Mejremja, plaka shekullore që jeton me katërnipërit
• E ka kaluar shekullin dhe kur e pyet për vitet që ka përgjigjet: “Kam 100 për 200”. Mejreme Gjoka, banore e fshatit Buzëmadhe të Kukësit, mund të renditet në “Gines”, jo vetëm për moshën, por për freskinë si fizike dhe memorien.KUKES/ JONUZ HALLAÇIPersonazhin tonë, që më 6 shkurt të këtij viti mbushi 103 vjeçe, nuk e gjetëm rreth vatrës së zjarrit dhe as në krevat, por në oborr, ndërsa u dërgonte ushqim bagëtive në vathë. Veshja tradicionale e zonës nuk e pengon atë që të bëjë punë të ndryshme e t’u shërbejë nipërve e mbesave, katër breza larg saj. Jeta e saj është plot mundime dhe e vështirë. Ushqimi nuk ka qenë i përzgjedhur dhe mjekët as që ia kanë matur ndonjëherë tensionin. Nuk ka frikë nga vdekja dhe pengun më të madh e ka se nuk pati shumë fëmijë, kryesisht djem, pasi ajo thotë se djemtë sjellin zhvillimin si dhe pasurinë e mbajtjen e shtëpisë. Mejremja ka vetëm një vajzë dhe për këtë arsye jeton tek i nipi, Ferit Tola. Plaka shekullore na bën vetë kafetë dhe vendos rregull në shtëpinë ku vogëlushët e kanë bërë pak rrëmujë. Një shenjë e trashëgimisë dhe vijimësisë së jetës është dhe tundja në djep e më të voglës së shtëpisë, të paktën 100 vjet më e vogël se katragjyshja e saj që këndon me një zë të shkëlqyer.E mban mend kur dhe ku keni lindur?Kam lindur në fshatin Lusën e jam martuar në Ujmisht. Burri ka mëse 60 vjet që më ka vdekur. Jetova në fshat, pastaj erdha në Buzëmadhe te nipi, Feriti. Nuk di as shkrim, as lexim dhe nuk di kur kam lind. Jam martuar shumë e re, 14 vjeçe e burrin e kisha shumë më të vjetër. Po ta dija se ishte aq i vjetër nuk e merrja se nuk e kisha pa. Megjithatë kur më vdiq mu dhimbs shumë se më la të vetme me një vajzë. Zoti nuk më fali më shumë fëmijë e ky është meraku im në këtë botë.Me çfarë je ushqyer dhe a ke qenë sëmurur ndonjëherë?Kam ngrënë ushqimet që kanë ngrënë të gjithë njerëzit këtu: Qumësht, djathë, kos, mish, turshi. S’kemi pasur gjë tjetër. Në spital nuk kam qenë kurrë, por mbahem mirë dhe madje i ndihmoj nipit në punët e shtëpisë se ka shumë halle. Shoh shumë mirë dhe dëgjoj. E shoh dhe televizorin si gjithë të tjerët.Çfarë punësh bën?Ushqej bagëtitë, gatuaj, dal në bahçe se nipi është në gjendje të vështirë ekonomike, me shumë fëmijë dhe duhet ta ndihmoj. Dua të kem më shumë dele, se kam pak.Ku ke qenë përveç Kukësit në jetën tënde?Po, kam qenë në kohën e Italisë në Kosovë në këmbë. Para ca vitesh u shpërngulëm në Tiranë si gjithë njerëzit e tjerë, por nuk mundëm të jetonim. Pluhur, baltë, papastërti, papunësi dhe me vajzën time, Rahimen lidhëm plaçkat një ditë dhe kur erdhi nipi i thamë se do nisemi për në Buzëmadhe, nuk jetojmë dot këtu. Tirana ishte mirë, por jo për ne. Pashë gra e vajza që kanë marrë pushtetin e po bëjnë qejf e mua mirë më vjen.A ke pension?Jo nuk kam. Shteti duhet me e ndihmue një plakë 100 e kusur vjeçe. E kush ka me i thanë Sali Berishës se është një plakë në Buzëmadhe, ndoshta me i thanë, me e lidh një pension. Vetëm kryetari i komunës më ka ndihmuar disa herë, por nuk marr asgjë nga shteti. Fshati BuzëmadheEshtë fshati më i thellë i Kukësit, 50 km larg tij. Të shkosh sot në këtë fshat është një sfidë e madhe. Rrugët janë mjaft të këqija dhe Komuna Grykë Çajë izolohet për shumë kohë. Fshati sot ka 40 shtëpi, pasi shumë prej banorëve janë larguar në kërkim të një jete më të mirë. Banorët e paktë mbijetesën e sigurojnë më prodhimet vendore dhe kuajt janë mjetet e vetme të transportit. Fshati është 1300 m mbi nivelin e detit. Banorët janë të njohur si blegtorë në bjeshkët e famshme të Kroit të Bardh Tejës dhe Lerës së Sorrave në trekëndëshin kufitar Shqipëri-Kosovë–Maqedoni. Nipi: Gjyshja, më e vjetër se në certifikatëFerit Tola është nipi i Mejremes që e mban gjyshen në shtëpi. “Jam shumë i gëzuar që gjyshja ime është gjallë dhe e fortë. Unë kam gjetur në shtëpinë e saj para shumë vitesh një certifikatë familjare që thoshte se gjyshja ka lindur në vitin 1901. Më pas, një letërnjoftim i viteve ‘60 e shkruan datëlindjen në vitin 1905, megjithatë të gjithë jemi të sigurt se është më e vjetër. Unë do t’i bëj hyzmet deri në vdekje megjithëse nuk jam në gjendje të mirë ekonomike, me 6 fëmijë e pa punë”.