Shkarja e dherave bllokon aksin rrugor Berat- Çorovodë
Bllokohet për orë të tëra qarkullimi i mjeteve në aksin rrugor Berat-çorovodë, si rezultat i bllokimit të rrugës nga dherat dhe gurët. Drejtuesit e mjeteve, dje, në orët e para të mëngjesit, janë bllokuar në afërsi të fshatit Kakrukë në dalje të Komunës së Bogovës. Si rezultat i shirave të shumta të rëna gjatë natës në orët e para të mëngjesit, sasi të mëdha dherash dhe gurësh kanë përfunduar në rrugë. Drejtuesit e mjeteve tregojnë se në shumë segmente ky aks është paraqitur me vështirësi për lëvizjen e lirë, por më problematik ka qenë segmenti që lidh Komunën Bogovë me qytetin e çorovodës. Gurë të përmasave të mëdha, por dhe sasi dherash kanë përfunduar në rrugë, si pasojë e terrenit të thyer dhe mungesës së rrjetave mbrojtëse në një krah të rrugës. Për pasojë, automjetet janë detyruar të dalin në anë të rrugës, duke pritur që punonjësit e mirëmbajtjes të pastrojnë aksin nga mbetjet e shumta të dherave dhe gurëve. Fatmirësisht shkarja ka ndodhur gjatë natës, kur nuk ka pasur lëvizje në rrugë.
#