E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet vrasja e dy shqiptarëve, pranga anëtarit të mafies italiane

Itali Nikolla Ekonomi dhe Shkëlzen Allka u ekzekutuan me plumba në kokë në fund të shtatorit 2009

Pranga mbi një italian, pasi ka ekzekutuar me plumba në kokë dy shqiptarë. Arrestimi është bërë disa muaj pas ngjarjes, nga oficerët e Komisariatit të Bolonjës në Itali. Viktimat Shkëlzen Allka dhe Nikolla Ekonomi u gjetën të hedhur në një kanal. Policia tha se viktimat u gjetën më 6 tetor të vitit 2009, brenda një makine që ishte përmbysur në kanalin e Caselle Crevalcore. Drejtuesit e hetimit dhe të operacionit të arrestimit, prokurori Valter Giovannini dhe shefi i policisë Lorenzo Gestri, thanë se në pranga është vënë 33-vjeçari me inicialet N. A. Sipas informacioneve të asaj kohe, trupat e dy shqiptarëve janë gjetur të dekompozuar brenda një automjeti të rënë në një kanal dhe ishin shpallur të humbur që më 29 shtator të atij viti. Referuar mënyrës së vrasjes, pista kryesore e prokurorisë është ajo e “larjes së hesapeve”, ndërsa bëhet e ditur se të dy të rinjtë nuk ishin “lakuar” si tipa problematikë. Viktimat Nikolla Ekonomi, 27 vjeç dhe Shkëlzen Allka, 20 vjeç ishin banues në Modena. I pari jetonte me familjen në rrugën “Emilia” dhe tjetri në një apartament në rrugën “Paganini”. Mësohet se fillimisht vdekja e dy të rinjve është menduar se ka ardhur si rezultat i një aksidenti rrugor. Por pas autopsisë, në kafkën e njërit prej tyre është vënë re vrima e shkaktuar nga një plumb, ndërsa në kafkën e tjetrit dy të tilla. Trupat e pajetë të dy shqiptarëve janë gjetur brenda bordit të një automjeti “Fiat punto”, në kanalin “S. Matteo”. Sipas policisë së vendit fqinj, për shkak të qëndrimit të gjatë, trupat kishin nisur dekompozimin, ndërsa në to nuk shquheshin shenja të dukshme dhune. Por një ekspertim më i imët ka dalluar shkakun e vërtetë të vdekjes. “Të dy të ekzekutuar nga afër”, citonin mediat italiane. Më 29 shtator, ata kishin dalë së bashku për të festuar përfundimin e pushimeve. Denoncimi në polici është bërë nga babai i Ekonomit, i cili edhe më vonë deklaroi në media se djali i tij punonte si kuzhinier në një restorant dhe nuk ishte tip problematik, ashtu siç ishte cilësuar nga policia. Sipas hetuesve, referuar mënyrës së ekzekutimit, të rinjtë duhet të kenë qenë futur në “telashe të mëdha”. Mësohet se të dy shqiptarët nuk kanë qenë tipa problematikë me ligjin dhe se nga komuniteti ku jetonin njiheshin si punëtorë të përgjegjshëm. Vetëm Ekonomi në vitin 2006 ishte përfshirë përciptazi në një problem të vogël me drejtësinë në lidhje me klonimin e disa kartave. Mësohet se hetuesit administruan filmimet e kryera nga kamerat e sigurisë në rrugë, për të zbuluar personat e fundit me të cilët kanë qenë dy shqiptarët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›