Shtyhet “Gërdeci”, gjyqi nis me dështim
Armand Bajrami
Dështoi dje në Gjykatën e Lartë seanca e parë e procesit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit. Kolegji i Gjykatës së Lartë shpalli shtyrjen e seancës së parë gjyqësore, në ngarkim të 28 personave të pandehur, për shkak se disa prej tyre nuk ishin të pranishëm. Seanca e parë e gjykimit për 28 personat e pandehur dhe shoqërisë “Albademil”, si person juridik dështoi për shkak të mungesës së mbrojtësit ligjor të njërit prej gjeneralëve të akuzuar për ngjarjen, si dhe prej mungesës së prokurave për dy avokatë të tjerë që mbrojnë të akuzuarit. Të pandehurit “VIP” të kësaj dosje, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk ishin të pranishëm dje në gjykatë. Me anë të prokurave të posaçme, ata u kishin dhënë të drejtën e përfaqësimit avokatëve të tyre mbrojtës. Ndërsa nga 4 personat që janë arrestuar për ngjarjen e rëndë të Gërdecit, vetëm njëri prej tyre, Sokol Gjeci, ka pranuar të paraqitet në gjyq. Ai është sjellë nga burgu 313 në Gjykatën e Lartë nga toga e shoqërimit e policisë së burgjeve ndërsa uniformat blu u kujdesën që imazhet e tij të mos fiksoheshin nga media. Pas prezantimit të palëve dhe legjitimimit të disa prej tyre, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në orën 10:00 të 11 majit 2009.
SEANCA
Akrepat e orës së murit në sallën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë shënonin 10:07, kur trupa e togave të zeza që do të gjykojë dosjen “Gërdeci” u paraqit para palëve. Me shumë karrige dhe tavolina të shtuara, në parashikim të numrit të madh të pjesëmarrësve, salla ishte e tejmbushur. Kolegji penal i kryesuar nga gjyqtarja Majlinda Andrea vijoi me prezantimin e të pandehurve dhe me ligjërimin e mbrojtësve ligjorë të tyre, përmes prokurave të paraqitura prej tyre. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico”-s Ylli Pinari dhe administratori e pronari i kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, nuk ishim prezentë në sallë. Me anë të prokurave ata kishin ligjëruar avokatët e tyre për përfaqësim në procesin gjyqësor. I pandehuri Shkëlzen Madani nuk ishte prezent, ndërsa avokati i tij, Hysni Biti, me anë të një shkrese i kërkonte gjykatës shtyrje të seancës. Nga gjeneralët e akuzuar në sallë ndodhej vetëm ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Pasi verifikoi dokumentet, Gjykata kërkoi saktësimin e gabimit të bërë në deklaratën e të pandehurit Dritan Minxholli. Në dokumentin e lëshuar, me qëllim dhënien e të drejtës së përfaqësimit në mungesë prej avokatit Arben Prifti, Minxolli kishte nënshkruar me emrin Artan dhe jo Dritan siç quhet në të vërtetë. Gjithashtu gjatë seancës u evidentua edhe mungesa e prokurës së përfaqësimit tek avokatët që do të mbrojnë interesat në gjykim për të pandehurit gjeneral Agim Lala dhe ushtarakun Fahri Toska. I pandehuri Zenun Ferro, pohoi se nuk kërkonte avokat dhe se do të vetëmbrohej në gjykim. Shoqëria “Albademil”, në cilësinë e të pandehurit si person juridik do të përfaqësohet në gjykatë nga avokati Arben Prifti, i cili veç shoqërisë mbron edhe interesat e tre personave të pandehur. Pesë përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme në këtë proces, thanë se prania e tyre nuk ishte kusht i domosdoshëm për zhvillimin e seancave. Dosja “Gërdeci” është dosja me numrin më të madh të pandehurve të gjykuar ndonjëherë në gjykatat shqiptare. Të pandehurit e kësaj çështje akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.
Familjarët
Të afërmit e 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit ndoqën dje nga afër tentativën për fillimin e procesit gjyqësor, në ngarkim të zyrtarëve të pandehur për ngjarjen. Përfaqësues të shoqatës “Gërdeci”, të afërm dhe familjarë të viktimave kanë shkuar para Gjykatës së Lartë që në mëngjes dhe më pas kanë pritur derisa hynë në sallën e Kolegjeve të Bashkuara, për të ndjekur nga afër procesin gjyqësor. Pas vendimit të Kolegjit Penal për shtyrjen e seancës, të afërmit dhe familjarët e viktimave ishin personat e fundit që dolën nga godina e gjykatës duke shprehur bindjen e tyre se fajtorët e ngjarjes janë pikërisht personat që nuk pranojnë paraqitjen në gjyq.
Tabela me përfaqësimin në seancën “Gërdeci”
Fatmir Mediu mungon av. Ardian Visha, Petrit Serjani
Ylli Pinari mungon av. Vladimir Bineri
Ardian Mullai mungon av. Vladimir e Andi Meçe
Shkëlzen Madani mungon av. Hysni Biti (kërkesë shtyrje)
Dashnor Caushi prezent av. Mark Pëllumbi
Armand Tartaraj mungon av. Mirash Martini
Luan Hoxha prezent av. Brahim Lahi
Agim Lala mungon av Artan Kodheli
Shpetim Spahiu mungon av. Vladimri Meçe
Zija Bahja mungon av. Luan Hasanaj, Xhemal Gazidede
Ndue Marku prezent av. Bujar Tunci
Ilmi Laçaj prezent av. Agim Tirana
Adriatik Mema mungon av. Alfred Balla
Rezart Tërshana prezent av. Eno Bushi
Denis Hajdari prezent av. Alket Hyseni
Jorgo Mina prezent av. Leonard Dingo
Gëzim Rushati prezent av. Alfred Balla
Fatbardh Kuçi mungon av. Sokol Shazi
Besnik Dauti prezent av. Eno Bushi
Agim Babamiko prezent av. Eno Bushi
Zenun Ferra prezent vetë-mbrojtje
Hysni Çoçka prezent av. Bashkim Nikolla
Fahri Toska mungon av. Agim Hoxha
Fiqiret Mato mungon av. Koçi Mato
Lavdi Shatra prezent av. Gëzim Veleshja e Behar Ipero
Solol Ngjeci prezent av. Nik Progni
Dritan Mixholli mungon av. Arben Prifti
Mihal Delijorgji mungon av. Arben Prifti
Juliana Materit mungon av. Arben Prifti
Albademil av. Arben Prifti