Peticioni: Minierat e bakrit po na ndotin ajrin e ujin
• Veprimtaria e minierave në fshatrat Munellë dhe Lakrrosh rrezikon nga ndotja banorët e këtyre zonave.PUKE/ RITVAN DIBRAPër këtë arsye, ata i kanë dërguar një peticion nënprefektit të Pukës, duke i kërkuar ndërhyrjen urgjente.Prej kohësh dy minierat që ndodhen në Komunën e Fierzës të Rrethit të Pukës, janë kthyer në një problem serioz për komunitetin e kësaj zone. Gjatë viteve të fundit, aktiviteti i këtyre dy minierave ka shkaktuar një ndotje të madhe të mjedisit. Situata, që vazhdon të përkeqësohet nga dita në ditë, ka detyruar banorët e fshatrave të Munellës dhe të Lakrroshit, që t’u drejtohen për ndihmë drejtuesve lokalë për zgjidhjen urgjente të këtij problemi. Ata i kanë nisur një peticion nënprefektit të Pukës, Dedë Përshpali, me anë të së cilit kërkohet mbyllja e dy minierave të bakrit që janë marrë në koncesion nga dy firma turke. Ndërkohë, nënprefekti Përshpali e ka ngritur këtë problem gjatë analizës së punës njëvjeçare të këtij institucioni. Pas bërjes prezente të shqetësimit për ndotjen e madhe të zonës ku ndodhen minierat e bakrit, prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, ka deklaruar se gjendja do të merret nën kontroll dhe se specialistë të kësaj fushe do të verifikojnë nga afër situatën e krijuar. Banorët e zonës ku ndodhen dy minierat e bakrit, këmbëngulin në faktin që instancat shtetërore duhet të marrin vendim për mbylljen e tyre, si kushtin e vetëm që jeta e tyre të vazhdojë normalisht. Në peticionin drejtuar nënprefektit të Pukës, ata shprehen se do të presin deri në pranverë dhe nëse nuk do të zbatohen kërkesat e tyre, atëherë do të nisin protestat dhe do të bëjnë bllokimin në hyrje të fshatrave të tyre. Nikollë Kodra, banor i fshatit Munellë, tregon sesi ndotja nga miniera ka bërë që çdo vit të marrin më pak prodhime bujqësore. “Situata ka ardhur duke u rënduar dhe po të shikosh, konstaton se në zonën tonë pothuajse nuk bëhet më asgjë”, thotë ai. Sipas banorëve, pluhuri që përhapet nga dy minierat ka ndotur jo vetëm ajrin që thithin, por edhe ujin që përdorin për vaditjen e kulturave bujqësore, me të cilat sigurojnë jetesën e familjeve të tyre. “Kështu si po vjen puna, ne po na ndotet edhe uji i pijshëm. Më parë i siguronim vetë prodhimet bujqësore, kurse tani duhet t’i blejmë në qytetin e Pukës. Kush mban përgjegjësi për jetën tonë dhe të fëmijëve tanë”? pyet Kodra në emër të banorëve të kësaj zone. Nga ana tjetër, prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, ka garantuar se po punon me të gjitha forcat që ky problem të trajtohet me seriozitetin e duhur. 2 fshatratë Komunës së Fierzës pësojnë ndotje të madhe të mjedisit nga minierat e bakrit. Banorët thonë se rrezikohet nga ndotja edhe uji i pijshëm2 minierabakri shfrytëzohen në zonën e Pukës. Pas viteve ‘90, këto dy miniera i janë dhënë me koncesion dy firmave turke të cilat bëjnë shfrytëzimin e tyre. Dy minierat e bakrit në Pukë, pas viteve ’90 me ndryshimet e sistemit u përballën me vështirësi të shumta financiare. Vendimi i qeverisë shqiptare për dhënien e tyre me koncesion dy firmave turke u duk si një rreze drite për banorët e këtyre fshatrave. Por kohët e fundit banorët e kësaj zone po hasin vështirësi të një natyre tjetër, asaj të ndotjes së mjedisit ku ato jetojnë.