E bën ta dashurojë dhe më pas i vjedh çantën dhe celularët
Një vajzë e re, e cila kishte nisur të dashurohet me një djalë, nuk e kishte menduar kurrë, se ai po shfrytëzonte për ta vjedhur. Historia ka ndodhur rreth një vit më parë, por vetëm dje, policia e kryeqytetit ka vënë në pranga mashtruesin, i cili është dënuar me 6 muaj burg. Sipas policisë, shërbimet e Komisariatit nr. 3 ndaluan shtetasin në kërkim Gegë Shyt Alia, 27 vjeç, sepse Gjykata e Tiranës e ka dënuar në mungesë. Historia zë fill më 15 janar 2009, kur Arta B. është njohur me një djalë rreth moshës 30 vjeç. Pasi është ulur në kafe, ai është prezantuar me emrin Genti dhe i ka ofruar diçka për të pirë. Pasi biseduan, ata kanë shkëmbyer numrat e telefonit me njëri-tjetrin, janë ndarë dhe më pas kanë komunikuar së bashku nëpërmjet SMS-ve. Disa ditë më vonë, kanë lënë të takoheshin me njëri-tjetrit tek “Dy Kullat”, përballë Piramidës. Pasi janë takuar, janë ulur për të pirë kafe tek një lokal, në katin e dytë të kullave dhe pastaj kanë shkuar për të ngrënë tek një restorant i quajtur, afër shkollës “Jordan Misja”. Në momentin që janë ulur, kanë ndërruar mendje dhe kanë shkuar në një tjetër lokal, duke qëndruar së bashku deri në orën 22:30. Më pas kanë shkuar tek një lokal me muzikë dhe qëndruan aty deri rreth orës 03:30. Sipas dëshmisë së vajzës, pastaj kanë shkuar tek një lokal afër maternitetit te Bërryli dhe kanë pirë nga një kafe. Gjatë kohës që po pinin kafe, e dëmtuara është ngritur për të shkuar në tualet. Kur ka dalë nga tualeti, ka parë Gentin që po dilte nga lokali dhe i ka thënë se ku po shkonte, ku në të njëjtën kohë, ka vënë re se telefoni i saj, me ngjyrë të zezë nuk ishte mbi tavolinë. Në moment ka parë në xhepin e xhupit dhe ka vënë re se mungonin edhe 20 mijë lekë dhe një telefon tjetër. Më datë 21 janar, ajo ka denoncuar në polici dhe pasi ka komunikuar në telefon me Gentin dhe janë takuar, ka ardhur një patrullë policie dhe e ka shoqëruar në komisariat. Në organin e prokurorisë është bërë paraqitje për njohje dhe prej saj është identifikuar se ky person ishte Gegë Alia. Në këto rrethana, ai është lënë të procedohet penalisht në gjendje të lirë. Por, në momentin që ka marrë dënimin është larguar dhe deri dje nuk ishte kapur.
#