Fshatarët protestojnë për vjedhjen e kromit
Dhjetëra banorë të fshatit Vajkal të Bulqizës protestuan dje në mesditë për mënyrën se si po shfrytëzohet minerali i kromit në Zonën D të minierës. Banorët e kanë konsideruar veprim abuzues shitjen e kromit, që sipas tyre bëhet nga persona të implikuar dhe lidhur me shtetin. “Jemi sot këtu, deklaruan protestuesit, për të larguar firma dhe persona të blerë nga shteti, të cilët po kalojnë në Qafën e Buallit miliona euro në muaj në favor të mafies. Kërkojmë largimin e menjëhershëm të këtyre firmave dhe personave që nuk kanë asnjë lidhje me minierën, por po luajnë me gjakun e baballarëve tanë, të cilët ndër vite derdhën gjakun në galeritë e thella të minierës. Ndaj kërkojmë me çdo kusht që këto miniera të shfrytëzohen nga banorë të Bulqizës dhe jo nga dora e mafies, e cila po luan me pasurinë tonë”. Ndërkaq, banorët kanë paralajmëruar se protesta e tyre do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, deri në largimin e të huajve, pasi sipas tyre, miniera u përket në radhë të parë banorëve të Bulqizës. Kujtojmë se protestat për galeritë e kromit kanë nisur pas urdhrit të qeverisë për krijimin e Task-Forcës nën drejtimin e prefektit të Dibrës, Xhafer Seiti, e ngritur për largimin e të palicencuarve dhe disiplinimin e të licencuarve.
#