Hungaria lobon për Shqipërinë në BE
Hungaria pas një viti merr Presidencën e radhës së BE-së, por që tani ka vendosur të lobojë për hyrjen e Shqipërinë në familjen evropiane dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt vendeve të zonës “Shengen”. Kjo iu bë e ditur kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë konferencës së katërt rajonale të kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, ku mori mbështetje të plotë nga homologu i saj hungarez, Bela Katona, vend ku u zhvillua edhe aktiviteti. "Ne do të lobojmë për ju, - theksoi kryetari Katona, duke shtuar se, - marrëdhëniet e shkëlqyera mes Hungarisë dhe Shqipërisë do të ndikojnë në muajt shumë të rëndësishëm të Presidencës hungareze të BE-së pas një viti”. Për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbështetja hungareze është e rëndësishme, si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe për rrugën e integrimit në BE. Por Bela Katona gjykon se “integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor në BE është i rëndësishëm për ju, por edhe për vetë BE-në”. Në konferencë u theksua se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO ka sjellë një ndryshim të thellë në strukturimin e sigurisë së rajonit, si edhe të vetë aleancës, por puna në Ballkanin Perëndimor ende nuk ka përfunduar. Përshpejtimi i integrimit të këtij rajoni në strukturat euro-atlantike është i rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ishte e ftuar për të mbajtur një nga fjalimet kryesore të konferencës, e për të sjellë përvojën dhe modelin e Shqipërisë në anëtarësimin në NATO dhe ecjen e shpejtë drejt integrimit evropian. Prioritetet e mandatit të ri, veçanërisht të politikës së jashtme, liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE, ishin fokusi i fjalimit që kryetarja e Kuvendit mbajti përpara homologëve të Hungarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të zi, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë e Vojvodinës. Duke u ndalur veçanërisht te Kosova, kryetarja e Kuvendit bëri të ditur se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e fuqishme për njohjen e pavarësisë së saj dhe anëtarësimin në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare, duke shtuar bindjen se Kosova do të jetë e pranishme së shpejti edhe në tryeza të tilla rajonale. Avokatinë e Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE, kryetari i ri i Parlamentit të Hungarisë, Bela Katona, ia konfirmoi kryetares së Kuvendit edhe në takimin e veçantë të rezervuar. “Për liberalizimin e vizave, ju po trokisni në dyer të hapura”, - tha ai, duke siguruar jo vetëm mbështetjen e Hungarisë si vend i BE-së, por edhe influencën në vende të tjera evropiane për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Katona nënvizoi se edhe gjatë periudhës deri në marrjen e Presidencës, Hungaria do të jetë një ombrellë mbrojtëse për Ballkanin Perëndimor dhe do të përdorë të gjithë potencialin e saj politik e diplomatik për anëtarësimin sa më të shpejtë të këtij rajoni. Kryetari Katona theksoi se Hungaria e kupton më së miri domosdoshmërinë e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen ku i takon të jetë, e veçanërisht do të mbështesë fuqimisht liberalizimin e vizave për një vend që ka vuajtur një kohë të gjatë në izolim. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, kryetari Bela informoi kryetaren e Kuvendit se pas një muaji në një takim informal të Ministrave të Jashtëm të rajonit do të jetë e ftuar dhe Kosova. Po ashtu, edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës do të jetë për një vizitë zyrtare në Hungari.