E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i mbytur pas pesë ditësh kërkime

17-vjeçari nga Tepelena u mbyt në lumin e Zagories

Pas pesë ditësh kërkime në ujërat e rrëmbyer të lumit të Zagories dhe Vjosës, është gjetur trupi i 17-vjeçarit të mbytur nga fshati Peshtan i Tepelenës. Trupi i Kristo Gjokës u gjet nga grupet e policisë dhe të afërmve të tij rreth 300 metra larg vendit ku ai humbi ekuilibrin, në vendin e quajtur “Monikë”, rreth 3 km para se ky lumë të bashkohet me Vjosën. Në orët e pasdites, kufoma u nxor nga uji dhe iu dorëzua familjes. Kristo Gjoka ishte njëri prej dy banorëve të Peshtanit, që kishin shkuar për të prerë dru rreth orës 13:30, të datës 17 shkurt, në pyllin që ndodhet në anë të lumit. Qëllimi i tyre ishte për të ndërtuar një pritë të improvizuar mbi lumë, me qëllim që t’i ndryshonin rrjedhën dhe për të krijuar mundësi që bagëtitë e trasha të cilat kullosnin, të kishin mundësi të kalonin në anën tjetër të lumit. Në momentin e fundit, kur trungu i prerë i një rrapi ka rënë në tokë, Kristo Gjoka ka rrëshqitur bashkë me trupin e pemës në lumë dhe rrjedha e pazakontë e ka marrë dhe ai s’ka mundur dot të dalë në breg. Në ditën e tretë të kërkimeve kanë ardhur për ndihmë edhe pjesëtarët e një skuadre palombarësh nga Tirana, të repartit special “RENEA”, të cilët vazhduan zhytjet për dy ditë rresht. Pasditen e djeshme u bë e mundur gjetja e viktimës, të cilin e kishte nxjerrë rrjedha jo shumë larg vendit ku ai ra në ujë dhe u mbyt.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›