E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani kritikon opozitën e PS-së ndaj problemeve në drejtësi



Një opozitë në Kuvend mund të ndërmerrte hapa ligjore për të shkarkuar anëtarët e Gjykatës së Lartë, që pezulluan gjyqin ndaj Fatmir Mediut. Kështu mendon një prej ekspertëve ligjorë të opozitës, Ylli Manjani, i cili e sheh këtë si një moment që duhet të shfrytëzohet nga opozita. “Askush nuk mund të ketë imunitet dhe i takon Partisë Socialiste të çelë një hetim parlamentar, ndërsa qeveria duhet të japë konsensus”, - shpjegon Manjani. Manjani mendon se Gjykata e Lartë ka shkelur rëndë Kushtetutën disa herë brenda vitit, sepse dokumenti themelor i shtetit shqiptar, Kushtetuta, e urdhëron t’i gjykojë çështjet dhe jo t’i pushojë, pa i shqyrtuar. Në këto kushte eksperti ligjor i opozitës, Manjani, mendon se politika ka rast të dëshmojë vullnet për të vendosur drejtësi në vend, atë që kërkojnë sot qytetarët. “Në këto kushte i takon Parlamentit që të nisë procedurat e shkarkimit të atyre anëtarëve të Gjykatës së Lartë që e kanë shkelur rëndë Kushtetutën”, - thotë Manjani. Ky është një moment, sipas zotit Manjani, për të treguar se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Po ai shkon më tej kur thotë se është detyra e opozitës të kërkojë në Kuvend shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që kanë pushuar çështjet ndaj ministrave. Zoti Manjani kujton se një rast i ndërhyrjes se Kuvendit ka qenë në vitin 2001. Me iniciativën e ministrit të Reformës Institucionale të asaj kohe dhe disa deputetëve, iu dërgua Kuvendit kërkesa për shkarkimin e tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që sipas tyre kishin dhënë një vendim të padrejtë.

Pavarësisht se Kuvendi nuk arriti t’i shkarkojë, pasi argumentoi se nuk ka argumente të mjaftueshme ligjore, rasti në fjalë vlen për t’u kujtuar, se politika mund të veprojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›