Skandali i Gjirokastrës trajtohet si gabim
Pas zbulimit të faktit se disa fëmijë të shëndetshëm të një kopshti në Gjirokastër trajtoheshin si fëmijë me aftësi të kufizuara, drejtuesit e këtij projekti që zhvillohej në fshehtësi të plotë mundohen ta sqarojnë situatën, duke e bërë edhe më të rëndë atë.
Kështu, Zela Koka, nga shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar, “Metpark”, me qendër në Tiranë, hedh një teori të çuditshme për përcaktimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. “Termi fëmijë me aftësi të kufizuar ka kuptim të gjerë, gjë që fatkeqësisht keqinterpretohet nga shumë prindër. Një fëmijë ka aftësi në matematikë, por jo në histori. Pra, ky fëmijë ka aftësi të kufizuar”, thotë Koka, duke u përpjekur t’i japë kuptim projektit që tashmë po zbatohet në Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë. Ajo këmbëngul më tej se projekti ka si qëllim të realizojë të drejtat për arsimim, duke krijuar kushte gjithëpërfshirjeje për çdo fëmijë. “Qëllimi është të realizojnë të drejtën për arsimim të fëmijëve të kufizuar, duke krijuar kushte gjithëpërfshirëse, si në kopsht, ashtu edhe në shkollë”, pohon Koka, duke nënvizuar se në qytetin e Gjirokastrës ky projekt zbatohet në katër kopshte dhe katër shkolla.
Në lidhje me çështjen e denoncuar nga Viron Graçi, prindi i një fëmije të përfshirë pa dijeninë e tij në projekt, ka folur dje edhe drejtoresha e kopshtit “Cicërima”, Tefta Zhulla. Edhe ajo ka të njëjtën linjë mbrojtjeje ndaj akuzave të rënda që i bëhen, duke theksuar se termi “aftësi e kufizuar” nuk është mirëkuptuar nga prindërit dhe nga stafi i edukatorëve. Drejtoresha pranon vetëm një gabim: Mosinformimin e prindërve. “është e vërtetë që prindërit e fëmijëve të përfshirë në projekt nuk janë njoftuar nga edukatoret”, thotë Zhulla, duke theksuar se shumë shpejt priten masat administrative për personat përgjegjës. “Prindërit duhet të ishin vënë në dijeni qysh në fillim të projektit, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Në këtë rast ata kanë të drejtë të aludojnë dhe kjo përbën një shkelje shumë të rëndë administrative”, shton ajo. Por Zhulla nënvizon se programi ishte miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Gjirokastrës dhe ka pasur impakt pozitiv në integrimin e fëmijëve në sistemin parauniversitar.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dërgoi dje një grup për verifikimin e çështjes së këtij kopshti. Tre përfaqësues të ministrisë inspektuan kopshtin “Cicërima”, për të verifikuar akuzat se katër punonjës kanë falsifikuar kartelat shëndetësore të 25 fëmijëve të moshës nga 3-6 vjeç, pa dijeninë e prindërve. Arjan Pano, drejtori i arsimit rajonal për Qarkun e Gjirokastrës, bëri të ditur se procedura e kontrollit nga përfaqësuesit e ministrisë do të zgjasin 3 ditë dhe në rast se konstatohen parregullsi, do të ketë masa të ashpra administrative për personat përgjegjës. “Nga informacionet e deritanishme rezultojnë se prindërit fatkeqësisht nuk janë njoftuar nga edukatoret për projektin e diferencuar, gjë që përbën një gabim të rëndë administrativ”, tha Pano. Nga hetimet paraprake rezulton se katër punonjës të Drejtorisë Arsimore të Gjirokastrës dyshohen se në fshehtësi të plotë dhe pa dijeninë e prindërve kanë falsifikuar për përftime personale prej tre vitesh kartelat shëndetësore të 25 fëmijëve nga mosha 3-6 vjeç.
#