Fshat turistik në Lukovë, dështon projekti
Ajo e djeshmja ka qenë ndoshta më e tensionuara nga mbledhjet e Këshillit të Komunës së Lukovës. Arsyeja ishte se në rendin e ditës, vend kryesor kishte miratimi i një resorti turistik në territorin e fshatit Lukovë dhe Shënvasil. Me ndjeshmërinë për të mos lejuar të ndodhte kjo, godina e Komunës së Lukovës mesditën e djeshme ishte rrethuar nga njerëz të shumtë, me gjithë shiun që binte litar. Por krahas turmave të të interesuarve, situata kontrollohej nga njerëz të grupimit që ishin pro projektit dhe personit që qëndron pas tij. Ata bënin edhe truprojën dhe ndalonin hyrjet e "padëshiruara" në shkallët e komunës, ndërkohë që zhvillohej mbledhja. Madje edhe gazetarët janë ndaluar të kapërcejnë pragun e godinës së komunës, pasi janë identifikuar si "duhanpirës". Ndërkaq, brenda ishte ndezur debati. Pas disa orësh përplasje të argumenteve dhe kundërargumenteve mes këshilltarëve, mbledhja ka mbërritur në fundin e vet. Ajo që është mësuar pas saj ka qenë se projekti i pretenduar nga një kompani private, emri i së cilës nuk u bë i ditur, është përplasur në votimin negativ të shumicës së këshilltarëve. Ata shprehën saktë dhe qartë verdiktin e banorëve të fshatit për ta shtyrë këtë projekt. Argumentet më të forta që u bënë pengesë për të miratuar një projekt që nga disa është konsideruar si aferë e kryekomunarit Kumi ishin: mospërfillja dhe injorimi i faktorit komunitet dhe fakti që tokat që përfshin projekti i resortit gjenden brenda territoreve kadastralë të fshatrave Lukovë e Shënvasil, të cilat janë në procedurën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Vasil Nasi, kryeplak i fshatit Lukovë dhe një nga anëtarët e këshillit komunar që nuk e dha votën e tij pro fshatit turistik, u shpreh se "faktori komunitet i Lukovës, të cilin unë e përfaqësoj, pas konsultimeve të gjera shprehu mendimin e tij kundër procedurave të ndjekura. Ne jemi për investime, por duhen respektuar të gjitha procedurat e vendosura dhe kriteret në këtë masterplan". Sipas tij, problemi konkret që ishte anashkaluar qe konsultimi paraprak me komunitetin e fshatit.