikt të ri të dhunshëm.

Në këtë dokument thuhet se përkundër progresit në miratimin e legjislacionit, Kosova është duke u përballur me disa nga sfidat më të mëdha të saj që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.
“Kriza politike në fund të vitit 2010 dhe fillim të vitit 2011 ka minuar mbështetjen e qytetarëve për qeverinë; bisedimet e lehtësuara nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë në gjysmën e dytë të vitit 2011 kanë ngecur për shkak të çështjeve kundërthënëse, ndërsa konfrontimet e dhunshme në veri të Kosovës, përfshi vdekjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës, shkatërrimin e pikës doganore në Jarinjë, vendosjen e barrikadave të shumta në rrugë në atë zonë dhe një numër incidentesh në të cilat janë plagosur me armë zjarri ushtarët e KFOR-it – të gjitha këto i kanë rritur tensionet. Kohëve të fundit, një numër ngjarjesh në Kosovë, Serbi dhe në rajon i kanë përshkallëzuar tensionet edhe më shumë”, vlerëson Saferworld.

Në këtë dokument është kritikuar edhe retorika nxitëse e përfaqësuesve të lartë qeveritarë dhe e udhëheqësve politikë në Beograd, lajmërimet për organizim të zgjedhjeve lokale serbëve në veri të Kosovës në maj të vitit 2012 dhe arrestimi i kosovarëve nga autoritetet e Serbisë kanë kontribuuar dukshëm në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Arrestimet në zonat kufitare të qytetarëve të Kosovës dhe pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ana e Serbisë, në veçanti kanë ngritur tensionet. Arrestimet kryesisht janë parë si të motivuara politikisht dhe arbitrare. Këto arrestime dhe deklaratat politike lidhur me to kanë nxitur reagime në Serbi, Kosovë dhe në arenën ndërkombëtareve, përfshi përkrahjen në rritje për thirrjet në Kosovë dhe më gjerë në rajon për ndërprerjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, derisa kjo e fundit të fillojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë bisedimeve dhe derisa të fillojë të luajë rol konstruktiv ndaj Kosovës”, vlerëson kjo organizatë.

Këtyre tensioneve, sipas Saferworld iu janë shtuar edhe rastet e fundit të dhunë si dhe kërcënimet kundër shqiptarëve në Maqedoni, të cilat janë duke çuar në drejtim të përkeqësimit të marrëdhënieve mes komunitetit maqedonas dhe atij shqiptar në Maqedoni, dhe kanë nxitur reagime në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Gjendja në veri të Kosovës mbetet e tensionuar. Rasti më i fundit i dhunës kundër një familjeje shqiptare që përfundoi me vdekjen e një personi dhe me lëndimet e anëtareve të familjes së tij ka nxitur reagime të anëtarëve të komunitetit shqiptar që jetojnë në veri dhe në komunat e tjera të Kosovës. Rrjedhimisht, mundësia për dhunë të mëtejshme është e lartë” konstaton Saferworld. 

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›