Thumanë, të shpronësuarit me dhunë mbahen gjallë me ndihma
Kanë kaluar një natë të vështirë nën shi dhe çadra banorët e Thumanës, shtëpitë e të cilëve u prishën në mënyrë arbitrare nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit. Mosrespektimi i afatit ligjor për njoftimin paraprak të njësisë së pushtetit vendor, Komunës Thumanë, nga ana e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit dhe kreut të saj, Gjergj Bojaxhi, do të përfundojë në gjykatë në formën e një denoncimi nga ana e komunës, duke përfshirë edhe dëmet e konstatuara nga ky cenim i ligjit. Krerët e kësaj komune të djathtë e konsiderojnë si një veprim të pamenduar dhe arbitrar të Bojaxhiut ndërhyrjen e panjoftuar paraprakisht me fadroma dhe policë. Komuna ka siguruar çadra dhe 30 kilogramë ushqime të ndryshme për ata që ngelën pastrehë dhe asgjë tjetër për të siguruar jetesën e përditshme. Familjet Keqi, Jangozi, Caka, Dika etj., janë strehuar në çadrat e ardhura, si dhe në disa kasolle provizore të ngritura me fletë llamarinash. Ulja e temperaturave dhe reshjet e shiut kanë vërshuar brenda duke përhapur edhe më tej te banorët e çadrave pasigurinë për të nesërmen dhe frikën për shfaqjen e problemeve shëndetësore në këto kushte. I kontaktuar nga gazeta, kryetari i komunës, Gëzim Keqi, thotë se pasi ka mundur të sigurojë një pjesë të ndihmave për të mbështetur familjet që mbetën në qiell të hapur, është dhe në pritje të ndihmave në ushqime dhe çadra që deputetja e zonës, Rudina Seseri, premtoi publikisht për 12 familjet e Thumanës. Sipas Keqit, janë siguruar 15 çadra, shtroje dhe mbuloje, si dhe 30 kilogramë ushqime të ndryshme, të cilat u janë shpërndarë familjeve që ngelën pa shtëpi. Ushqimet gjithsesi janë të pamjaftueshme për dhjetëra frymë që e kanë gjetur veten në pikë të hallit që nga paraditja e së premtes, kur me gjithë kërkesën e tyre prishja e shtëpive nuk u shty, qoftë dhe për një ditë të vetme. Përtej problemit të madh social-ekonomik që ka krijuar një aksion i kësaj natyre, që ka nxitur dhe përplasjen mes komunës dhe inspektoratit, në komunitetin e Thumanës është krijuar një frymë pakënaqësie ndaj pushtetit vendor dhe qendror, votues të të cilit janë. Ndikimi politik dhe përgjegjësia që kanë ndaj banorëve që u kanë dhënë votën ka marrë reagimin e pushtetit vendor. Që prej ditës së shtunë, një ditë pas prishjeve të dhunshme të banesave që do të shpronësohen, komuna ngriti një komision verifikimi për dëmet e krijuara në pajisjet shtëpiake të kryesuar nga nënkryetari Dashamir Hidri, ndërsa kryetari i komunës udhëtoi drejt Tiranës për të kërkuar ndihmë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave. Familjet e mbetura pa shtëpi i prisnin prishjet, por jo pa u njoftuar më parë për të larguar prej andej orenditë shtëpiake, të cilat u dëmtuan nga pamundësia për t’i hequr dhe ndërhyrja e shpejtë e fadromave. Familjet e prekura janë në një proces gjyqësor me shtetin, nga i cili prisnin një rivlerësim më të drejtë, më real mbi shtëpitë dhe tokën, bazuar mbi vlerën e tregut. 2100 lekë/m2 është vlerësuar toka truall, ndërsa toka arë me 442 lekë për metër katror. Më 3 shkurt të këtij viti, Këshilli i Ministrave nxori një vendim për shpronësimin, për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor Fushë Krujë-Milot. Këto shpronësime prekin një sipërfaqe prej 44906 m² tokë arë me vlerë 18,95 milionë lekë dhe një sipërfaqe toke truall 8962 m², me vlerë 18,8 milionë. E gjithë fatura e shpronësimit kap vlerën e 37,77 milionë lekëve dhe do të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë, fondi i shpronësimeve që duhet të përfundojnë deri më 15 maj të këtij viti.
#