E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet gomonia, vazhdojnë kërkimet për një person

Ndërsa në shtëpinë e dy vëllezërve nga Vlora është hapur morti, pas gjetjes së njërit prej tyre të mbytur në ujërat kroate, asnjë gjurmë nuk është hasur nga vëllai tjetër. Ndërkohë, gomonia me të cilën kishin dalë në det është gjetur nga forcat e rojës bregdetare të Kroacisë, të cilat nuk e kanë ndërprerë kërkimin për asnjë moment. Gjetja e Romeo Pulizos të gjallë dhe njërit prej vëllezërve Golaj të mbytur i ka intensifikuar kërkimet në ujërat kroate, ndërsa në ato shqiptare dhe malazeze kërkimi është ndërprerë që nga paraditja e së enjtes. Lajmi për gjetjen e gomones u konfirmua nga komandanti i Komandës së Forcave Detare të Shqipërisë, kapiteni i rangut të parë, Kristaq Gërveni. Ai tha mbrëmjen e kaluar se nuk janë ndërprerë ende kërkimet nga forcat kroate për gjetjen e personit të tretë që ndodhej në gomonen e nisur nga Vlora. Operacioni i kërkim-shpëtimit është përqendruar kryesisht në zonën përreth ishujve kroatë të Arkipelagut të Adriatikut dhe në veçanti pranë Mljetit, ishullit të vogël që numëron një mijë banorë, ku u gjet dhe Romeo Pulizo, i dërrmuar nga lufta me dallgët dhe urinë, por që mundi të vetidentifikohet menjëherë pas gjetjes, duke përcjellë shpresë te familjet e personave që ndodheshin në gomone, por edhe tek i gjithë opinioni shqiptar, që ka ndjekur me vëmendje fatin e tre vlonjatëve në det të hapur që nga e diela e kaluar. Autoritetet tona detare tregohen të rezervuara për fatin e personit të tretë për aq kohë sa nuk ka asnjë shenjë prej tij. Ekziston mundësia që ai të ketë mbërritur me not në njërin nga brigjet e shumta të ishujve kroate, po dhe të jetë marrë nga dallgët e zhytur në thellësitë e Adriatikut. Shpresat janë që ai të jetë gjallë dhe kërkimet do të vazhdojnë nga pala kroate deri në gjetjen e tij. Ndërkohë, dje në mbrëmje vonë në Kroaci kanë mbërritur familjarë të Romeo Pulizos dhe të dy vëllezërve Golaj. Pritet që me mbërritjen e të afërmve, policia kroate të mund të realizojë identifikimin e kufomës së gjetur në brigjet e ishullit Mljet, që sipas të afërmve mund të jetë e Spiro Golajt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›