E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora e Debatit, Ilir Meta përballë gazetarëve

Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij pas zgjedhjeve në emisionin e gazetarit Alfred Peza "Ora e Debatit". Përballë një paneli analistesh, Ilir Meta i ka kthyer përgjigje lideri të PS-së, Edi Rama, duke sqaruar se ftesa për bashkëpunim ishte konstruktiv dhe nuk meritonte përgjigjen e dhënë nga lidershipi socialist. Në emisionin "Ora e Debatit", Meta ka sqaruar se nuk do të ftonte Edi Ramen për të votuar për LSI-në, por do të përpiqej për një koalicion që e majta të ndërtonte një qeveri pas 28 qershorit.Përballë analistëve Agim Isaku, Sonila Meço dhe Çlirim Peka , përgjatë dy orëve kreu i LSI-së, Meta megjithatë nuk ka deklaruar prerë se kush do të ishte kryeministri i një qeverie që do të krijohej nga aleanca PA-LSI. Sipas Metës të gjitha çështjet e koalicionit duhen shqyrtuar pas zgjedhjeve në rastin kur PS ose LSI nuk arrijnë të marrin 71 deputete.Ndërkaq kreu i LSI-së, Meta ka zbardhur se një prej kushteve të aleancës me PS-në, do të jetë referendumi qytetar për kushtetutën, çështje nga e cila LSI-ja nuk tërhiqet. Sipas Metës, nuk mund të ketë asnjëherë aleancë me PD-në, dhe mundësia për një koalicion me PS-në nuk është hedhur asjëherë poshtë nga LSI-ja ndaj nuk mund të flitet për ndryshim pozicioni kundrejt kësaj partie."Nuk ka kthesë të LSI-së kundrejt PS-së, deklarata ime për koalicion paszgjedhor me PS-në është konfirmim i qëndrimit tonë që ka qenë konstant.LSI është një forcë që kërkon daljen në pension të Berishës dhe fitoren e së majtës progresiste", tha Meta.Sipas tij, deklarata që ai ka bërë ka qenë kaq shumë e përfolur dhe një surprizë për përfaqësues të caktuar të medias sepse ka pasur amplifikim nga disa prej emrave nga PS-ja sikur LSI do bashkëpunojë me Berishën,"por në fakt unë nuk kam folur asnjëherë për bashkëpunim me të", theksoi Meta. Sipas Ilir Metës, LSI-ja mbetet forca më opozitare përballë qeverisë aktuale.Ai nënvizoi se nuk i beson sondazheve të zhvilluara deri tani, pasi ato japin shifra false. "Këto sondazhe përpiqen thjesht të dekurajojnë votuesit.Ne e njohim pozicionin tonë në zgjedhje", shpjegoi ai. Meta deklaroi se prioriteti i partisë që ai drejton është ulja e varfërisë dhe rritja e punësimit për shqiptarët.
Gazetarja Sonila Meço theksoi se pas deklaratës për koalcion paszgjedhor me PS-në, Meta nuk mund të fajësojë të majtën se humbi zgjedhjet sepse u përça, nëse fiton e djathta. Sipas saj, mënyra se si do votohen votat për PSD,PDS do jetë sërish Dushk. "Si për Ramën dhe Berishën këto zgjedhje janë jetë a vdekje", tha ajo.Sipas analistit, Agim Isaku, Rama dhe Meta në mes të konlikteve mes tyre po largon elektoratin e pavendosur.Ai vlerësi se "LSI-ja ka qenë më konstante në luftën kundër Berishës". Isaku theksoi se klasa politike shqiptare nuk ka vullnetin për të bërë zgjedhje të lira. Çlirim Peka tha se deklarata e Metës rrëzon aksionin politik të PS-së. "Rama, Gjinushi dhe Milo ndihen të pezmatuar përballë votuesve të majtë", tha analisti. Peka nënvizoi se për elektoratin demokrat Ilir Meta është më i paparanueshëm se Edi Rama. Për më shumë se dy orë kreu i LSI-së,Ilir Meta në emisionin "Ora e Debatit" ka sqaruar pozicionin e ri të LSI-së për qëndrimin pas zgjedhjeve të 28 qershorit , pozicion i cili ka ngjallur shumë debate.
Pyetjes së sondazhit nëse aleanca me PS shton apo ul votat e LSI-së,65.3 % shkuan pro shtimit të votave të kësaj partie dhe 34.7 % për uljen e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›