U zhvesh në rrugë, akuzohet për prishje qetësie
Të zhvishesh lakuriq në publik nuk përbën vepër penale, prandaj Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës e ka akuzuar të riun që u zhvesh plotësisht pas përplasjes me trafikndarësen në superstradën Tiranë-Durrës, vetëm për prishje të qetësisë publike. Pavarësisht se askush nuk është ankuar për shfaqjen e rrallë që pasoi ngjarjen rrugore të ndodhur mbrëmjen e së dielës, policia e ka shoqëruar në komisariat 22-vjeçarin e tronditur nga prishja e automjetit dhe më pas e ka vënë nën akuzë. Hetimet ndaj të riut nga Elbasani dhe me banim në Tiranë do të kryhen në gjendje të lirë. Ndërsa udhëtonte në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, në afërsi të mbikalimit të Sukthit, në kohën kur drejtonte automjetin tip “Benz” me targa TR8308R, ai është përplasur me trafikndarësin e për pasojë ka dëmtuar vetëm mjetin e tij. Pas kësaj, i riu është zhveshur duke qëndruar në anë të rrugës dhe ofruar një pamje të pazakontë për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët e tyre.
#