Ngjela: Largimi nga Poli i Lirisë, çështje lidershipi
Deputeti Spartak Ngjela dhe kryetari i Partisë Ligj me Drejtësi, konfirmoi dje se nuk do të jetë pjesë e koalicionit Poli i Lirisë. Ngjela tha se do të dalë i vetëm në zgjedhje, për shkak se me Ndokën dhe Shehin nuk kanë pasur pikëpamje të njëjta për drejtimin e koalicionit. Ngjela pranoi se një nga çështjet e ndarjes ka qenë edhe lidershipi i koalicionit, duke mos e shprehur ambicien e tij për të drejtuar Polin e Lirisë. Mosarritja e kësaj marrëveshjeje ka qenë shkaku i largimit të Ngjelës nga Poli i Lirisë. “Partia Ligj dhe Drejtësi ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje me ndonjë koalicion anësor, sepse ndien dallim në pikëpamje. Deri në këto momente qëndrimi i partisë sonë është ky. Në të njëjtën kohë dua të deklaroj që Partia Ligj me Drejtësi ka dalë në skenën politike për të frenuar riardhjen e socialistëve në pushtet dhe të shpëtojë të djathtën, duke e ristrukturuar brenda nocioneve të reja pas goditjes së rëndë që i solli qeverisja aktuale”, - tha Ngjela.
Trupat shqiptare përfundojnë misionin në Çad
Kontigjenti i Forcave Komando Shqiptare përfundoi misionin në Çad, në kuadër të operacionit EUFOR “TCHAD - RCA” të drejtuar nga Bashkimi Evropian. Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se misioni i tyre përfundoi me sukses. “Kontigjenti i forcave Komando mbërriti dje në mbrëmje në atdhe”, - deklaroi Ministria e Mbrojtjes. Në aeroportin e Rinasit u organizua ceremonia e pritjes së këtij kontigjenti. Kontingjenti i FA-ve në Çad të Afrikës u angazhua për sigurimin e Shtabit të Përgjithshëm që ndodhet në Ndjamena, kryerjen e patrullimit në rajonin e këtij qyteti, eskortimin e vizitorëve të ndryshëm si dhe shoqërimin e trupave që mund të lëvizin nga kampi Ndjamena për në kampin Abeche, në një distancë 700 km. Në angazhimin e tyre përfshihej dhe sigurimi i trupave gjatë natës nëse do ta kërkonte nevoja.