"Gjueti" për rekrutë në lokalet e lojërave të fatit
Forca të Policisë së Dibrës janë vënë në shërbim të ushtrisë për dërgimin e të rinjve ushtarë. Fakti se në vitin 2010, shërbimi ushtarak nuk do të jetë më i detyrueshëm, ka detyruar degën e mobilizimit të Dibrës që të kërkojë ndihmën e forcave të policisë për marrjen forcërisht të të rinjve, që mundohen të shpëtojnë njëherë e përgjithmonë nga detyrimi për kryerjen e shërbimit ushtarak. Në rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, të Qarkut të Dibrës, forcat e policisë kanë nisur një aksion për mbledhjen e rekrutëve të rinj. Vetëm djeshme, Policia e Bulqizës ka "krehur" lokalet e lojërave të fatit ku grumbullohen kryesisht të rinjtë, për t‘i mobilizuar ata forcërisht ushtarë. Disa nga këta të rinj, që kanë mundur t‘i shpëtojnë "darës" policore, thonë se nuk janë njoftuar zyrtarisht më parë nga dega e mobilizimit të Dibrës, për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Prej vitesh, sipas tyre, kjo degë ka gjetur si rrugë më efikase për dërgimin e rekrutëve ushtarë atë të mobilizimit me forcë, ku shpesh për këtë qëllim vihen në shërbim edhe policë të qarkullimit rrugor, ku të rinj të moshës 18 deri 27 vjeç, rekrutohen me forcë nga makinat me të cilat udhëtojnë. Por sipas burimeve nga dega e mobilizimit, të rinjtë janë njoftuar disa herë për t‘u paraqitur, por nuk janë përgjigjur në asnjë moment. Kjo është arsyeja se pse është kërkuar ndihma e policisë për mobilizimin e tyre, një praktikë kjo që vazhdon prej disa vitesh.