E Diel, 1 Nëntor 2026

Inflacioni, BSH: Qeveria rriti çmimet

Qeveria ka dhënë ndikimin e vet jo të parëndësishëm në inflacion, përmes rritjes së çmimeve për shërbimet publike. Banka e Shqipërisë ka konstatuar se efekti i çmimeve të administruara në normën vjetore të inflacionit ka qenë 0.7 për qind dhe pas ushqimeve është elementi i dytë që e ka kërcyer inflacionin në nivelet aktuale. "Lëvizja e çmimeve të administruara, e cila konsiston në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në muajin mars 2007, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në inflacion. Pa këtë efekt, norma vjetore e inflacionit do të ishte vetëm 3,7 për qind", thotë Banka Qendrore. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Mbikëqyrës ka bërë dhe parashikimet për ecurinë e çmimeve në treg në vazhdimësi përgjatë vitit. "Për pjesën e mbetur të vitit dhe deri në tremujorin e parë të vitit në vazhdim, pritet që normat e rritjes vjetore të nivelit të përgjithshëm të çmimeve të luhaten edhe për pak kohë rreth vlerave aktuale, duke u rikthyer në fund të vitit brenda intervalit të tolerancës së synuar nga politika monetare", thuhet në deklaratën e këshillit. Ky është parashikimi në një ecuri normale. Por banka nuk përjashton rreziqet në vazhdimësi. "Megjithatë, rreziqet që mund të devijojnë supozimet e bëra në parashikim janë të pranishme dhe në pjesën më të madhe janë të vendosura nga kahu i ofertës së jashtme dhe të brendshme. Kostot e shkaktuara nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore, pritet të vazhdojnë të ushtrojnë presione të drejtpërdrejta mbi çmimet e konsumit dhe të japin ndikime të tërthorta mbi çmimet e prodhimit", vijon deklarata. Efektet e raundit të dytë janë pritshmëritë për rritje të çmimeve, si pasojë e rritjes së kostove të prodhimit, presioneve për paga më të larta etj., të cilat shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve, duke e futur ekonominë në një rreth vicioz mjaft të dëmshëm.

Ndërtimi drejt kolapsit

Por një shqetësim tjetër mjaft i madh, tashmë jo më vetëm për Bankën e Shqipërisë, por edhe për ndërkombëtarët, mbetet sektori i ndërtimit, i cili po kalon një krizë të stërzgjatur. "Dega e ndërtimit vazhdon të karakterizohet nga një situatë jo e qartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2008. Ngadalësimi i ritmit të rritjes së aktivitetit ekonomik të sektorit të ndërtimit, krahasuar me ecurinë mesatare të viteve të fundit kërkon vëmendje, nisur nga roli dhe kontributi që ky sektor ka në ekonominë vendase", thuhet në deklaratën e bankës. Pak kohë më parë, shefi i Misionit të Fondit Monetar për Shqipërinë, Gerwin Bell, deklaroi në Tiranë se kriza e ndërtimit mund të shndërrohet në një rrezik të fortë për rritjen e kredive të këqija. Kjo do të zhyste sistemin financiar në një kaos.

Mbikëqyrja për kredinë

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 është rritur mesatarisht me 47.3% në terma vjetorë. Në terma absolutë kredia vazhdon të zgjerohet, sikurse edhe një vit më parë, me rreth 22 miliardë lekë. Në muajin mars, raporti i kredisë ndaj parasë së gjerë dhe ndaj PBB-së arriti në nivelet prej 40.9% dhe 31.4%, respektivisht. Banka e Shqipërisë mbetet e shqetësuar dhe mendon se stabiliteti financiar i vendit kërcënohet nga një sërë faktorësh. "Rreziqet në këtë drejtim janë të lidhura me ambientin global, me atë rajonal dhe në rrafshin e brendshëm me shtimin e vrullshëm të kredisë për ekonominë. Përveç rrezikut të kredisë dhe rrezikut të kursit të këmbimit, ekzistojnë dhe rreziqe të lidhura me faktorë të jashtëm. Zgjerimi i krizës së kredive në Evropë, ngadalësimi i mundshëm i aktivitetit ekonomik të ekonomive partnere, prania e të njëjtave institucione bankare në shumicën e vendeve të rajonit, janë zhvillime që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme", përfundon deklarata e bankës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›