Mamurras, Berisha inauguron 65 milionë lekë investime
Kryeministri Berisha inauguroi dje përfundimin e rikonstruksionit të rrugës Fushë Mamurras-fshati Adriatik, me gjatësi 9 kilometra dhe investim të buxhetit të shtetit me vlerë rreth 65 milionë lekë. Në takimin me banorë të Mamurrasit, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe autoritete të qeverisjes vendore, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e kësaj rruge jo vetëm në aspektin turistik, pasi lidh këtë zonë dhe afron Mamurrasin, Kurbinin dhe Krujën me bregdetin, por ndihmon edhe fermerët e zonës për të arritur më shpejt dhe më me lehtësi tregun. Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e qeverisë për të shumëfishuar përpjekjet, ndihmën dhe investimet për zhvillimin e bujqësisë. “Koncepti ynë, - tha kryeministri, - është se pa fshat të zhvilluar, nuk ka Shqipëri të zhvilluar. Rimëkëmbja e madhe ekonomike kërkon dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, detyrë kjo jo e thjeshtë, e vështirë, por absolutisht e mundshme”. Sipas Berishës, Shqipëria ka nevojë jetike për një infrastrukturë moderne, ndërsa premtoi se këto katër vjet do të ndihmohen fermerët shqiptarë. Ne, - shtoi Kryeministri, - jemi të vendosur të trefishojmë investimet, para së gjithash, në infrastrukturë, në rrugë, shkollë, ujësjellës dhe kanalizime. Por, paralel me to, investimet tona do të shkojnë me vaditje, agro-përpunim, në nxitjen e prodhimit. Z. Berisha shprehu bindjen se “në këtë katërvjeçar ne do të kemi një Mamurras, Fushë Kuqe, Gurzë, Kurbin, Adriatik evropian”.