E Diel, 1 Nëntor 2026

Manuel Marulanda, komandant i gueriljeve "Farc" gjatë katër dekadave rebelim kundër shtetit kolumbian

Pedro Antonio Marín, lideri 70-vjeçar i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, të njohura si "Farc", i njohur më shumë si Manuel Marulanda Vélez, arriti të pozicionojë personalitetin e vet në Kolumbi, për mirë apo keq qoftë, shumë më mirë se të gjithë bashkatdhetarët e tjerë gjatë shekullit XX. Njihej gjithashtu edhe si Tirofijo ("krisma"), një nofkë luftarake për të cilën shprehej se qe shumë e dhunshme për dikë që synonte arritje sociale dhe jo ushtarake.

Lindi në vitin 1930 dhe ishte më i madhi i pesë fëmijëve të Pedro Pablo Marí Galjegos, pronar i vogël tokash dhe mbështetës i Partisë Liberale. Deri ditën e vdekjes, Marulanda ruajti tiparet e fshatarit kolumbian, mosbesues, kokëfortë dhe dyshues mbi gjithçka - veçanërisht përballë zotërinjve të qytetit, diçka që i krijoi vështirësi "Farc"-ut të gjente shtrirje në qendrat e mëdha.

Që adoleshent tregoi shenja të një karakteri shumë të fortë. Sipas biografit të tij, Arturo Alape, u largua nga shtëpia në moshën 16-vjeçare dhe ngriti një biznes të vogël ndërtimi. U zhyt në sportin e skermës, si edhe në ushtrimin në violinë me të njëjtin entuziazëm.

Përvojën e parë të dhunës së politikës kolumbiane e vërejti me vrasjen në qendër të qytetit Bogota të liderit liberal Horge Eliéser Gaitá, më 9 prill të vitit 1948. Vrasja e zhyti vendin në një pellg gjaku. Konservatorët luftonin kundër liberalëve. Përplasja quhej thjesht "Dhuna" dhe vazhdon edhe sot, pas 60 vjetësh në konfliktin civil. Terrori qeveritar dhe ai opozitar kanë shkaktuar miliona të vdekur dhe kanë detyruar miliona të tjerë të largohen nga shtëpitë: por nga ana tjetër nuk ka ndryshuar asgjë kur vjen fjala te përqendrimi i pasurive të vendit në duart e pak individëve.

Pedro Antonio Marín pa me sytë e vet rebelimin e një fshati kundër autoriteteve dhe u hodh shpejt në radhët e liberalëve. Më pas kujton se si trupat e 260 mbështetësve të liberalëve u lanë në qytetin Betania të shqyheshin nga kafshët e shpezët.

Shpejt tregoi cilësi prej lideri dhe u caktua si komandant i forcave liberale të zonës, duke nisur edhe jetën prej guerilasi që nuk do ta braktiste kurrë më.

Gjatë viteve pesëdhjetë përjetoi edhe përvojën primitive të komunizmit, i cili u aplikua në disa fshatra të zonës së Tolimës, e njohur më mirë si El Davis. Vendimi i liberalëve lokalë për të mbështetur politikisht gjeneralin autoritar Gustavo Rohas u prit me neveri nga guerilasi i ri. Shpejt Rohas i hodhi sytë drejt Presidencës së vendit dhe qëndroi në pushtet me mjete aspak demokratike që nga viti 1953 në 1957.

Pedro Antonio Marín qe një prej komandantëve të grupit prej 270 luftëtarësh që ngriti më këmbë Lëvizjen Revolucionare të Tolimës së Jugut, u largua nga El Davis për t‘u vendosur në zonën e quajtur "Republika e Marketalias", jashtë kontrollit qeveritar. Mori emrin Manuel Marulanda për nder të një komunisti që u vra në Medelin, në vitin 1951.

Forcat "Farc" u krijuan zyrtarisht në vitin 1966 dhe Marulanda ishte një prej pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm. Gjithsesi "Farc" qartësoi menjëherë se nuk kishin lindur nga Partia Komuniste Kolumbiane dhe se nuk qe krahu i armatosur i saj. "Jemi të pavarur", tha një prej komandantëve, "nuk varemi nga ata dhe as që kemi ndërmend të tërhiqmi ditën që do të na e kërkojnë ata".

Që prej ditëve të para të Farc Manuel Marulanda qe një prej liderëve më në zë, duke qenë një prej gjashtë njerëzve që përbënin Shtabin e Përgjithshëm prej 25 anëtarësh. Nën Marulandën organizata u kthye në një makinë lufte të frikshme e shumë të organizuar.

Përveç një numri të caktuar grupesh të përbëra nga gjashtë vetë, njësitë luftarake të "Farc" (UTC, njësi taktike luftarake bazë për 17 mijë njerëzit që numërohen në këtë forcë) përbëheshin nga skuadra prej 12 personash; gueriljet përbëheshin nga dy skuadra; kompanitë përbëheshin nga dy guerilje; kolona prej 110 vetash nga dy ose më shumë kompani, ndërsa një Frente (Balli) përbëhej nga një apo dy kolona. Përveç këtyre gjendeshin edhe "dy komanda të bashkërenduara" nëpër zona me aktivitet më të ulët. Organizata drejtohej nga Shtabi Qendror. Gjatë kohëve të fundit, Marulanda nuk pranoi të hiqte dorë nga rekrutimi i fëmijëve, shumë prej tyre edhe nën moshën 10-vjeçare.

Manuel Marulanda bëri gjithçka mundi dhe përdori për lëvizjen guerilase të gjitha përfitimet financiare që vinin si rezultat i trafikut të drogës. Në vitin 1982, vendosi një taksë mbi rritjen e kokainës, mbi prodhimin e pastës bazë (faza e parë e prodhimit të kokainës), si edhe mbi fluturimet jashtë kufijve. Sipas ekspertëve kolumbianë, të ardhurat nga ky aktivitet qenë jo më të pakta se 100 milionë dollarë në vit.

Manuel Marulanda vazhdimisht organizoi fshatarët për të ndalur nismat qeveritare me qëllim kufizimin e trafikut të drogës. Në vitet 2000, vetë "Farc" u hodhën në prodhimin e pastës bazë dhe planifikonin që gjatë viteve në vazhdim të promovonin mbjelljen e bimës së kokës.

"Farc" arritën të ngrinin një rrjet mjaft eficent bankar në të gjithë botën për të menaxhuar me lehtësi fitimet, praktikë që shpejt u përqafua edhe nga forcat e djathta paramilitare. Gjithsesi, guerilasit u përfshinë gjithnjë e më shumë në trafikun e drogës, duke hedhur kështu hije të errëta mbi qeverisjen e Presidentit Alvaro Uribe, i cili u detyrua të pushonte disa ministra që qenë të përfshirë në këtë trafik.

Me kalimin e viteve Marulanda arriti t‘i forcojë jashtëzakonisht shumë forcat guerilase. Kjo falë këmbënguljes te parimet e veta bazë: aftësinë për t‘u shtrirë në territore të reja; lidership me dorë të hekurt brenda radhëve; planifikime afatgjata dhe promovimi i rolit të femrës brenda lëvizjes.

Qeveria kolumbiane, edhe me shtimin e mbështetjes me trupa nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkë me sasi masive financimesh - Uashingtoni ka dhënë 5.5 miliardë dollarë në shtatë vite - nuk është në gjendje të mbajë nën kontroll zonat rurale, ndërkohë që "Farc"-u i krijuar nga Marulanda nuk është i aftë të shtrihet në qytete.

Pavarësisht mjeteve të kushtëzuara të komunikimit dhe bashkërendimit në një zonë gjigande tropikale, Marulanda arriti të mbajë nën kontroll të rreptë vartësit e tij të afërt: Horge Brisenjo Suárez, Alfonso Kano, anëtarin më aktiv dhe më luftarak në gjirin e lidershipit (i diplomuar dhe shumë i aftë politikisht), si edhe ish-mësuesin e shkollës Raul Rejes, zëdhënësin e forcave "Farc", i cili drejtoi disa negociata me qeverinë (i vrarë më 1 mars gjatë një sulmi ajror). Që të gjithë këta zinin rangjet më të larta të organizatës, por kurrë nuk guxuan të sfidonin plakun e fortë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›