E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët e arrestuar, dosja tek SHKB-ja për bashkëpunëtorët

Shërbimi i Kontrollit në Polici dyshon se uniforma të tjera blu janë të lidhura me krimin

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm merr në dorë dosjen e dy ish-punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët bashkëpunonin me “xhepistët”, duke u marrë këtyre të fundit një ryshfet mujor në këmbim të mosdenoncimit dhe mosarrestimit të grupeve që vepronin në zonën e Komisariatit nr. 3, në Tiranë. Burime nga SHKB-ja thanë se Prokuroria e Tiranës i ka referuar hetimet për këtë çështje, pasi dyshohet se krahas Preng Frrokut dhe Besnik Prenit, uniforma të tjera blu dyshohet se bashkëpunonin me grupe grabitësish dhe merrnin për çdo muaj një “rrogë” mujore që shkonte rreth 450 mijë lekë. Përgjimet e prokurorisë për disa grupe kriminale që vepronin në disa zona të Tiranës, kryesisht “xhepistë”, kanë nxjerrë në dritë emra të punonjësve të policisë, të përlyer në këtë aferë të rëndë për Policinë e Shtetit. “Hetimet e organit të prokurorisë kanë përcaktuar edhe metodën e bashkëpunimit midis dy punonjësve të policisë dhe grupit të vjedhësve. Por përgjimet kanë nxjerrë emra të tjerë, të cilët bashkëpunonin me këta ‘xhepistë’. Ka të dhëna se bashkëpunimi ekzistonte në disa komisariate të Policisë në Tiranë”, thanë burimet nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, duke saktësuar se aktualisht po zbardhen përgjimet dhe po verifikohen në terren të gjithë punonjësit e përlyer në këtë aferë. Sipas SHKB-së dhe Prokurorisë së Tiranës, hetimet do të shtrihen në të gjitha nivelet e policisë dhe do të verifikohet edhe rekrutimi i punonjësve që ushtruan aktivitetin e “xhepistit” para se të mbanin uniformën e policisë. Një gjë e tillë, sipas Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, është e patolerueshme, pasi strukturat e policisë nuk e kanë kryer mirë punën e rekrutimeve në polici.

Disa ditë më parë, Prokuroria e Tiranës veçoi hetimet për rekrutimin e punonjësve të policisë, që u arrestuan nën akuzën e korrupsionit, pas bashkëpunimit të tyre me grupet e “xhepistëve”. “Duhet një kohë më e gjatë për të verifikuar mënyrën e rekrutimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, Preng Frroku, dhe Besnik Preni, të cilët bashkëpunonin me disa persona kontingjent krimi. Madje, kemi dokumentuar dy raste ku Frroku dhe Prini merrnin nga ‘xhepistët’ shuma në lekë. Nga hetimet për këtë rast kemi konstatuar se njëri prej tyre, pikërisht Besnik Preni në të kaluarën ka qenë ‘xhepist’, me precedentë kriminalë”, thanë burimet nga akuza e kryeqytetit. Sipas tyre, pritet që në prokurori të paraqiten shefat e kuadrove në disa prej strukturave më të larta të policisë që merren me verifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, hetimet për bashkëpunimin e Prenit dhe Frrokut me kontingjentin kriminal janë drejt fundit, pasi gjithçka është realizuar pas vëzhgimeve dhe përgjimeve, ndërsa pjesa e rekrutimeve, sipas burimeve nga prokuroria, do të jetë nën hetim. Deri tani, veç rasteve të dokumentuara nga SHKB-ja, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, ku ata kërkonin nga një person me precedentë penalë nga 300 mijë lekë të vjetra çdo javë, ata po hetohen edhe veçmas për disa raste të goditjes së grupeve kriminale. Bëhet fjalë për operacionin “Hijet e natës”, për të cilin dyshohet se Besnik Preni jepte informacione të klasifikuara policore, me qëllim që të fshinin gjurmët për aktivitetin kriminal. Preng Frroku po hetohet për lidhjet e tij me një tjetër grup hajdutësh, por që merreshin me grabitjen e makinave. Duke punuar për dokumentimin e plotë të veprave penale të dy punonjësve të policisë, Preng Frroku dhe Besnik Preni, grupi hetimor ka zbulua66r se ata nuk zhvatnin para vetëm nga hajdutët e Kombinatit, pasi nga ana tjetër kishin ndërtuar një grup edhe më të fortë. Sipas të dhënave, duke punuar për një kohë të gjatë me kontingjentin kriminal, kishin njohur shumë hajdutë, që më parë i kishin përdorur edhe si informatorë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›