Prokuroria hetim avokateve te Gerdecit
Procesi më në zë, ai për çështjen “Gërdeci”, është duke hasur vështirësi në zhvillimin normal të tij. Pezullimet e herëpashershme të seancave, kryesisht për mungesë të palës mbrojtëse, janë duke ndikuar në zvarritjen e këtij gjykimi. Nisur nga kjo, prokuroria do të kërkojë hetimin e mungesës së avokatëve në procesin “Gërdeci”, të cilët kanë paraqitur si justifikim raport mjekësor. Sipas prokurorisë, i është kërkuar Dhomës së Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë që të verifikojnë justifikimin e paraqitur nga avokatët e disa prej të pandehurve. Kjo është e disata herë që në morinë e seancave të shtyra nga trupi gjykues, shkak për këtë bëhen avokatët mbrojtës. Ndaj dhe organi i prokurorisë ka kërkuar që procesi të zhvillohet normalisht dhe mbrojtja të jetë prezent në sallë, ndërsa ata do të paraqesin provat për të pandehurit e kësaj çështjeje. Por edhe seanca e radhës nuk u zhvillua, ndaj dhe Gjykata e Tiranës e shtyu për të premten shqyrtimin e çështjes më të madhe të gjykuar ndonjëherë nga drejtësia shqiptare me 28 të pandehur, pjesa më e madhe ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Mbi të pandehurit e kësaj çështjeje rëndojnë një sërë akuzash të rënda.
Seanca e parashikuar për t'u zhvilluar dje, ku pritej të shqyrtoheshin provat e organit të prokurorisë kundër të pandehurve, u shty për shkak të mungesës së tre prej avokatëve mbrojtës në proces.
Seancën e kaluar Gjykata e Apelit ktheu për rigjykim në Gjykatën e Faktit kërkesat e të pandehurve të procesit “Gërdeci”, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari mbi lirimin e tyre nga qelia, për shkak të skadimit të afateve të gjykimit të çështjes. Vendimi u dha nga një trup gjykues i drejtuar nga kreu i Gjykatës së Apelit, i cili mori në shqyrtim kërkesat e mbrojtjes së të akuzuarve kryesorë, që pretenduan se kanë kaluar më tepër se 100 ditë nga afati ligjor për përfundimin e hetimeve ndaj tyre.
Përfaqësuesja e organit të akuzës kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Faktit, por nuk u shpreh nëse Gjykata e Shkallës së Parë duhet të llogariste ditët e kaluara në qeli nga të arrestuarit. Në fund, trupi gjykues vendosi të rikthente për rigjykim çështjen në Gjykatën e Tiranës, me detyrën që kjo gjykatë të llogariste të gjitha ditët e kaluara më tepër nga Delijorgji e Pinari. Më parë, e njëjta gjykatë rrëzoi kërkesën e Dritan Minxollit, kunatit të Mihal Delijorgjit, i bashkëpandehur me të, për lirim me të njëjtin argument.
Të pandehurit e çështjes “Gërdeci” akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, fare pranë kryeqytetit, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, ndërsa qindra të tjerë u plagosën. Nga kjo ngjarje pati dëme të shumta materiale në zonën përreth.