“Fshehja” e pasurive të zyrtarëve, hetim jashtë vendit
Dyshimet e hedhura për fshehje pasurie të zyrtarëve shqiptarë jashtë vendit kanë marrë një përgjigje konkrete nga ana e qeverisë dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave që mban datën 11 shkurt të këtij viti, kreu i ILDKP-së si dhe disa inspektorë të lartë të këtij institucioni, janë pajisur me pasaporta diplomatike. Qëllimi i këtij shërbimi special do të jetë udhëtimi pa probleme i inspektorëve jashtë vendit për të investiguar të gjitha indicet dhe dyshimet që kanë ardhur për shumë zyrtarë të shtetit. Në deklarimet e rreth 4 mijë zyrtarëve janë vërejtur edhe pasuri të deklaruara jashtë vendit, por edhe nga sinjalet e ILDKP-së, denoncimet, shkrimet në media etj. janë vërejtur dyshime të cilat pritet të marrin përgjigje së shpejti. Pajisja me pasaporta diplomatike të inspektorëve të lartë ka si qëllim hetimin e këtyre dyshimeve. Burime zyrtare pranë Inspektoratit të Lartë konfirmojnë se pasaportat diplomatike do të ndihmojë hetimin dhe investigimin e pasurive të zyrtareve shqiptarë. “Ligji përcakton që ashtu si prokurorët që kanë të drejtë të ndjekin çështje edhe jashtë vendit, edhe inspektorët e deklarimit të pasurive, kanë një të drejtë të tillë për të investiguar çdo të dhënë të dyshimtë që vjen”, - shprehen burimet.
Vendimi i qeverisë pajis me pasaportë diplomatike kryeinspektorin e lartë të ILDKP-së, Adriatik Llalla, si dhe disa nga inspektorët e lartë të këtij institucioni. Konkretisht, krahas Llallës, me pasaportë diplomatike do të pajiset ndihmësinspektori i lartë i ILDKP-së, drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse, drejtori i ngarkuar me autoritet përgjegjës si dhe këshilltari i kryesinspektorit. Drejtuesit e këtij institucioni pritet që të ndërmarrin një aksion për të ndjekur nga afër mjaft çështje. Fshehja e pasurisë e zyrtarëve të shtetit shqiptar ka qenë pjesë e diskutimeve jo vetëm ndërinstitucionale, por edhe politike. Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka deklaruar se jashtë vendit ka zyrtarë që fshehin pasuri duke kërkuar rreptësi në zbatimin e ligjit. Nga ana tjetër, ligji i deklarimit të pasurive është ndryshuar duke vendosur më shumë rreptësi në deklarimin e pasurive. Konkretisht, pasuritë do t’i deklarojnë edhe fëmijët madhorë të zyrtarëve si dhe prindërit e bashkëshortëve. Raportet më të fundit edhe të shoqërisë civile evidentojë spostimin që i bëjnë zyrtarët pasurisë së tyre drejt të afërmve që nuk i prek ky ligj si detyrim për të deklaruar pasurinë. Kjo ka hedhur dyshime të mëdha në lidhje me fitimin e këtyre të ardhurave, njëkohësisht janë hedhur dyshime edhe në rritjen e të ardhurave të zyrtarëve si dhe burimin e tyre.