E Diel, 1 Nëntor 2026

Fryhet portofoli i oficerëve të kontaktit

Qeveria miraton përballimin e shpenzimeve të punonjësve shqiptarë që shërbejnë si oficerë kontakti pranë ministrive të Brendshme të shteteve të ndryshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë. Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, të miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, do të përballojë shpenzimet e punonjësve shqiptarë, që shërbejnë si oficerë kontakti pranë ministrive të Brendshme të shteteve të ndryshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë. Oficerët e kontaktit do të paguhen për udhëtime dhe dieta brenda dhe jashtë vendit pritës, kur ato do të kryhen në interes të Policisë së Shtetit, për pritjen e partnerëve zyrtarë, në vendin e punës, për shërbimet publicitare në interes të Policisë së Shtetit, për ceremonitë zyrtare, të karakterit policor, në vendin pritës. Gjithashtu, sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, Ministria e Brendshme do të paguajë qiranë e apartamentit të oficerëve, mirëmbajtjen e tij, për ngrohje, gaz, energji elektrike e ujë dhe për pajisjet shtëpiake. Oficerët e kontaktit në shërbimet diplomatike do të kenë të paguar nga shteti shqiptar edhe vendin e parkimit, taksat publike të shkollave të fëmijëve, por edhe 100 për qind të trajtimit financiar, të dhënë për përkujdesje ndaj familjes së tij. Oficeri i kontaktit gëzon të drejtën e pushimeve javore, të pushimeve në ditët e festave zyrtare dhe pushimit vjetor të paguar, për kohën që është me detyrë jashtë shtetit, sipas dispozitave ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Brendshme nuk merr përsipër shpenzimet e kthimit në atdhe të oficerit për kryerjen e lejes së zakonshme. Me miratimin e ministrit të Brendshëm, vetëm në rast fatkeqësie, oficerit të kontaktit dhe familjarëve shoqërues, u paguhen nga shteti shpenzimet e udhëtimit. Për shpenzime, që janë të përshtatshme të kryhen në vendin pritës, oficeri i kontaktit dërgon ofertat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila përzgjedh dhe miraton ofertën më të përshtatshme, në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin e prokurimit publik.

Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, të miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, do të përballojë efektet financiare të këtij vendimi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›