Hetimet për çështjet personale
Trazhgim Sokolaj
Dosja penale e hapur pas ekzekutimit të deputetit Fatmir Xhindi, me akuzën “vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, është pasuruar dje me të dhëna që flasin për persona konkretë të dyshuar. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të hetimit, sipas të cilave dy janë pistat kryesore të përzgjedhura mbi shkaqet e mundshme të krimit. Nga katër pista hetimi, të cilat u ngritën të dielën pas analizës së parë të dosjes, versionet në hetim janë thjeshtuar dje duke mbetur vetëm dy. Përzgjedhja e pistave që mbahen në hetim është bërë duke iu referuar dëshmive dhe informacioneve të administruara dje në dosje nga grupi i hetimit. “Mund të thuhet se mungojnë provat që flasin për një vrasje që lidhet me detyrën e deputetit”, thanë burimet zyrtare, duke pohuar se pavarësisht prioritetit në dy versione, hetimet janë komplekse në disa drejtime paralelisht. Çështja e konflikteve të pronësisë për tokat në fshatin Kurjan si dhe me disa magazina të privatizuara nga deputeti në këtë zonë, është një nga versionet më të forta. Sipas kësaj piste, disa persona që pretendojnë se ishin pronarë të tokës ku ndodheshin magazinat, kanë këmbëngulur për t’i marrë ato deri në mosmarrëveshje me deputetin 49-vjeçar. Ekzistenca e një konflikti të tillë konfirmohet zyrtarisht, edhe pse Prokuroria nuk bën me dije nëse mes palëve ka pasur incidente të tilla për këtë çështje që mund të çonin deri tek krimi i mbrëmjes së shtunë. Hetuesit janë duke verifikuar mbi ekzistencën e një procesi gjyqësor mes palëve në mosmarrëveshje për pronësinë e tokës ku ndodhen magazinat në fjalë. Këto sipërfaqe ishin ndarë sipas ligjit 7501, ndërsa momenti i marrjes së trojeve dhe objekteve në dorëzim është shoqëruar me mosmarrëveshje mes palëve.
Pista e dytë, e cila qëndron ende “në këmbë” sipas burimeve zyrtare të hetimit, është ajo që bën fjalë për një vrasje që lidhet me shkaqet personale të viktimës. Ky version po hetohet në drejtim të zbardhjes së mosmarrëveshjeve që deputeti mund të ketë pasur, së pari, me banorë të zonës. Episodi i parë që hetuesit janë duke verifikuar lidhet me disa ngjarje të ndodhura në Fier në periudhën e viteve 1996-1997, në të cilat ishin përfshirë të afërm të deputetit të ndjerë. Burimet nga hetimi konfirmojnë se pista personale përfshin edhe hetimet që po zhvillohen në drejtim të jetës private të deputetit, ndërsa për këtë pjesë të hetimit autoritetet tregohen të rezervuara në dhënien e detajeve. Dje në orët e mbrëmjes, duke iu referuar pistës së konflikteve të pronësisë së shkaqeve personale, grupi i hetimit mësohet se ka piketuar emra personash konkretë që mund të kenë realizuar krimin. Megjithatë detajet në lidhje me këtë çështje që në fillesat e hetimit po mbahen në sekret të plotë nga policia dhe prokuroria. Hetuesit konfirmojnë dyshimet e tyre se autorët e ngjarjes mund të jenë banorë të zonës që njihnin mirë vendin ku kanë vepruar si dhe viktimën e atentatit.
Si u arrit tek emratkonkretë
TIRANE – Pas përqendrimit të hetimeve në dy pistat kryesore, për konflikte pronësie dhe probleme personale të viktimës, grupi hetimor ka listuar disa emra personash të dyshuar. Emrat mësohet se janë përzgjedhur mbi bazën e verifikimeve për ata persona që kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet e pronësisë dhe problemet e mundshme personale të deputetit Fatmir Xhindi. Emrat e personave të dyshuar mësohet se veç provave penale janë verifikuar edhe mbi bazën e informacioneve operative të mbledhura nga agjentët e Policisë së Shtetit dhe strukturat e specializuara që janë angazhuar me hetimin e ngjarjes. Megjithatë, pavarësisht lakimit të emrave konkretë të personave të dyshuar, Prokuroria konfirmoi se nuk ka nxjerrë ndonjë urdhër-ndalimi në lidhje me individët në fjalë. Në rast të ekzistencës së provave të qarta, organi i akuzës sipas ligjit dhe procedurës penale mund të veprojë me urdhra ndalimi, të cilët pas verifikimit të të dyshuarve në Policinë Gjyqësore mund të lihen të lirë ose ndaj tyre merren masat përkatëse nëse rezultojnë të implikuar në krim.