E Diel, 1 Nëntor 2026

Iknin në këmbë për në Greqi, mbeten në dëborë nëntë të rinj

Pasi u bllokuan në afërsi të Kosturit, kërkuan ndihmë nga të afërmit me telefon. Policia greke i gjeti shpejt

Tentojnë të kalojnë kufirin ilegalisht, mbeten të izoluar në mes të borës disa emigrantë shqiptarë. Një grup të rinjsh të moshave 17 deri në 26 vjeç, pasi kanë marrë rrugën më këmbë për të ikur nga mali në drejtim të Greqisë, kanë ndërprerë udhëtimin në kufirin e gjelbër, për shkak të borës së dendur. Të mbetur të izoluar dhe në pamundësi për të vijuar udhëtimin, ata kanë kërkuar ndihmë dhe ndërhyrjen e menjëhershme nga policia. Ajo deklaron se bëhet fjalë për nëntë të rinj nga Peqini dhe Lushnja, të cilët kanë mbetur të izoluar në dëborë në territorin grek, por fatmirësisht, pas sinjalizimit është bërë gjetja e tyre. Mësohet se pas disa orësh udhëtimi më këmbë, grupi i emigrantëve klandestinë kishte arritur në afërsi të Kosturit dhe aty ishin bllokuar nga bora. Pas sinjalizimit për ndihmë, emigrantët janë gjetur nga policia greke në thellësi të zonës dhe menjëherë është bërë riatdhesimi i tyre për palën shqiptare. Sipas policisë, emigrantët ishin nisur për të kaluar kufirin ditën e diel dhe dje kanë kërkuar ndihmë. Policia shqiptare ka sinjalizuar atë greke dhe emigrantët janë gjetur pas dy orë kërkimesh. Më pas ata janë dorëzuar në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Të rinjtë e bllokuar në borë janë: Mondi Paja, 26 vjeç, Besim Kashari, 17 vjeç, Klement Suli, 20 vjeç, Hajri Sulko, 23 vjeç, Valter Elezi 22 vjeç, Ariel Xhaja, 20 vjeç, Tomorr Sulko, 24 vjeç, Kreshnik Sulko, 22 vjeç, dhe Servet Sulko 22 vjeç. Nëntë të rinjtë ishin nisur nga mali në zonën e Kapshticës dhe pasi kishin kaluar në territor grek e kanë pasur të pamundur udhëtimin e mëtejshëm për shkak të motit të keq dhe stuhisë së borës që ka vazhduar gjatë gjithë ditës së diel. Ata kishin mbetur të bllokuar në fshatin e parë në afërsi të Kosturit dhe pas gjetjes së tyre, sipas policisë, fatmirësisht të rinjtë klandestinë nuk kanë paraqitur probleme shëndetësore. Ata janë marrë në pyetje nga policia dhe mesditën e së hënës janë nisur drejt qyteteve të lindjes. Të rinjtë kanë deklaruar se janë traumatizuar dhe kanë pasur frikë se do të ngrinin në borë kur ka shpërthyer stuhia dhe i ka bllokuar për disa orë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›