58-vjeçari pret damarët dhe hidhet nga pallati
Një 58-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga tarraca e një pallati 9-katësh te “Komuna e Parisit” në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, kur Ilir Gjobrati ka prerë damarët dhe më pas është hedhur nga pallati, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se sapo janë njoftuar kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për identifikimin e viktimës. Sipas të dhënave, fillimisht ka qenë i vështirë identifikimi, pasi familja e tij nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur. Ai kishte shkuar me gruan dhe fëmijët te banesa e vjehrrës. Pasi janë ulur për drekë, ai ka dalë në tarracë për t’u qetësuar. Menjëherë, atje ka prerë damarët dhe më pas është hedhur nga pallati. Banorët, të cilët kanë njoftuar policinë, nuk kanë ditur gjë se kush ishte, por pasi uniformat blu kanë pyetur gjithë familjarët në pallat, ka rezultuar se ishte Ilir Gjobrati. Gjatë deklarimeve, familja e tij është shprehur se prej pak kohësh ai kurohej me ilaçe për depresion dhe ky mendohet se ka qenë shkaku që ka sjellë vendimin e tij për t’u vetëvrarë.
#