Fshati ngrihet kundër fabrikës së çimentos
Banorët e fshatit Picrragë të Krujës kanë zhvilluar dje një protestë, duke bllokuar hyrjen e një fabrike çimentoje që është ndërtuar në fshatin e tyre. Ata paralajmëruan se nuk do të heshtin nëse marrëveshja e bërë paraprakisht mes tyre dhe përfaqësuesve të firmës që ka ndërtuar fabrikën nuk do të respektohet. Banorët deklarojnë se nuk janë dëmshpërblyer për tokën në të cilën është ngritur fabrika dhe për ambientin e ndotur në të cilin jetojnë. Për rreth dy orë ata kanë bllokuar rrugën në hyrje të fabrikës dhe nuk kanë lejuar mjetet e saj të hyjnë e dalin për aq kohë sa zgjati protesta: “Duam pronat tona”! Të irrituar banorët kanë akuzuar se firma greke nuk u ka dhënë asnjë lek, ashtu siç ishte deklaruar për tokën dhe ndotjen që çdo ditë u dëmton shëndetin, ndërsa ata “kanë mbetur me gisht në gojë”. Sipas protestuesve, firma u ka premtuar se do t’i dëmshpërblejë për tokën, kullotën, bimët mjekësore, do të rehabilitojë infrastrukturën rrugore dhe atë të ujit të pijshëm. Protestuesit kanë deklaruar se do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në reagimin e firmës ndaj zbatimit të marrëveshjes së bërë mes saj dhe përfaqësuesit të fshatit.
#