E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeneralët, luftë deklaratash në gjykatë për Gërdecin

Akuza të forta shkëmbyen mes tyre Astrit Jaupi dhe Shpëtim Spahiu për urdhrin e ngritjes së fabrikës

Gjeneralët e ushtrisë shqiptare, të shkarkuar pas tragjedisë së Gërdecit, janë përplasur dje për herë të parë, duke akuzuar njëri-tjetrin se kanë urdhëruar verbalisht ngritjen e fabrikës së demontimit, e cila më vonë, si pasojë e shpërthimit, do të shkaktonte 26 viktima dhe qindra të tjerë të plagosur, pa llogaritur këtu edhe dëmet e shumta materiale. Ish-komandanti i Forcave Ajrore, Astrit Jaupi, ishte dëshmitari i radhës i thirrur nga prokuroria, i cili u pyet në lidhje me urdhrin e ngritjes së fabrikës së demontimit në një territor ushtarak nga një firmë private. Ai tha se është urdhëruar verbalisht nga ish-komandanti i Forcës Së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Deklarata solli menjëherë reagimin e këtij të fundit, i cili në një deklaratë tha para togave të zeza se nuk ka dhënë asnjë urdhër verbal apo me shkrim për fillimin e punimeve në Gërdec. Në seancë kanë dëshmuar edhe ushtarakë të tjerë dhe një roje i repartit.

Dëshmia e Jaupit

Dëshmitari i parë gjatë seancës së djeshme, dhe më i rëndësishmi për akuzën, ishte ish-komandanti i Forcave Ajrore, gjeneral Astrit Jaupi. “Për fillimin e punimeve në fabrikën e demontimit në Gërdec mora një urdhër verbal nga Shpëtim Spahiu. Më 28 prill më merr në telefon ish-shefi i shtabit të Mbrojtjes Ajrore, Mehmet Metko, dhe më informoi se disa persona kanë ardhur në Gërdec për të kryer punime. I thashë më prit disa minuta sa të flas me eprorët. Komunikova me komandantin e Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu, i cili më tha ‘të lejohen të hyjnë në fabrikë, sepse do t’ua sjellim urdhrin të hënën’. Ata do të bëjnë disa matje për të ngritur një fabrikë dhe kjo është dhe në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, sepse aty do të punojë dhe një firmë amerikane. Unë e dëgjova SAIC dhe jo SAC. SAC është një strukturë brenda Ministrisë së Mbrojtjes, e cila merret me demontim”, deklaroi Jaupi. Më tej ai tha se këtë urdhër ia dha edhe nënkolonel Mehmet Metkos, duke i deklaruar: “Lejojini të punojnë, sepse të hënën do t’ju vijë urdhri për vazhdimin e punimeve”. “Gjatë kohës që kam qenë komandant i Forcave Ajrore nuk më ka ardhur asnjë urdhër, por një kontratë. Na thanë se të zbatojmë pikën 6 të kontratës, e cila ishte lidhur me Komandën e Bashkuar. Kontrata përcaktonte një leje për shesh objekti dhe leje ndërtimi, e cila parashikonte rreth 200 metra katrorë hapësirë për shfrytëzim. Firma filloi punimet në bazë të kontratës, ndërkohë që urdhri nuk kishte ardhur. Disa herë e kam informuar gojarisht gjeneral Shpëtim Spahiun që firma po fillonte punimet pa një urdhër. Duke parë situatën e krijuar janë ndaluar dy-tre herë punimet nga komanda e repartit që e kishte në ruajtje dhe i jemi drejtuar disa herë me shkrim Komandës së Bashkuar. Pas disa komunikimeve me gjeneral Shpëtim Spahiun, ai më tha se ‘objekti shumë shpejt do të kalonte në varësi të MEICOS’. Deklarata e tij erdhi pasi e informova se firma kishte zënë më shumë territor dhe kishte shkelur pikën 6 të kontratës”, vijoi Astrit Jaupi.

Reagimi i Spahiut

Menjëherë pas dëshmisë së Astrit Jaupit, ish-komandantit të Forcave Ajrore, Shpëtim Spahiu e kundërshtoi atë me anë të një deklarate. “Unë nuk kam dhënë asnjë urdhër, as me shkrim dhe as me gojë, që të lejohej kompania private të fillonte punimet në datë 28 prill 2007, pa kontratë, e aq më pak, të kem dhënë një urdhër të tillë për të favorizuar kompaninë ‘Albademil’! Në praktikën e Forcave të Armatosura, çdo urdhër me gojë detyrimisht pasqyrohet në dokumentet e qendrave operacionale në të gjitha nivelet e komandimit. Vetëm kjo dokumenton dhe i jep fuqi ligjore urdhrit. Siç dihet, në Forcat e Armatosura jepen edhe urdhra gojorë, por pa këtë rregullsi kushdo mund të japë një urdhër gojor dhe askush nuk do të mbante përgjegjësi për të”, tha në deklaratën e tij gjeneral Shpëtim Spahiu. Ndërkaq, seanca vazhdoi me dëshminë e Fatmir Hoxhës, ish-shef operativ i Brigadës Ajrore. “Punimet, tha ai, kanë filluar ditën e shtunë, ndërkohë që unë e mora vesh të hënën, pasi më lajmëroi ish-shefi i shtabit, Mehmet Metko. Disa kohë pasi filluan punimet, dërguam një shkresë për të na sjellë urdhrin me shkrim. Më vonë, firma filloi të prishë me forcë objektet dhe ne ndërkohë dërguam një shkresë të dytë, por sërish nuk na erdhi urdhri”. Hoxha tha se komandanti që kishte në varësi repartin e Gërdecit, Hasim Selmani, i kishte thënë se nuk e ndalonte dot prishjen e objekteve. Dëshmitari i radhës në seancën e djeshme ishte Bashkim Allushi, i cili ishte një nga rojet ushtarake që punonin në fabrikë. Ai deklaroi se një ditë në repartin e demontimit në Gërdec kishte ardhur komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu. “Spahiu ishte veshur civil dhe më pyeti nëse kishim ndonjë problem me rojet e firmës private. Qëndroi rreth 45 minuta dhe pastaj u largua”, deklaroi Allushi. I pyetur nga prokurorët se me cilin kishte ardhur Spahiu, Allushi tha që nuk e dinte, pasi kur u takua me të, ai ishte vetëm. Seanca vazhdoi me dëshminë e Nazmi Sherës dhe Dalip Kaut.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›