E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdiq nga të ftohtët, gjendet pas tri javësh

Gjendet në dëborë kufoma e një 32-vjeçari të humbur që nga data 3 janar e këtij viti. Hysen Leka, nga fshati Reç i Rrethit të Dibrës, ishte nisur më 3 janar për të mjekuar një dhëmballë në qytetin e Peshkopisë, por nuk arriti më që të kthehej në shtëpi, duke rezultuar kështu i humbur. Familjarët njoftuan policinë për humbjen e 32-vjeçarit, gjë që çoi blutë e Komisariatit të Policisë Peshkopi të vihen në kërkim të tij. Por kërkimet nuk arritën për ditë e javë të tëra të bien në gjurmë të të riut. Vetëm në ditën e djeshme, banorë të fshatit Reç, të komunës me të njëjtin emër, zbuluan të mbetur në dëborë prej 20 ditësh kufomën e 32-vjeçarit. Burime nga Drejtoria e Policisë Dibër konfirmuan për gazetën "Shqip" se kufoma e tij u gjet në malin e fshatit Kraj-Reç dhe në bazë të ekspertizës mjeko-ligjore rezulton që vdekja e tij ka qenë aksidentale, pasi në trupin e tij të ngrirë në dëborë nuk u gjetën shenja dhune. Kështu, sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, vdekja e 32-vjeçarit Hysen Leka, i cili vuante nga një sëmundje mendore, ka ardhur nga reshjet e dëborës të atyre ditëve, që shkonin në rreth një metër trashësi në lartësinë mbi 1000 metra, si dhe temperaturat e ulëta. Gjatë stinës së dimrit, izolimi i zonave të thella malore në Qarkun e Dibrës shkakton mjaft probleme për banorët dhe një nga më kryesorët mbetet pamundësia e këtyre banorëve për marrjen e shërbimit të duhur mjekësor, siç ishte edhe ky rast, kur 32-vjeçari Hysen Leka, me të meta mendore, u detyrua të udhëtonte drejt qytetit të Peshkopisë për mjekimin e dhëmballës dhe mbeti i ngrirë në dëborë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›