E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshati pa ujë, emigranti grevë urie prej 3 ditësh në kishë

 

TEPELENE - Mungesa e ujit ka detyruar një emigrant në fshatin Lekël të Tepelenës të hyjë në grevë urie. Dhimitër Shumeli, 47 vjeç, prej pasdites të së hënës është ngujuar dhe siç thotë ai vetë, do të qëndrojë deri në vdekje. “Kam ardhur nga Greqia për të kaluar ditët e nxehta në shtëpinë time në fshat, por sërish si tre vite më parë, gjendja qëndron e pandryshuar, pa ujë të gjithë banorët”, shprehet emigranti 47-vjeçar për gazetën “Panorama”. “Jam i detyruar të ndërmarr një hap të tillë në kushtet kur shteti po i çon njerëzit e vet në shfarosje, se të rrish pa ujë do të thotë të jesh i destinuar të vdesësh”. Për të qenë i besueshëm para bashkëfshatarëve të tij, Dhimitri ka lidhur duart me litar, çka nuk i lejon atij të ndërmarrë asnjë lloj veprimi përveçse të lagë buzët me një pagurë qelqi. Vendi që ka zgjedhur të ngujohet është kisha e fshatit, duke përcjellë një ndjeshmëri te banorët e paktë që kanë ngelur në këtë zonë periferike të Tepelenës. Banorët e kanë përkrahur veprimin e Shumelit, i cili ka zgjedhur që hallet e përbashkëta të tyre të mund t’i zgjidhin vetëm në këtë formë. Mjaft të irrituar, banorët bëjnë fajtor për mungesën e ujit të pijshëm në fshat prej tre vitesh qeverinë dhe pushtetin vendor. Sipas tyre, askush nuk i pyetën kur ujin e gurrës së tyre ua morën dhe ia përcollën qytetit të Tepelenës, duke u lënë një vijë uji sa për të larë gojën. Në 3 vitet e fundit, banorët e fshatit Lekël janë shkatërruar ekonomikisht dhe kulturat e tyre bujqësore janë pakësuar gati në masën 90% në krahasim me vitet e kaluara.      p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›