Fshati,Berisha: Më 1 maj dyfishojmë pensionet
Kryeministri vijoi takimet në Fushë-Krujë nga ku premtoi shtrimin e rrugëve
Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, shkoi kësaj here në Fushë-Krujë dhe rrethinat e saj, nga ku premtoi për banorët e zonave rurale se qeveria e tij do të shtrojë rrugët dytësore. Ai tha se infrastruktura do të vazhdojë të jetë prioritet i kësaj qeverie. Njëkohësisht Berisha premtoi rritjen e pagave dhe pensioneve, duke nisur nga 1 maji i këtij viti, që sipas premtimit të qeverisë, pensionet në fshat do të dyfishohen.
Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Sali Berisha shkoi dje në Fushë-Krujë, ku në qendër të premtimeve të tij ishte infrastruktura dhe zonat rurale. Duke u ndalur në fshatin Luz i Poshtëm, ku u përurua përfundimi i sistemimit dhe asfaltimit të të gjitha rrugëve lidhëse me qytetin, kreu i qeverisë tha se më 1 maj të këtij viti, pensionet e fshatit do të dyfishohen. Ai premtoi se qeveria e tij ka për të barazuar pensionet me ato të qytetit. “Së bashku, ne kemi realizuar transformime të mëdha në infrastrukturë, së bashku ne kemi realizuar rritje të madhe të rrogave dhe pensioneve. Në 1 maj të këtij viti, ne dyfishojmë pensionet e të gjithë fermerëve shqiptarë dhe unë ju jap fjalën se do të qëndroj i vendosur deri në barazimin e këtyre pensioneve me ato të qytetit”, - deklaroi Berisha. Kreu i qeverisë tha më tej se qeveria e tij ka mbajtur premtimet. Ai kujtoi se janë rregulluar mijëra kilometra rrugë rurale në mbarë vendin. Njëkohësisht Berisha premtoi se ndaj fshatit do të ketë një vëmendje më të madhe në mandatin e dytë. “Ajo për të cilën ne ndihemi të detyruar ndaj fermerëve shqiptarë, është që të investojmë që ata të kenë rrugët, ujësjellësin, kanalizimet, shkollat, shërbime të njëjta me ato të qyteteve”, - tha Berisha. Ai tha më tej se qeveria ka asfaltuar rrugët rurale. “Kemi asfaltuar mijëra e mijëra metra rrugë në zonat rurale. Vërtetë mediat, me shumë të drejtë, ndalen në akset kombëtare rrugore, por unë ju garantoj se, e vlerësuar me kilometra, shumë më të shumta janë kilometrat që ne kemi investuar në rrugët rurale, në infrastrukturën e fshatrave”, - vijoi Kryeministri.
Në janë e tij përpara qytetarëve të Fushë-Krujës, Berisha tha se mes programit të tij dhe politikës së drejtuar nga Edi Rama, ka një ndryshim thelbësor. Ai tha se ndryshimi ndodhet djathtas. “Për të gjithë ata që i thonë dritës dritë, i thonë ditës ditë, i thonë ndryshimit ndryshim, ky është ndryshimi më i madh që qytetarët e Fushë-Krujës dhe qytetarët e mbarë Shqipërisë kanë përjetuar dhe do të përjetojnë në jetën e tyre. Ky është realizimi më madhështor, i atyre, të cilët të frymëzuar nga Skënderbeu dhe rilindasit tanë projektuan Shqipërinë zonjë në Perëndim”, - u shpreh Berisha. Kreu i mazhorancës u shpreh i bindur për një mandat të dytë qeverisës dhe këtë siguri ai e lidhi me punën e qeverisë, si dhe projektet konkrete të ekipit të mazhorancës. “Unë ju jap fjalën se të gjitha këto premtime ne do t’i shndërrojmë në realitet. Besoj se ky mandat qeverisjeje ka bindur çdo shqiptar, pavarësisht nga përkatësia politike, se kjo qeveri premtimet i shndërron në realitet. Shpreh bindjen se së bashku, në mandatin e dytë, do të shndërrojmë në realitet dhjetëra e dhjetëra projekte, të cilat presin për t’u zbatuar”, - deklaroi Berisha. Në Fushë-Krujë u përurua fillimi i punimeve në rrugën Fushë-Krujë – Krujë, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 59 milionë.
Berisha: Fonde për studentët jashtë vendit
Kryeministri Sali Berisha premtoi dje se qeveria e tij do të rrisë fondin e ekselencës, për studentët apo studiuesit shqiptarë, të cilët fitojnë të drejta studimi jashtë vendit. “Kjo përbën një mundësi të madhe për të gjitha universitetet publike dhe private që të konkurrojnë për këtë fond, që është absolutisht pa limit. Në rast se sot është 1 milion, për fat të keq, kërkesa është nën të, por në qoftë se kërkesa do të jetë tre milionë, ai do të jetë 3 milionë, në qoftë se kërkesa do të jetë 5 milionë, ai do të bëhet 5 milionë, sikundër ne inkurajojmë studentët tuaj të aplikojnë për studime në dhjetë universitetet më të mira të botës”, - deklaroi Berisha duke thënë se kushti i kësaj kontrate do të jetë kthimi në Shqipëri. Deklaratat e Kryeministrit u bënë dje gjatë ceremonisë së kthimit të studentëve të parë të fondit të ekselencës në kuadër të programit për rikthimin e trurit në atdhe. Kryeministri premtoi më tej shtimin e buxhetit në arsim. Programi “Brain Gain” synon të identifikojë dhe nxisë kthimin e të talentuarve në diasporën shqiptare pranë institucioneve publike, institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencës e sektorit privat. Ky program bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 30 korrik 2008, me anë të të cilit qeveria shqiptare dhe PNUD-i kanë mobilizuar 1 milion dollarë në mbështetje të kthimeve të qëndrueshme në administratë dhe në institucionet e arsimit të lartë.