E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja dhe bojkoti

Mentor Nazarko Tashmë beteja për të  vërtetën e fundit mbi përmbytjet e Shkodrës ka hyrë në një fazë akute. Të dhënat që solli Asambleja e Partisë Socialiste mbi  arsyet e përmbytjes sollën në dritën e diellit, një tjetër version që hëpërhë qarkullonte, por jo në version të sistemuar, nëpër disa forume televizive nga goja e specialistëve të caktuar. Dhe kjo e vërtetë alternative me atë të mazhorancës, që si zakonisht mburret me operacionin e shpëtimit, vë theksin mbi disa momente që duhen sqaruar nga të tretë-t. Dmth, nga Prokuroria, apo nga institucione të tjera. Opinioni publik po ashtu ka të drejtë të kërkojë transparencë të plotë mbi arsyet e përmbytjes. Gjithsesi diçka duhet thënë që sot.Po e fillojmë me një sërë pikëpyetjesh mbi cilësinë e manaxhimit të kaskadës, pyetje të frymëzuara jo aq shumë nga të dhënat e ofruara nga Asambleja e PS-së, por nga kontaktet me specialistët më të mirë të hidrocentraleve, të digave, etj, etj. Nuk kemi dëgjuar nga ana e qeverisë ndonjë buletin reshjesh të viteve të fundit për të na mbushur mendjen se reshjet e fundvitit ishin më të mëdhatë ndonjëherë, në atë shkallë sa të mund të provokonin përmbytjen që pamë. Ndërkohë, po vetë njerëzit e qeverisë vënë theksin tek madhësia e shkarkimeve, diku tek 2.6 miliardë metro kub ujë, apo tre herë liqeni i Vaut të Dejës, si faktorin kryesor që shkaktoi përmbytjen aktuale. Sipas qeverisë ky shkarkim në momentin kur u krye, për kohën që zgjati, shmangu një katastrofë që mund të ishte më e rëndë. Madje zoti Berisha pa dhënë asnjë shpjegim sikur tha të vërtetën e fundit, pretendoi se “nëse do kishim shkarkuar më parë do ishim gjendur në katastrofë”. Pse? Berisha s’dha ndonjë përgjigje se përse, nëse do ishte shkarkuar më parë, do kishte ndodhur katastrofa. Në këto kushte, pyetjet që kërkojnë me forcë përgjigje janë: po sikur më parë të ishte prodhuar maksimalisht energji, domethënë që nga fillimi i dhjetorit dhe jo diku nga fundi i dhjetorit siç ndodhi? Të ishte gjetur më parë treg për energjinë shtesë në operatorët rajonalë, të mos merrej asnjë lloj energjie nga Kosova, tregues i mungesës së vizionit në menaxhimin e kaskadës? T’i ishin dhënë garanci me shkrim OSSH-së në duar të çekëve, se do t’i jepej energji shtesë nga hidrocentralet, siç bëjnë të ditur burime të mirinformuara? Sipas tyre OSSH kishte kërkuar që në fillim të dhjetorit garanci me shkrim se do të merrte energji prej KESH-it, garanci që nuk ju dhanë, thonë burimet. Prodhimi është një rrugë për të shkarkuar gjithashtu kaskadën dhe ai arriti nivele maksimale vetëm në fund të dhjetorit. Po sikur krahas rritjes së prodhimit të ishte shkarkuar nga pak edhe ujë? Sikur të ishte vepruar kështu sipas këtyre burimeve nuk do arrihej në situatën kur të tre kaskadat ishin të mbushura plot, një situatë e paprecedent. Për të vijuar me një pyetje të fundit në aspektin menaxherial: Pse nuk u mblodh Komiteti shtetëror i Digave pikërisht atëherë kur duhej dhe jo dhjetë ditë më vonë?Në parashtrimin e këtyre momenteve, ne tentuam të vinim theksin mbi mëkatet e mundshme aktuale të administrimit të KESH-it, për të cilat PS në asamblenë e fundit dha argumente me shumicë. Madje PS pretendon se dhe Berisha është përfshirë me urdhrin e tij për të mos hapur portat e digave. Pra kemi dhe përgjegjësi politike, jo thjesht menaxheriale. Po rreshtojmë dhe një sërë argumentesh me natyrë politike. është afërmendsh që një pjesë e problemeve janë krijuar dhe prej mungesës totale të vizionit politik afatgjatë të të gjitha qeverive. Pra, i përcaktimit realist të prioriteteve. Kush mund të na thotë me kompetencë, nëse është më prioritare të hidhen aq shumë para në rrugë, apo prej atyre parave të hiqeshin aq sa duhej për të bërë hidrocentralin e Ashtës, apo të Skavicës? Duhej të bëhej sistemimi i Bunës, apo një investim tjetër nga këta elektoralët që kanë karakterizuar të gjitha qeveritë, të majta apo të djathta? Kush paguan për mungesën totale të kontrollit mbi territorin në këto 20 vjet, të iniciuara veçanërisht në mandatin e parë të PD-së, të vijuar gjatë dy mandateve të PS-së, dhe të pandalura dhe në këto 5 vjet të ardhjes së PD? Shpyllëzimet e egra- lënda drusore është produkti ynë më i rëndësishëm i eksporteve, -ndërtimi i shtëpive apo objekteve të biznesit, etj pranë digave, argjinaturave, etj, janë gjithashtu mëkate të rënda të qeverisjeve tona. Të gjitha mëkatet, menaxheriale, politike kanë një emërues të përbashkët: mungesën e vizionit afatgjatë. Vizionet afatgjata ndërtohen mbi konsensuse kombëtarë. Ata janë produkt politikanësh që nuk kanë në plan të parë ruajtjen apo fitimin e pushtetit me çdo kusht, por interesin kombëtar. Pse nuk u bënë denoncimet në parlament?Përtej diskutimit mbi vërtetësinë e akuzave që u bënë dje në Asamblenë e Jashtëzakonshme të PS-së, mbetet gjithashtu e hapur një pyetje tjetër, politike. Pse këto akuza nuk u bënë në parlament?Pyetja që ne bëjmë mban parasysh manovrat e fundit të palëve për të siguruar apo shmangur hyrjen e PS-së në parlament. Nga figura autoritare të PS-së, jo nga Rama megjithatë, u la të kuptohej se PS-ja do të hynte në parlament vetëm për një seancë në fund të së cilës në zonën e Shkodrës do të vendosej gjendja e jashtëzakonshme, për të cilën foli dhe kryeministri. Duket se në përpjekje për ta shmangur këtë seancë që mund të shndërrohej në hapësirë për denoncimin e PS-së për katastrofën parlamenti nuk u mblodh dhe sot bëhen lodra fjalësh. është apo nuk është seanca e pasdites së sotme, një seancë e jashtëzakonshme?Sido që të jetë seanca e sotme, ajo ishte korniza ideale institucionale që PS-ja të hynte në parlament. PS duhej të merrte mandatet dhe gjithë denoncimet e djeshme t’i bënte brenda një institucioni kushtetues si Parlamenti. Askush nuk do ta paragjykonte këtë hap si dobësi të PS-së. Dhe PS vetëm do të fitonte dhe nuk do të humbte, pavarësisht se çfarë do të bënte pas seancës: do të dilte sërish nga parlamenti, apo do të rrinte aty? Edhe vendi do të fitonte.Me hyrjen në parlament, duke patur si pretekst seancën kushtuar përmbytjeve, PS do të krijonte mundësitë që akuzat e saj të fitonin vlerë ligjore dhe të mbeteshin në kanalet politike. Në planin propagandistik ajo do të asnjanësonte gjithë pretendimet e shumicës për menaxhim të suksesshëm të emergjencës që do të bëhen në seancë. PS do të shmangte nga kurrizi i vet gjithë atë presion ndërkombëtar për të hyrë në parlament. Ajo do të forconte unitetin e brendshëm dhe do t’u hiqte rivalëve të Ramës argumente për kundërshtimet e tyre që përherë mbeten vetëm tek hyrja në parlament dhe asgjëkund tjetër. PS-mund të vazhdonte lirisht ose drejtpërdrejt ose nëpërmjet institucioneve të tjera betejën për hapjen e kutive që disponohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. PS mund të vazhdonte pa asnjë vetëkompromentim betejën në rrugë apo kudo për rrëzimin e qeverisë, të cilën ajo e akuzon si shkaktare të përmbytjes. PS do të kishte mundësi të merrej dhe me beteja të tjera dhe të mbyllte formalisht një kapitull si ai i bojkotimit të parlamentit për shkak të manipulimit të votës. Sepse PS nuk mundet të vazhdojë për asnjë arsye betejën me protesta për hapjen e kutive – emergjenca e përmbytjeve e zhvleftësoi kauzën e kutive, megjithë pretendimet e PS-së, se tek kutitë qëndron shkaku kryesor i krizës. Në instancë  të fundit beteja politike në vend do të fitonte tema të tjera: opinioni publik, vendi do të merrej me prioritete të tjera. Moshyrja e PS-së në parlament mbetet kështu një gabim i madh, prej të cilit nuk humb vetëm PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›