Fshehja e pasurisë, kryeinspektori: Ndjekje penale 14 zyrtarëve
Fshehja e pasurisë ka detyruar ILDKP-në që të bëjë kallëzim penal në prokurori për 14 zyrtarë të lartë. Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në Shqipëri, Adriatik Llalla, pohoi dje për “Evropa e lirë”, se nuk mund të përgjithësohet, por as të mohohet, se ka zyrtarë që përpiqen ta fshehin pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme, duke përfituar nga fondet publike. Ai vuri në dukje se gjatë këtij viti është kërkuar kallëzim penal për 14 zyrtarë, konkretisht dy ambasadorë, një prokuror rrethi, zyrtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë etj. “Për raste të evidentuara dhe të provuara me dokumente shkresore, ne i jemi drejtuar organit të Prokurorisë për ndjekje penale. Gjatë vitit 2009, ne kemi kërkuar kallëzim penal për 14 zyrtarë. Pavarësisht këtyre shifrave, natyrisht mund të themi se ka ende shumë punë për të arritur krijimin e një administrate të pastruar nga elementi korruptiv. Zyrtarë të lartë, sipas kuptimit të ligjit, gjenden në radhën e subjekteve që ju përmenda më lart, që kemi dërguar për ndjekje penale. Janë dy ambasadorë, një prokuror rrethi, zyrtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë etj.”, - u shpreh kryeinspektori Adriatik Llala.